Kulturë

Sukseset e Kosovës në skenën botërore s’i kushtëzon mungesa e kushteve

Guximi e pasioni janë dy të parat në formulën e suksesit dhe regjisorja Blerta Basholli dhe sopranoja e instrumentistja Merigona Qerkezi e kanë dëshmuar këtë. Për ta Universiteti i Prishtinës është urë lidhëse, por teksa kanë përmendur mungesën e kushteve në kohën e tyre si studente në Universitetin e Prishtinës, kanë thënë se ato s’u kanë penguar që t’i tejkalojnë

Ngjarja kulturore “Ura me tri harqe” ka bërë bashkë ish-studentet e studentë të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës. Sukseset e Blerta Bashollit me filmin “Zgjoi” dhe të Marigona Qekezit në fushën e muzikës klasike kanë qenë mesazhe frymëzimi për studentë që të vazhdojnë me pasionin e tyre. Vështirësitë e sfidat janë shpalosur nëpërmjet zbulimit të një pjese të prapaskenave në rrugëtimit e profesionin e tyre. Por për të dyja, kushtet e pamjaftueshme s’e determinojnë rrugën drejt sukseseve. Ka diçka përtej. Guximi e pasioni janë dy të parat në formulën e suksesit.

Në temën “Alumni të shquar” janë takuar regjisorja Basholli e studentët e Regjisë në Fakultetin e Arteve, derisa në formë virtuale u është bashkuar sopranoja e flautistja Marigona Qerkezi. Biseda e moderuar prej profesorit të skenarit në Artet Dramatike, Arian Krasniqi, ka shpalosur rrugëtimin profesional të emrave tashmë me nam në skenën ndërkombëtare të kinematografisë e të muzikës klasike. Ato e kanë konsideruar Fakultetin e Arteve si urë për suksesin e tyre.

Sopranoja Marigona Qerkezi e ka vlerësuar kohën e studimeve si periudhë intensive dhe produktive. Me vlerë të jashtëzakonshme janë për të kujtimet për hapat e parë.

“Kam kujtime shumë të bukura nga periudha e fëmijërisë, mbaj mend performancën e parë, edhe pse ka kaluar shumë kohë. Më shoqëron edhe sot e asaj dite dëshira e pashuar për të qenë para publikut dhe të ndaj artin tim me ta. Në Lubjanë ka qenë kontakti i parë me skenën, kam qenë soprano fëmijë ku kam interpretuar vepra të ndryshme”, ka thënë ajo.

Ka përmendur sa të dashura janë rolet e saj në skenë si flautiste e si soprano. Ka kujtuar kur në skenë ishte në rolin e vokalistes, por që njëkohësisht ishte edhe flauti i parë. E ka quajtur këtë si bashkëdyzim të dashurive të saj.

“Ka qenë diçka e re dhe e veçantë për botën operistike të interpretohet ashtu”, është shprehur ajo. Qerkezi është çdoherë aktive, e në këtë ngjarje ka paralajmëruar një projekt të radhës.

“Për momentin kam përfunduar dy angazhimet e fundit që kam pasur me dy teatro në Itali dhe tani po përgatis një projekt të radhës dhe me shumë kënaqësi dhe me nder u shkëputa nga rrjedha e punës këtu. Një aktivitet mjaft i gjerë viteve të fundit si soprano nga një skenë në tjetrën, por aktivitet ky që ka filluar qysh në vitet kur kam qenë studente, pikërisht në Universitetin e Prishtinës”, është shprehur Qerkezi para të pranishmëve në sallën e filmit në Fakultetin e Arteve. Potenciali i saj në skenë është përfshirë shkurt në një material ku është shpalosur rrugëtimi i saj si soprano nëpërmjet pamjeve e fotografive. Vetë Qerkezi ka treguar se pjesë të saj janë shkëputur prej dokumentarit kushtuar shkrimtarit italian, Dante Alighieri.

Një prej qëllimeve të ngjarjes ka qenë t’u tregohet studentëve që është e mundur të depërtojnë edhe duke studiuar e vepruar në Kosovë.

“Fillimi jo çdoherë është i lehtë, mund ta ndiej këtë thënie pasi çdo moment i ka ato vështirësitë e tij, është diçka e re për çdokënd, ashtu ka qenë edhe për mua pa dallim, pavarësisht se kam pasur performanca si fëmijë. Kur ka ardhur momenti për debutimin tim në operë, ka qenë me të vërtetë një emocion shumë i veçantë. Pavarësisht se kemi një ‘mini-dyshim’ në një moment apo tjetrin, unë gjithmonë them mos hezitoni, hapni një derë”, është shprehur Qerkezi.

Regjisorja e ligjëruesja në Fakultetin e Arteve, Blerta Basholli, ka shpalosur rrëfimin për prapaskenat e filmit “Zgjoi”, me të cilin shpërtheu në festivalet më të njohura botërore. Triumfi i trefishtë më 2021 në “Sundence Film Festival” është njëri episod.

Kishte qenë në vitin e fundit të studimeve në New York University, ku shkoi pas studimeve në UP, ku studimet themelore i ka kryer për psikologji dhe regji, kur i ishte dashur të shkruante një skenar të gjatë për film. Ka treguar se kishte zgjedhur të shkruante për kohën e komunizmit, por se nuk po i ecte kurrsesi. Rrëfimin e Fahrije Hotit e kishte dëgjuar në media dhe e kishte parë si temë interesante për ta bërë film një pjesë të jetës së saj.

“Jemi kthyer në Kosovë për vizitë dhe më nuk kemi shkuar hiç. Kemi shkuar menjëherë ta takojmë zonjën Fahrije dhe të flasim me të. Kur e kam takuar në person ka qenë edhe ndjenjë më ndryshe për ta takuar edhe karakterin”, ka thënë Basholli.

Derisa ka folur për idenë e filmit, ka treguar se kishte dashur të fuste pak momente gazmore në të, por se krejt kishte ndryshuar kur kishte takuar në realitet personazhin e rrëfimit e të filmit.

“Për shkak të shijes sime, kam dashur ta kem një qasje pak më satirike ndaj krejt atij serioziteti, por kur ia kam parë vuajtjet nëpër të cilat ka kaluar, sfidat që i ka pasur, kur ia pashë karakterin, pashë se nuk ka vend në këtë film të merrem me qasje satirike ndaj këtij tregimi. Ka momente të pakta që të bëjnë të qeshësh, por në përgjithësi është dramë reale dhe vërtet si karakter është dashur të merrej qasja e duhur”, është shprehur Blerta Basholli, e cila me “Zgjoi” debutoi në film të gjatë. E kishte perceptuar frikën në realizimin e filmave si të përkohshme, por se studentët i ka paralajmëruar se kjo ndjenjë do t’i përcjellë në çdo projekt. Kjo, sipas saj, është e bukura e kësaj pune. Përgjegjësinë e ka vlerësuar edhe më të madhe në rastin e “Zgjoit” kur filmin e kishte bazuar në ngjarje të vërtetë për faktin se si është duke u trajtuar jeta e tjetrit.

“Për mua, zonja Fahrije ka qenë shumë e përshtatshme dhe menjëherë e kam bërë marrëveshjen që ma jep të drejtën për ta bazuar filmin tim në jetën e saj dhe se unë e kam lirinë artistike për të shtuar apo hequr gjëra që nuk i shërbejnë stories dhe rrëfimit. Por prapë është përgjegjësia, frika ka qenë çdo sekondë derisa e ka parë ajo filmin”, është shprehur Basholli, teksa ka ndarë rrëfimin për fillimet e projektit filmik.

Sfidat i ka konsideruar madhore në përvetësimin e njohurive për regji në institucionin ku po studionte.

“Në kohën kur kemi studiuar ne ka qenë më keq. Po flas për shumë arsye, kemi pasur profesorë të mirë dhe jo të mirë, por kushtet kanë qenë mizërie. Nuk kemi pasur asnjë kamerë më të thjeshtë, telefonat nuk kanë ekzistuar. Është dashur gjithmonë të shkojmë te një produksion, t’i lusim a munden të na japin pajisjet sepse ndryshe nuk kemi pasur çfarë të bëjmë, as kompjuterë nuk kemi pasur, edhe montazhin është dashur ta kryejmë tjetërkund”, ka treguar Basholli.

Biseda me temë “Alumni të shquar” ka qenë veç një prej aktiviteteve që kanë shënuar ditën e fundit të manifestimit “Ura me tri harqe”, ngjarje e përbashkët mes Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe dy institucioneve homologe në Tiranë e Tetovë. Gjatë ditës është dhënë shfaqja “Gishti” e Doruntina Bashës, derisa aktivitetet janë mbyllur për sivjet me koncert me muzikë klasike me studentë të tri institucioneve të arsimit të lartë.

Përgjatë dy ditëve, në kuadër të “Ura me tri harqe” janë dhënë shfaqje, performanca e ekspozita, duke përfshirë aktivitete me vlerë artistike përgjatë vitit akademik 2022/23. Gjithashtu janë shfaqur projekte filmike si filma të metrazhit të shkurtër, dokumentarë e shfaqje teatrale. Aktiviteti është ngjarje lëvizëse mes tri qyteteve që këtë vit pati edicionin e 13-të në Prishtinë më 25 dhe 26 maj.