Se Brexiti e ka goditur keqas teatrin në Britaninë e Madhe ka qenë njëra prej konstatimeve në panelin e radhës në “Kosovo Theatre Showcase”. Në Poloni, shteti tenton ta mbajë brenda kornizave të veta. Por përkundër sfidave, teatrit i njihet fuqia që ta sfidojë edhe politikën dhe ta ndryshojë realitetin. Por për ta arritur këtë i duhet unifikim
Tingëllon i përgjithshëm konstatimi se teatri duhet të ketë lidhje me realitetin e jashtëm dhe se ai mund të ndikojë në përmirësimin e shoqërisë, por kur nis e zbërthehet, aty dalin edhe prapaskenat e këtij procesi kompleks.
“Teatri përtej oborrit të shtëpisë sonë” ka qenë tema e panelit të dytë të organizuar në kuadër të “Kosovo Theatre Showcase”, moderuar nga gazetarja e kulturës Elsa Demo nga Shqipëria. Dhe një konstatim si ky ka qenë pikënisja e diskutimit të mbajtur në “Kino Armatë”, me personalitete të teatrit fushash e vendesh të ndryshme, si: Jakub Skrzywanek nga Polonia, Mischa Twitchin e Sarah Grochala nga Britania e Madhe dhe Agata Tomshiq nga Italia.
Duke u nisur nga e kaluara e vendit, prej nga vijnë a të atij ku jetojnë, katër panelistët kanë diskutuar rreth punës që ata kanë bërë deri më tani dhe asaj që duhet bërë për ta ndihmuar gjendjen dhe situatat me të cilat përballet shoqëria e sotme.
Megjithatë, sipas tyre, nganjëherë teatrot janë të hendikepuara nga kjo mundësi, qoftë për shkak të mungesë së lidhjes me teatrot e tjera, qoftë për shkak të natyrave të qeverive në shtetet e tyre. Shumë shpesh qeveritë e caktuara kanë tentuar të ndërhyjnë në punën që zhvillohet në teatër dhe kështu është pamundësuar shpërfaqja e realitetit të tjetrit apo ndonjëherë edhe e vetë realitetit të po atij vendi.
Sarah Grochala, e cila jeton dhe punon si dramaturge në Britani të Madhe, ka treguar se si pas daljes nga Bashkimi Evropian, teatri britanik përballet me vështirësi të shumta, të cilat nuk i kishte pasur gjatë kohës kur kishte qenë pjesë e BE-së.
“Unë vij nga Britania e Madhe dhe nuk mund ta anashkaloj faktin dhe ndryshimin e gjendjes në krahasim me atë kur ne ishim pjesë e Bashkimit Evropian dhe tani kur ne e kemi braktisur atë. Kështu, nisur nga kjo, ne në të vërtetë jemi në një gjendje mjaft të rëndë”, ka thënë ajo.
Pas shkëputjes nga Bashkimi Evropian, teatri britanik kishte pësuar shkëputje edhe nga jeta teatrore evropiane. Kjo kishte ndikuar në fundosjen e mëtutjeshme të tij.
“Parë nga këndvështrimi britanik, ne e gjejmë veten në një situatë të vështirë, në kuptimin që dikur kishte një teatër evropian dhe një lëvizje evropiane, festivale evropiane si ky këtu, për të punuar dhe bashkëpunuar me njerëzit e që më pas ndryshoi. Pra, me pak fjalë mund të them se Brexiti veçse e ka ndihmuar rënien e mëtutjeshme të asaj që veçse kishte marrë teposhtëzën”, ka thënë Grochala, veprat e së cilës janë luajtur në disa nga teatrot më të njohura britanike, si në Finborough, Teatrin 503, Hampstead, Teatrin Arcola dhe Teatrin Soho në Londër.
Jakub Skrzywanek prej këtij viti është drejtor artistik i Teatrit Bashkëkohor në Szczecin të Polonisë, ka qenë i zëshëm teksa ka folur për punën e tij kundër Qeverisë së sotme polake, e cila veçse kishte nisur kapërthimin e teatrove shtetërore. Duke e kundërshtuar Qeverinë polake së cilës ai ia dha epitetin “antievropiane”, Skrzywanek në bagazhin e tij ka shfaqje që kanë thyer tabu jo vetëm në tema.
Meqenëse në Poloni martesat e gjinisë së njëjtë janë të ndaluara dhe meqenëse Polonia zë vendin e dytë në Evropë për numrin e vetëvrasjeve të adoleshentëve, të cilët kryesisht i përkasin komuniteti LGBT, Skrzywanek ka realizuar shfaqje të tilla, të cilat u japin mundësi pjesëtarëve të këtij komuniteti që të dalin në skenë dhe ta organizojnë aty ceremoninë martesore. E ka bërë këtë me qëllim të ndërgjegjësimit të publikut polak lidhur me atë se martesat brenda gjinisë së njëjtë nuk janë aspak të dëmshme dhe as kundër traditës katolike polake, siç mëton Qeveria e sotme e atij vendi. Kështu ai tregoi se shfaqje si ajo e javës së kaluar, kur çift i vërtetë lesbikesh organizoi aty ceremoninë martesore, me ç’rast kishte marrë me vete edhe 70 anëtarë nga familja dhe miqtë. Skrzywanek ka goditur edhe nacionalizmin.
“Unë vij nga Polonia, ku tema e luftës është ende relevante, veçmas kur flasim për Luftën e Dytë Botërore. Të gjithë gjyshërit e mi kanë lindur në Poloninë e para Luftës së Dytë Botërore, territor i cili nuk i përket më Polonisë. Unë jetoj në Wrocław, vend i cili para Luftës së Dytë Botërore quhej Bresalu, kështu që për mua, koncepti i nacionalizmit apo kombit është vërtet i palogjikshëm. Jam plotësisht kundër kësaj”, ka shpjeguar ai.
Agata Tomshiq, e cila së bashku me Davide Sacco është drejtoreshë dhe përgjegjëse e të gjitha projekteve dramaturgjike në kompaninë teatrore, “ErosAntEros”, ka thënë se shfaqjet që ata i organizojnë në teatrin e tyre bazohen në tekste origjinale, të cilat në të shumtën e herëve i shkruan vetë ajo.
“Zakonisht krijojmë tekste origjinale që nganjëherë janë shkruar nga unë, nganjëherë në bashkëpunim me autorë të tjerë të vendeve të ndryshme. Unë kam lindur në Slloveni. Jam pjesërisht italiane, pjesërisht sllovene, nga një anë jam kroate, nga një anë cigane me origjinë çeke. Kështu që unë i kam të gjitha këto brenda vetes, por disi bashkëjetesa e tërë këtyre kulturave e bën konfliktin të zhduket dhe e shndërrojnë atë në pasuri”, ka thënë Tomshiq.
Sipas saj, teatri është një vend ku mund të bashkohen të kundërtat dhe ku mund të luftohet e keqja.
“Unë mendoj se në njëfarë mënyre edhe teatri mund të ketë fuqi sepse është një skenë neutrale, ku ne mund ta përdorim imagjinatën për t’i bashkuar edhe të kundërtat që në jetën reale mbase ende nuk mund të kontaktojnë. Do të doja që sa më shpejt që të ishte e mundur të krijojmë mundësi që artistët rusë dhe ata ukrainas të takohen dhe të krijojnë përsëri ura lidhëse”, ka thënë ajo, teksa ka pohuar se gjërat e tilla nuk janë aspak të lehta.
Mischa Twitchin, i cili është ligjërues i teatrit dhe performancës në Universitetin e Londrës, ka thënë se kur hapet tema “Teatri përtej oborrit të shtëpisë sonë” së pari duhet parë se çka ka përtej atij oborri dhe lidhjen me teatrin.
Ndër të tjera ai ka theksuar edhe rëndësinë e shfaqjeve, të cilat lidhen me luftën dhe faktin se ato ndihmojnë në kujtimin e së kaluarës.
“Kur jemi te shfaqja ‘Babai dhe babai’ (me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Kushtrim Koliqit, që hapi ‘Kosovo Theatre Showcase’, v.j.) mund të themi se në përgjithësi në Ballkan referencat për luftën janë të mëdha. Natyrisht kjo nënkupton fundin e viteve ’90, ndërsa në Britani lufta e fundit nënkupton 1945-tën dhe ka kuptimin e diçkaje që po shkon duke u harruar. Dhe kjo pyetje se çka kujtohet ende e çka është harruar, vjen në lojë dhe mund të preket nëpërmjet shfaqjeve teatrore”, ka thënë Twitchin.
Se cili është raporti i teatrit me historinë është tema e panelit të radhës në edicionin e sivjetmë të “Kosovo Theatre Showcase”, në të cilin sot (e premte) do ta referojë Lilach Dekel-Avneri nga Izraeli.