Kulturë

“Takimet e mia me...” si shëtitje në galerinë e personazheve historike

Gazetari dhe autori Blendi Fevziu për “Takimet e mia me...” ka takuar edhe lexuesit në Prishtinë. Ka sjellë librin që e takon publikun me figura shënjuese të historiografisë shqiptare bashkëkohore, shumica të intervistuara prej Fevziut. Por nuk është përmbledhje intervistash.

Përurimi të mërkurën pasdite në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë ka qenë në format diskutimi mes tre panelistësh, i drejtuar nga gazetari Lirim Mehmetaj, i cili në fjalën hyrëse e ka vlerësuar Fevziun si gazetar soji i të cilit është tashmë në zhdukje, që me aktivitetin e tij profesional, për shkak të përvojës dhe jetës së gjatë në media, pati mundësinë të takonte figura prominente të historisë shqiptare.

“Blendin do ta krahasoja me veteranin e gazetarisë amerikane Bob Woodward, edhe ai në Amerikë, njëjtë si Blendi në Shqipëri e Kosovë, sjellin një ridimensionim të gazetarit”, ka thënë Mehmetaj, duke vlerësuar edhe librat paraprakë të autorit me trajtim të personazheve si Ahmet Zogu e Enver Hoxha. Por libri i tij më i ri ka tjetër natyrë.

“Takimet e mia me...” për nga shumëllojshmëria e takimeve dhe interaksioneve që Fevziu ka pasur me figura të ndryshme e takon lexuesin krejt rastësisht me Shën Terezën në avionin për në Romë, e shpie në Afrikën e Jugut me Mbretëreshën Geraldinë, e deri te një takim spontan me Adem Demaçin në një kafene në shëtitoren e Sarandës. Kështu ai ofron një spektër intim e shumë human të këtyre figurave të cilat e përshkruajnë mirë aktivitetin intelektual të Fevziut dhe vetë përmbajtjen plotngjyrëshe të librit.

Shkrimtarja e ligjëruese universitare Nerimane Kamberi e ka vlerësuar këtë libër mes 39 personazheve si një galeri portretesh heteroklite që nuk ndjekin rend alfabetik e kronologjik.

“Autori na shëtit sa në një periudhë e sa në tjetrën, sa në një cep të shqiptarisë e sa në tjetrin, me personazhe që e bënë historinë shqiptare, e me disa që janë historia vetë”, ka thënë Kamberi.

Ne mes të rreshtave pa dyshim, refleksiviteti i autorit është prezent, herë në mënyrë diskrete e herë drejtpërdrejt. Nuk mungojnë admirimi e kritikat, pavarësisht se vërehet kujdesi i admirueshëm karshi ruajtjes së objektivitetit.

Blendi Fevziu me këtë vepër krahas librave të tij pararendës kontribuon në historiografinë shqiptare në mënyrë të veçantë, duke ofruar dritare në personalet e figurave të caktuara, kontribut i cili u vlerësua si i rrallë në raport me bashkëkohësit e tij.

“Zotëri Fevziu ka pasur shumë fat të takojë figura si Jusuf Vrioni, Nëna Terezë, Liri Belishova, Dritëro Agolli e të tjerë. Disa i kam takuar dhe unë, disa nuk jetojnë më, disa mund t’i takojmë ende, disa mbase dhe nuk do të donim t’i takonim, por ky libër i juaji na e zbut merakun”, iu drejtua Kamberi autorit në një moment gjatë promovimit.

Image
Personazhet në libër janë shumë të ndryshme dhe kundërthënëse, rrjedhimisht vështirë të takueshme në një pikë

Libri vjen si rendez vous me politikanë, shkrimtarë, artistë, mbretëresha, princër, demokratë, komunistë, të ndryshëm e unikë por që i bashkon fakti se kanë lënë gjurmë disi në fatin e shqiptarëve.

“Qasja e Blendi Fevziut në libër mund të krahasohet me punën e një skulptori duke pasur kujdes në gdhendjen e çdo detaji me një sens të jashtëzakonshëm vëmendjeje”, ka thënë publicisti dhe politikani Blerim Shala. Ai në këtë libër zbukuron figurat e njohura shqiptare, disa më shumë e disa më pak, me spërkatje të personales përmes detajeve të panjohura më parë.

“Mundohet që të mos e luajë rolin e gjykatësit për veprat e personazheve të trajtuara, mbase ai këtë punë na lë neve si lexues. Ai si një ciceron artistik na udhëzon në një galeri historike ku shfaq krejt çfarë di për ta, dhe duke na thënë që këta janë pjesë e një muzeu të historisë kombëtare me të mirat e të këqijat e tyre”, ka komentuar Shala

Nëpërmjet personazheve në libër ai i mundëson lexuesit një udhëtim gjatë stinëve të ndryshme të tragjedive politike e historike të shqiptarëve, dhe si të tilla, libri takohet në një ide bashkuese, ajo e mosndarjes së fateve personale nga fati i vetë shqiptarisë.

Vetë Fevziu ka folur rreth procesit se si kishte arritur deri te konkretizimi i këtij libri që kishte nisur si ide vite më parë. Identifikon dhe disa problematika, të parën ai e konsideron faktin se ka vetëm katër gra të përfshira në libër.

“Jam munduar shumë të gjeja më shumë gra brenda historisë së raporteve të mia personale, gra me ndikim, me histori interesante, por ngeca. Andaj është një libër deri diku maskilist i cili reflekton një realitet maskilist të shoqërisë shqiptare në përgjithësi”, ka thënë ai, duke shtuar se personazhet në libër janë shumë të ndryshme dhe kundërthënëse, rrjedhimisht vështirë të takueshme në një pikë.

Sipas autorit, në libër nëpërmjet portreteve paraqiten ambicia, thjeshtësia, egoizmi, arroganca e shumë karaktere të tjera njerëzish. Ka veçuar disa, ndër të cilët ai me Liri Belishovën.

“Ajo kishte një natyrë shumë imponuese, nuk kishte mundësi që të dëshironte diçka dhe të mos arrinte ta bënte atë”, ka kujtuar Fevziu, krahas intervistës me Mbretëreshën Xheraldinë në Afrikën e Jugut.

“Në momentin që po ikja, ajo më kapi dorën dhe m’u lut që të vdiste në Shqipëri”, ka kujtuar autori. Qe një dëshirë që iu përmbush.

Fevziu ka komentuar fuqinë e këtyre takimeve, duke u shprehur se ato i kanë lejuar të hulumtojë më thellë historitë e individëve që ka takuar gjatë karrierës së tij. Ka theksuar rolin e lidhjes njerëzore të sinqertë në formimin e kuptimit të tij për çështjet komplekse që trajton nëpërmjet jetëve plot ngjyra të personazheve në libër.