Gjithçka nis dhe mbeti te vitet ‘90. Në periudhën e rebelimit e krijimit të hovshëm artistik, muzikantët krijuan me çdo mjet alternativ, e pa asnjë strehë, shpesh nëpër rrugë e qoshe. Ndërkaq pikërisht në koncertin e nëntë të “Tony Drum Studio”, titulluar “Albanian 90’s”, bateristët prej 6 deri 22 vjeç, përveç që kanë dëshmuar potencialin e tyre, kanë rikthyer kryeveprat e rockut shqip
Skena e teatrit “Oda” është e ngarkuar. Në anën e majtë janë të renditura instrumentet harkore. Përkrah tyre në qendër të skenës janë të vendosura bateritë të cilat paralajmërojnë një natë të zhurmshme rocku.
Mirëpo gjithçka nis dhe mbetet te vitet ‘90. Jo veç si vit i rezistencës, por edhe si periudhë e rebelimit e krijimit artistik. Në ekran shfaqet një videosekuencë e shkurtër. Është korriku i vitit 1990, ndërkaq pamjet flasin zëshëm për represionin ndaj shqiptarëve. Janë çastet e largimit me dhunë të punëtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës dhe mbylljes së një adrese informative. Por asnjëherë arritjes së qëllimit të pushtuesit. Instrumentistët e rinj presin momentin e takimit të baterive të tyre me shkopinj. Dhe kur kjo arrihet, muzika ndihet si kujtim për kohën e vështirë të muzikës, por të asaj që mbetet më e frytshmja deri më sot.
Olti Berisha, Fion Aliu, Lis Plakolli, Eron Marashi, Zog Berisha, Jori Blakiqi e Malsor Morina me disa shkëputje muzikore japin sinjalin e një nate të begatë me promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe. Ndërkaq pikërisht në koncertin e 9-të të “Tony Drum Studio”, bateristët nga 6 e deri në 22 vjeç sjellin edhe mënyrën e të bërit muzikë të gjeneratave të para. Në vend të baterive janë kovat. Nëpër duar e kalojnë një gyp të gjatë, me njërën dorë e mbajnë atë, e me tjetrën kanë lugë kuzhine. E tëra s’është rastësi. Rikujtojnë se si në kushtet e përjashtimit nga sistemi, muzikantët e asaj kohe kanë bërë muzikë me çdo mjet alternativ, e pa asnjë strehë, shpesh nëpër rrugë e qoshe.
Mirëpo sot, kur koncerti “Albanian 90’s” bën bashkë emra të njohur të skenës muzikore, si Agim Gërguri (“Fisnikët”), Bekim Hallaqi (“TNT”), Arbër Krasniqi, Vesa Kelmendi, Dafina Bytyqi, Erza Qerkini, Rita Hyseni, Labinot Reqica, orkestrën e dirigjuar nga Arbnor Gashi dhe nën udhëheqjen e Artan Elshanit, ritheksohet nevoja e përkrahjes së gjeneratave të reja. Në mungesë të hapësirës institucionale, ata gjejnë forma alternative e shpesh shkolla e institucione private për ta ndjekur rrugëtimin muzikor. Të shpeshtë janë ata që ndërrojnë krejtësisht drejtim, e që kjo cilësohet si humbje për skenën muzikore të vendit. Përveç njoftimit të gjeneratave të reja për muzikën e viteve ‘90, është edhe rikujtim i pavdekshmërisë së vlerave të mirëfillta. Por në të njëjtën kohë alarm e dëshpërim për krijimet e sotme komerciale.
“Me ritëm do vallëzoj”, “Beso në diell”, “E dua dashurinë”, “Dashuria e parë”, “Jon”, “Ëndërr”, “Dashurinë ku e kam”, “Buzëqershi”, “Ujku Plak” ishin nëntë këngët, numri i të cilave ishte simbolikë si ndërlidhje me vitet ‘90. Ndërkaq ata që i sollën me bateritë e tyre ishin pikërisht Rubin Pergegaj, Lorenc Xhelili, Lis Plakolli, Eron Marashi, Zog Berisha, Ian Çarkaxhiu, Jori Blakiqi, Malsor Morina e Jana Blakiqi, të drejtuar nga bateristi Faton Aliu.
Për 8-vjeçarin, i cili tash e një vit është pjesë e “Tony Drums Studio”, Ian Çarkaxhiu, kjo është hera e dytë që performon. Në bateri solli këngën “Ëndërr” të Agron Berishës.
“Më pëlqen emrin si e ka, ‘Ëndërr”, thotë ai për këngën që i dha jetë. “Me bateristë të tjerë më pëlqen ta bëjmë ritmin bashkë”.
E Jori Blakiqi, rrugëtimi i të cilit me bateri tashmë kanë shënuar pesë vjet, ka thënë është i kënaqur me performancën e përbashkët.
“Kemi pasur pak emocione, por ka dalë shumë mirë koncerti. Bendi ka qenë shumë i mirë. Ëndrrat e mia janë që të jem shumë i famshëm dhe i njohur në të gjithë botën me bateri”, ka thënë Blakiqi. Jo pak emocione ka pasur edhe 11-vjeçarja Jana Blakiqi.
“Ka qenë shumë mirë. Bendi, gjithçka ka shkuar mirë. Është ndjenjë shumë e mirë”, ka thënë ajo.
Organizatori i kësaj mbrëmjeje, Faton Aliu, ka thënë se formacioni orkestral ka qenë mes baterive e instrumenteve harkore pikërisht për t’ia dhënë meritën këngëve në interpretim.
“Bateristët e rinj do të performojnë muzikën e viteve ‘90, që për një 8- vjeçar është si me ia tregu një përrallë për Kësulëkuqen. Ne gjithmonë bëjmë koncerte me një moto, për të përçuar edhe te shikuesi diçka të veçantë”, ka thënë ai në prag të nisjes së koncertit.

Iniciativa nuk u mirëprit veç nga bateristët e “Tony Drum Studio”. Qenë këngëtarët ata të cilët me zërat e tyre në interpretim i dhanë mbështetje morale talenteve të rinj.
“Iniciativën e tij e konsideroj si një punë të madhe, që si ky duhet me pasë shumë njerëz që me i angazhu fëmijët nëpër instrumente të ndryshme edhe me pasë koncerte që mbahen live, se aty shihet talenti. Edhe kur gabojnë janë të lezetshëm”, ka thënë solisti i grupit “Fisnikët”, Agim Gërguri.
Ndërkaq Bekim Hallaqi nga “TNT” e ka vlerësuar koncertin si emocionues, për vetë faktin e përballjes së gjeneratave të reja me muzikën e këtyre viteve. Ka thënë se çdo rikthim te ky thesar shënon sukses për shkak të vlerave që kanë. Ndërkaq tash tekstet e këngëve kanë bazament negativ e fyes.
“Është duke e bërë një punë shumë të mirë. Fatoni ka shumë vullnet që t’i mësojë brezat e rinj me muzikën e mirëfilltë se muzika rock dhe e mirëfilltë është në zhdukje e sipër si lloji i dinozaurëve”, ka thënë Hallaqi.
Solistja tjetër, Dafina Bytyqi, ka thënë se ky koncert ka qenë shkëmbim përvojash. Përderisa këngëtarët i kanë përkrahur, ata kanë marrë diçka nga vullneti e guximi i tyre.
“Duke e bazuar që mosha e tyre 7 - 8 vjet, emocioni i skenës e bën të veten, por (pavarësisht këtyre) kanë qenë të mirë. Për mua ka qenë kënaqësi shumë e madhe se jam munduar ta prezantoj sa më mirë këngën, që bateristi me u ndje sa më mirë se ka qenë nata e tyre. Të gjithë jemi ardhur për ta, po më duket të gjitha këngët kanë dalë shumë mirë”, ka thënë Bytyqi.
Koncerti ka shërbyer edhe për ta ripotencuar nevojën e mbështetjes institucionale.
“Ka talente shumë te ne, por gjynah që institucionet s’merren me ta. Njeriu duhet të angazhohet vetë në mënyrë private, që është absurde pak sepse duhet të kenë menaxherë që merren me ta. Ende jemi shumë prapa”, ka thënë Gërguri, që u ka dhënë zë hiteve “Ujku Plak”, “Zotëria juaj” , “Shiu” e shumë të tjerëve.
Për Arbër Krasniqin rock muzika ka mbetur “nën mëshirën e disa lokaleve”. Ndërkaq për entuziastët e rinj muzikorë, ai ka përmendur faktin se njëri nga nxënësit është detyruar të ndërrojë drejtim muzikor, për shkak të mungesës së hapësirës për bateri.
“Është fatmirësi edhe fatkeqësi për faktin që ka shumë talente në Kosovë, e që shumë prej tyre shkojnë dëm për shkak se s’ka mekanizma që i kanalizojnë talentet”, ka thënë Krasniqi.
Bekim Hallaqi ka thënë se pavarësisht mungesës së krijimit të muzikës së mirëfilltë, njerëzit janë ende të etur për të.
“Nuk do të thotë çdo gjë që servohet është e mirë, se populli është viktimë e prodhuesve e producentëve sepse ndonjëherë çka të servohet, je i detyruar ta hash”, ka thënë ai.
Solisti i grupit të famshëm rock “TNT” ka thënë se orkestrimet e kohës më të hershme kanë qenë shumë më ndryshe sesa tash.
“Rrallë ka pasur një orkestrues të pashkolluar. Ata kanë shkrirë mend, kanë qenë njerëz me intelekt të lartë, kanë bërë këngë të menduar, jo veç kot, për të qenë të përfolur”, ka thënë ai.
“Tony Drum Studio” vitin e ardhshëm shënon 10-vjetorin e themelimit. Deri tani kanë realizuar 8 koncerte të tjera dhe është ndër shkollat e para alternative të mësimit të baterive.