Kur flitet për simbolet e muzikës italiane në botë, mund të përmenden emra të ndryshëm. Por prej vitit 1983 Toto Cutugno do të bëhej flamurtar i popit italian në botë. Hiti i tij me nam global, “L’Italiano” – titull ky që e mban edhe albumi i tij në atë vit – kishte shpërthyer me hov të pazakontë. Qe përkthyer në shumë gjuhë, duke e bërë kantautorin prej interpretuesve italian më të dëgjuar në botë. E tekstin ndër më të përkthyerit. Midis tjerash, me këtë trashëgimi prapa, Toto Cutugno ka vdekur të martën. Ai ishte 80 vjeç.
Bota e artit, vdekjen e kantautorit e ka përshkruar si humbje të një zëri të veçantë e me ndikim të madh global. Përderisa nga vetë udhëheqësit italianë, vdekja e Cutugnos është parë si varfërim të kulturës së shtetit buzë Adriatikut.
I lindur më 7 korrik të vitit 1943 në Lunigiana të Toskanës. Si i ri, Salvatore Cutugno - që më vonë do të merrte nofkën “Toto” kishte nisur të merrej me muzikë. Por fillimisht si baterist. Në moshën 19-vjeçare do të themelonte grupin e tij të parë, “Toto e i Tati”. Më pas themeloi grupin “Albatros” së bashku me Lino Losito dhe Mario Limongelli.
Shpejt do të zbulonte edhe një talent, atë të shkrimit të teksteve të këngëve. E në këtë fushë u bë i njohur duke shkruar tekste për artistë si francezo-amerikanit Joe Dassin, e deri te Johnny Hallyday, Mireille Mathieu, Ornella Vanoni, Domenico Modugno, Claude François, Gigliola Cinquetti, Gérard Lenorman, Michel Sardou, Hervé Vilard dhe Paul Mauriat.
Në vitin 1976, “Albatros”, sipas biografisë së Cutugnos mori pjesë për herë të parë në Festivalin e Sanremos duke përfunduar në vendin e tretë me këngën “Volo AZ 504”. Kjo pjesëmarrje i dha këngëtarit goxha hov. Pas një tjetër suksesi me këngën “Santamaria de Portugal”, në 1978 Cutugno u largua nga “Albatros” për të shënuar një tjetër hap në karrierë atë të solos. Në të njëjtin vit me hitin e tij të parë solo “Donna donna mia”, bëri alamet buje në spektaklet e televizionit “RAI”. E më në vitin 1979, ai shkroi hitin e padiskutueshëm të Adriano Celentanos “Soli”.
Menjëherë një vit më pas Cutugno u kthye në Festivalin e Sanremos dhe fitoi vendin e parë me këngën “Solo noi”. Por sa i përket këtij Festivali Cutugno më së shumti mbahet mend me këngën “L'Italiano” që u bë hit gjithandej globit. Atë e interpretoi më 1983. Biografia e tij tregon se kjo këngë fillimisht ishte menduar për Adriano Celentanon, por ai nuk kishte pranuar ta interpretonte. Kësaj këngë hov të madh i kanë dhënë edhe emigrantët italianë nëpër botë, duke e dëgjuar si simbol identifikues.
Cutugno do të përfundonte i dyti në gjashtë edicione të tjera të Festivalit të Sanremos si më 1984 me këngën “Serenata”, në vitin 1987 me “Figli” në vitin 1988 me “Emozioni”, në vitin 1989 me këngën “Le mamme”, në vitin 1990 me këngën “Gli amori” dhe në vitin 2005 me Annalisa Minetti me këngën “Come noi nessuno al mondo”. Me 13 pjesëmarrje në këtë Festival, Cutugno njihet edhe si “i dyti i përjetshëm”.
Por më 1990 ai do të bëhej i pari në një tjetër festival. Atë evropian. Në vitin 1990, Cutugno fitoi “Eurovisionin” në Zagreb me kompozimin e tij, “Insieme: 1992”, një baladë që festonte integrimin politik evropian dhe themelimin e Bashkimit Evropian. Por me këtë Festival nuk është ndalur me kaq. Së bashku me Gigliola Cinquetti, fituesja e mëparshme e “Eurovisionit” ai prezantoi Festivalin 1991, i cili u organizua në Romë si rezultat i fitores së tij. Në moshën 46 vjeç e 302 ditë, Cutugno u bë fituesi më i vjetër i këtij Festivali, duke tejkaluar rekordin e vendosur nga André Claveau më 1958.
Jashtë Italisë, Cutugno shpesh kishte turne në Shtetet e Bashkuara, duke performuar rregullisht në New York dhe Atlantic City. Vendet ku ai ishte shumë popullor përfshijnë Gjermaninë, Rusinë, Spanjën, Rumaninë dhe Turqinë.
Në mars 2019, një grup politikanësh nga Parlamenti ukrainas u përpoqën të ndalonin Cutugnon të performonte në Kiev, duke kërkuar përmes një letre të hapur kreut të shërbimeve të sigurisë të vendit, Vasyl Hrytsak, që të ndalonte këngëtarin të hynte në territorin ukrainas. E etiketonin atë si “një mbështetës rus të luftës në Ukrainë”. Por pavarësisht polemikave, koncerti u mbajt përfundimisht në Kiev më 23 mars.
Cutugno qe i martuar me Carla Cutugno prej vitt 1971 deri në vdekje. Më 1990 u bë babai i Nicos nga një marrëdhënie jashtëmartesore.
Me vdekjen e kantautorit, udhëheqësit shtetërorë të Italisë e kanë përshkruar vendin e tyre si më të varfër.
“Përshëndetje Toto Cutugno, një italian i vërtetë” shkroi në Twitter kryeministrja Giorgia Meloni. “Sot një njeri shumë i madh na la ne”, shkroi në Twitter zëvendëskryeministri dhe ministri i infrastrukturës, Matthew Salvini.
“Me ‘L’Italiano’-n e tij, ai mundi të bënte miliona njerëz të këndojnë, duke dërguar muzikë italiane në të gjithë botën. Bon voyage, Toto Cutugno”, ka shtuar ai.
Si artist të madh atë e ka përshkruar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.
“Ti ishe një italian i madh, i vërtetë, ne duhej të takoheshim këtë verë në Vlorë, por Zoti vendosi të të lërë të pushosh në paqe, ndërsa në ne këngët e tua mbeten të regjistruara përgjithmonë në zemrat e shumë shqiptarëve”, ka shkruar Rama në rrjete sociale. Faleminderit për gjithçka Toto Cutugno ishte një privilegj të jetoja njëkohësisht me një legjendë si ju”, ka shtuar ai. Të jetuarit njëkohësisht, privilegj duhet ta kenë llogaritur edhe miliona dëgjues të tij anë e kënd botës. E kënga e tij “L’italiano” bëri që Italia të përjetohej gjithandej.