Kulturë

Tingujt e kotos sjellin Japoninë në Prishtinë bashkë me “Luleborë”

Instrumenti kombëtar i Japonisë, koto, ka qenë “personazhi” kryesor i koncertit në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Atsuko Suetomi mjeshtërisht ka luajtur në të, e nëpërmjet saj pos tingullit, është shpalosur edhe një kapitull unik i kulturës japoneze. Vallet e luajtura prej Akemi Kusayanagi i kanë sjellë koncertit edhe më shumë ngjyra, e kulminacion i mbrëmjes ka qenë kur dyshja ka interpretuar ikoniken e muzikës shqipe “Luleborë”

Një instrument që nuk iu ngjan atyre në të cilët interpretohet në këto anë, zë vend në mes të skenës së Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare. Është kotoja, instrumenti kombëtar i Japonisë.

I punuar prej druri, kotoja, si instrument me tela, ka tingull unik dhe të identifikueshëm lehtë me muzikën tradicionale japoneze. Notat krijohen edhe nëpërmjet disa copëzave në formë trekëndëshi, që në japonisht quhen ji për ura, të cilat, sikurse figurat e shahut, mund të ndërrojnë vend.

Në koto luhet me të dy duart. Artisti që performon duhet t’i mbajë tri kapëse në gishtat e dorës së djathtë përmes së cilëve prek telat. Herë-herë tingujt krijohen edhe duke i endur duart paralelisht apo në formë zigzage, nëpër trembëdhjetë telat e kotos. Urat prej druri ose plastika dhe vijnë në tri madhësi, varësisht nga lartësia e notave. Dhe kultura është urë njohjeje midis popujve e kulturave të ndryshme. I tillë ka qenë koncerti i dyshes japoneze, të mërkurën mbrëma. Me koton në qendër, mbrëmja u organizua me qëllim që publiku në Kosovë të ketë mundësi të njihet me këtë kapitull të kulturës japoneze, me theks të veçantë te tradita muzikore.

Në koto, japonezja Atsuko Suetomi performoi gjithsej pesë vepra muzikore, të cilat vijnë nga tradita e lashtë japoneze. Veprat me ritme dhe gjatësi të ndryshme nga njëra-tjetra kanë sjellë rrëfime emocionesh në kontraste.

Por përveç muzikës, Ambasada e Japonisë në Kosovë është kujdesur që publiku ta shijonte edhe vallëzimin tradicional japonez. Valltarja Akemi Kusayanagi performoi tri vallëzime tradicionale japoneze. Ndryshe nga vallëzimet shqiptare, ato karakterizoheshin nga lëvizje tejet të ngadalta dhe mjaft precize.

Megjithatë befasia e mbrëmjes erdhi në fund të mbrëmjes.

Dy artistet japoneze bënë për vete publikun teksa përmes kotos dhe vallëzimit japonez interpretuan këngën shqipe “Luleborë”.

I pranishëm në këtë ngjarje ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka folur për rëndësinë e organizimit të eventeve të tilla.

Image

Valltarja Akemi Kusayanagi performoi tri vallëzime tradicionale japoneze


“Tani vonë isha në Tokio dhe që nga ajo ditë për çdo minutë të ditës kam menduar për Tokion. Jam mahnitur thellë nga bukuria e atij qyteti. Edhe kjo mbrëmje, e cila është organizuar në bashkëpunim midis dy shteteve tona, është ura më e mirë që lidh dy vendeve tona dhe ku njerëzit tanë mund të bashkohen për ta njohur traditën e njëri-tjetrit”, ka qenë fjalët me të cilat i është drejtuar publikut.

Ndërkaq, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka ka thënë se për ta organizuar këtë mbrëmje kishin bërë përgatitje të shumta, veçmas për interpretimin e “Luleborës”.

“Unë kam ardhur dhjetorin e kaluar dhe do te jem këtu deri ne mars dhe kjo mbrëmje më gëzoi shumë. Ne jemi përgatitur së bashku me artistët, e veçanërisht për pjesën e fundit, melodinë kosovare e cila ishe një melodi shumë e bukur dhe për këtë jam shumë i lumtur”, është shprehur Yamanaka.

Pas përfundimi të mbrëmjes, artistja japoneze Atsuko Suetomi, e cila në Kosovë solli tingujt e veçantë të kotos, e ka vlerësuar mikpritjen e publikut.

“Ishte e mrekullueshme sepse audienca e Kosovës ishte shumë e interesuar në koton dhe ta dëgjonte atë, kështu që unë isha shumë e lumtur të luaja në Koto. Njerëzit ishin shumë të dashur dhe u lidha përzemërsisht me ta”, ka thënë ajo, ende nën emocionet e skenës.

Ndërkaq valltarja japoneze, Akemi Kusayanagi, është shprehur e lumtur që në Kosovë ka performuar vallëzimin tradicional të vendit të saj.

“Jam shumë e lumtur dhe e nderuar të jem këtu dhe ta performoj vallëzimin japonez. Faleminderit shumë. Këtu u ndjeva si në shtëpi, njerëzit ishin shumë të dashur dhe të qetë dhe mu duk një vend shumë i bukur”, ka thënë ajo teksa në shqip shtoi: “Faleminderit shumë”.

Kjo ngjarje u organizua në bashkëpunim midis Ambasadës së Japonisë në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.