“Dokumentari zbulues dhe plot nuancë i regjisores Elena Avdija hedh dritë mbi performueset akrobatike të guximshme që përballen me beteja fizike dhe emocionale brenda dhe jashtë ekranit”, është përshkrimi që “The Guardian” ia bën “Suntwomen” i cili prej 8 marsit nis të transmetohet në platformën kushtuar artit të rrëfimit dokumentar “True Story”
Duke udhëtuar drejt shesheve të xhirimeve në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dokumentari zbulues i regjisores shqiptare, Elena Avdija, ekranizon përvojat e tri grave, Virginie Arnaud, Petra Spercher dhe Estelle Piget, aktore akrobatike të cilat janë në faza të ndryshme të karrierës. Siç e paralajmëron prestigjiozja britanike “The Guardian”, me një guxim të jashtëzakonshëm dhe të përkushtuara ndaj zanatit të tyre, ato përballen me beteja të panumërta, si në ekran ashtu edhe jashtë tij. Ato në të vërtetë janë kalorëse të fuqishme në një industri që vazhdon të jetë e dominuar nga burrat.
“Kërkesat fizike të punës së një aktori akrobatik, ku përfshihet gjithçka, nga shtyrja në shkallë e deri te kërcimi prej një ndërtese, janë kolosale. Ende duke ndjekur kurse trajnimi, Estelle duhet të praktikojë të goditet nga një makinë. Petra, një veterane në këtë fushë, i ka zhvilluar aftësitë e saj në filma klasikë si, ‘Minority Report’, por dëmtimet që i ka pësuar nga projektet e kaluara gjithashtu kanë shkaktuar një dëm të pakthyeshëm në trupin e saj, deri në pikën ku mund të nevojitet operimi për rivendosje të plotë të ijëve. Për arsye të ngjashme edhe Virginie, e cila është më e vjetër në moshë, tani preferon të punojë si koordinatore e skenave me aktorë akrobatikë, një transicion i vështirë për të, pasi në industrinë e filmit këto pozita kryesisht janë të zëna nga burrat”, është përshkrimi që ia bën “The Guardian” në një shkrim të botuar të hënën. Duke e zbardhur storien e rrëfimit, shkruhet se përveç lëndimeve, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj rrezikut fizik ka edhe ndikim psikologjik te këto gra. Por, pavarësisht të gjitha këtyre, personazhet në dokumentarin e regjisores nga Kosova kanë marrë guximin të flasin për sfidat që i hasin në profesionin të cilin shoqëria e kategorizon se është për meshkuj.
Përveç nxjerrjes në pah të mungesës së mundësive me të cilat ballafaqohen aktoret akrobatike, filmi i Elena Avdijajt përshkruhet si vepër që flet edhe për çështje më të mëdha që kanë të bëjnë me përfaqësimin e grave në film dhe televizion. Me pak role aksioni të shkruara për gratë, aktoret akrobatike mund të performojnë kryesisht si viktima të cilat rrihen në film, ndërsa homologët e tyre meshkuj kanë më shumë mundësi për të luajtur role aktive. Si aktore akrobatike profesioniste, ato vetëm duan të argëtohen me punën që bëjnë, sigurisht nëse industria do t’ua lejonte një gjë të tillë.
Nga 8 marsi, “Stutnwomen” fillon transmetimin në platformën kushtuar artit të rrëfimit dokumentar “True Story”.
Filmi ishte shfaqur premierë në Kosovë vitin e kaluar, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.
“Kam qenë shumë kureshtare ta kuptoj se si bëhen filmat dhe si krijohet magjia e filmave. Jam e interesuar edhe për problemet gjinore dhe po ashtu profesionin e ‘stunt’ që cilësohet si profesion mashkullor dhe për këtë jam interesuar dhe kam shkuar të bisedoj me personazhet në filmin tim dhe se çfarë pyetjeje mund të gjejmë bashkë me to”, kishte deklaruar regjisorja në një intervistë për KOHËN.
E lindur në vitin 1987, Elena Avdija u diplomua për sociologji në Shkollën e Studimeve të Avancuara në Shkenca Sociale në Paris. Ka punuar për disa vjet si asistente regjisore në dokumentarë, veçanërisht për Point du Jour në Paris, ku zhvilloi skenarë për seritë e dokumentarëve historikë. Ajo gjithashtu drejtoi dy dokumentarë të shkurtër të punuar vetë. Në kthimin e saj në Zvicër, ajo filloi të punonte si asistente regjisore edhe në filma artistikë. Siç do të tregonte në një intervistë në gushtin e kaluar, kur ishte fëmijë, bashkë me familjen e saj do të merrnin rrugën e mërgimit në kërkim të një jete më të mirë. Përjetimet e saj dhe jetën në mërgim ajo i ka paraqitur në projektin e saj të parë dokumentar “A më mirë këtu apo atje?”, që do të shfaqej në “DokuFest” para një dekade, e ku do të rikthehej vjet me “Stuntwomen”, me të cilin ka fituar çmimin “Syri i Artë” në Festivalin e Filmit në Zürich. Njihet edhe për filmat ku ka punuar si asistente e regjisores, ndër ta “Chroma”, e “Those Who Work”. Më solli 2020, “My Little Sister”, që portretizon Lisan e cila u ka thënë lamtumirë ambicieve të saj si dramaturge dhe skenës së artit të Berlinit dhe tani jeton në Zvicër me burrin e saj, i cili drejton një shkollë ndërkombëtare.
VIDEO-TRAILER:
Cituar nga “The Guardian”. Përgatiti: Edona Binaku