“The Handke Project” ka marrë Çmimin për shfaqjen më të mirë në Festivalin e Teatrove në Ferizaj. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të premten mbrëma në oborrin e teatrit “Adriana” në Ferizaj, kjo shfaqje ka marrë edhe tri çmime të tjerë: atë për regjinë më të mirë që i ka takuar regjisores, Blerta Neziraj çmimin “Ismail Rama” për aktorin më të mirë të cilin e ka marrë Arben Bajraktaraj, dhe për kostumografinë më të mirë, që e ka marrë Blagoj Miçevski.
“The Handke Project” me tekst të Jeton Nezirajt, është shfaqje e fuqishme e cila denoncon mohimin e krimit në këto anë dhe këtë e bën duke marrë për personazh nobelisin austriak, Peter Handke, i cili qe rreshtuar në anën e kriminelëve të luftës, mik i diktatorit serb Sllobodan Millosheviq.
Çmimin për aktoren më të mirë e ka marrë Ilire Vinca për rolin e saj në shfaqjen “Babai dhe babai” me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Kushtrim Koliqit, përderisa Çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor e ka marrë “Blin Sylejmani” për lojën e tij në shfaqjen “Memorandumi”, me tekst të Václav Havelit nën regji të Agon Myftarit. Produksioni i teatrit “Adriana” të Ferizajt, qe ajo e cila hapi garën e Festivalit, të shtunën e kaluar.
Kosovare Krasniqi ka marrë Çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor për interpretimin në shfaqjen “Babai dhe Babai” përderisa Çmimin për skenografinë më të mirë e ka marrë Bekim Korça për “Ora e vdekjes”, në regji të Ilir Bokshit, produksion i “Bokshi Teatër”. Çmime speciale kanë marrë aktoret Albulena Kryeziu-Bokshi që luan Efta Sasin në “Ora e vdekjes” dhe Liridona Shehu që luan Robertën në “Deni dhe deti i thellë i kaltër”, produksion i teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit.
Festivali i Teatrove në Ferizaj një prej ngjarjeve më me traditë edhe në rajon, sivjet ka ardhur më frymë të re. Duke ruajtur traditën, organizatorët kanë bërë një ribrendim të Festivalit, që fillon prej logos edhe përmbajtjes së përgjithshme të Festivalit. Përveç shfaqjeve garuese të teatrove vendore, “premierë” ka pasur edhe “RetroTeatrin”, garën studentore e ndejat plot muzikë.
“Ora e vdekjes” nga “Artpolis” dhe “Bokshi Teatër”, nën regjinë e Ilir Bokshit, “Babai dhe babai” si prodhim i “Integrës”, nën regji të Kushtrim Koliqit dhe “The Handke Project” nga “Qendra Multimedia” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regjinë e Blerta Nezirajt kanë qenë shfaqjet e programit kryesor bashkë me “Viganët”, me tekst të Visar Krushës, nën regji të Ilir Bokshit. Përtej teatrove vendore, nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut ka ardhur me “Mjekimi” nga Teatri Ultra, nën regjinë e Qazmedin Nuredinit. Si shfaqje jashtë konkurrencës ka qenë “Koleksionisti i syve” nga Ben Apolloni.
Juria vlerësuese ka pasur në përbërje: Sulejman Rushitin, Edona Berishën dhe Zymber Kelmendin.
“RetroTeatri”, programi i ri i këtij edicionin, ka sjellë tri performanca të shtrira në tri lokacione si përpjekje për ringjallje të kujtesës kolektive.
Destinacionet kanë qenë Stacioni i Trenit, ish – gjimnazi e Kisha Katolike. Aty janë luajtur performancat “Agminepolis” nga Kreshnike Osmani, “Udha e shkronjave 1946” nga Kaltërim Balaj dhe “Premartyris” nga Kushtrim Mehmeti.
Një tjetër program me peshë kanë qenë edhe panelet e diskutimit në temat “Shfaqja që nuk shfaqet”, “Drama kosovare në letër” sikurse edhe punëtoritë “Lëvizja poetike si rezistencë” nga Uresa Ahmeti dhe “Forum Teatri si kundërpërgjigje ndaj bullizmit” nga Dardane Mehmeti.
“Don’t listen to your neighbors”, Semira Latifi dhe “Sheki and Friends”, grupi “7 me 7”, Dora Xhemajli dhe Gita e në mbrëmjen përmbyllëse, Edona Reshitaj, janë përkujdesur për muzikën në ndeja.