Prishtinë, 19 nëntor – Gjergj Fishta në parathënien e “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, të botuar nga Botimet Françeskane, krejt në fillim flet për folklorin. Midis tjerash, thotë se folklori është rrasa e mermertë në të cilën zgavron ecja e një populli.
Në këtë frymë folklorin e koncepton edhe koreografi Xhemajli Berisha, por me një gjuhë shkencore e me të dhëna të një profesionisti. Sipas Berishës, tradita në sytë e antropologëve të kulturës është boshti kryesor i një populli. Këto shpjegime ai i bën para se të nisë të flasë për koreografinë e re në ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” në Prishtinë. Ka më shumë se një muaj që është duke punuar për premierën “Suitë hasjane”. Kësaj radhe i është rrekur zonës së Hasit për të kombinuar elemente të kësaj treve që do të dalin në skenë në ditën e 27-të të këtij muaji. Për ata që e njohin, Berisha është profesionist i nivelit të lartë e detajist i llojit të vet. Për të kombinuar elementet hasjane të valles, bashkë me menaxhmentin e “Shotës”, fillimisht kanë shkuar në fshatin Gjonaj. Atje ishin pritur nga ansambli “Malësori”, anëtarët e të cilit kishin demonstruar valle të zonës.
“Na kanë pritur duke bërë një demonstrim të valleve të Hasit e të kostumeve. Kostumi i Hasit është ndër kostumet më të bukura jo vetëm në Ballkan e Evropë”, ka thënë Berisha, i cili jeton në Gjenevë të Zvicrës. I kishte bërë përshtypje një lëvizje e dorës që, sipas tij, ka mundësi të lidhet edhe me lëvizjen e kokës së gjarprit. Të pranishmit nuk ia kishin shpjeguar me ndonjë emër të veçantë. Por e kishin përshkruar atë me onomatopenë “fzht”.
“Këtë valle e filloj me këtë misticizëm. Lëvizin duart sikurse koka e gjarprit. Këtë e kam bërë me ndihmën shumë të madhe të Ylber Asllanajt, sa i përket pjesës muzikore”, ka thënë ai për intron e “Suitës hasjane”, që nëse përkthehet në shqip i bie “Vazhdimësi hasjane”.
Ylber Asllanaj, që është drejtor artistik i “Shotës”, ka punuar edhe muzikën e premierës.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)