Kulturë

“Studimet për shqiptarët në Francë” – rinjohje e dritare e re

Se kur ndodhi njohja e parë e shqiptarëve nga bota franceze, se si u rikthye interesimi për shqiptarët me dramën e Kosovës, se si lexohet letërsia shqipe në frëngjisht, janë vetëm disa prej temave që rrek konferenca ndërkombëtare shkencore, “Studimet për shqiptarët në Francë”, që ka nisur të premten. Sjell këndvështrime të ndryshme e hulumtime të reja mbi këtë temë, tek veçon edhe kontributin e emrave të shquar francezë

Rreth 40 studiues vendorë e të huaj janë bërë tok për të sjellë atë që synohet të jetë një pasqyrë sadopak e plotë për studimet shqiptare në botën frankofone dhe me këtë, sipas organizatorëve, t’u jepet një shtysë zhvillimeve të mëtejme dhe përdegëzimit të këtyre kontakteve në të gjitha rrafshet e veprimtarisë kulturore-intelektuale.

Konferenca shkencore ndërkombëtare “Studimet për shqiptarët në Francë”, që ka nisur të premten në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sjell këndvështrime të ndryshme e hulumtime të reja mbi këtë temë, tek veçon edhe kontributin e emrave të shquar francezë që iu rrekën studimit të gjuhës, letërsisë a të kulturës shqiptare në përgjithësi. Mbi të gjitha, konferenca dyditore – organizuar nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe Seksioni i Shkencave Shoqërore në ASHAK – pos si rinjohje e zbulim të kontributit të tyre, hap shtigje për studime a bashkëpunime të reja.

Konferencën e ka hapur zyrtarisht akademik Rexhep Ismajli, njëherësh kryetar i Këshillit Organizues, i cili ndër të tjera ka thënë se interesimi për të marrë pjesë në këtë konferencë ka qenë dukshëm i madh, por rrethanat e lidhura me pandeminë kanë bërë që një pjesë të mos të kishte mundësinë të vinte.

“Dua të njoftoj të gjithë që në fillim se aktet e Konferencës do të botohen në vëllim të veçantë, ashtu siç është bërë traditë tashmë. Meqenëse në konferencë mund të ketë pyetje dhe diskutime është parashikuar që kumtuesve t’u jepet kohë deri në dhjetor të këtij viti për t’i dorëzuar versionet përfundimtare”, ka thënë akademik Ismajli.

Konferenca vjen në vazhdimësi të tri aktiviteteve të mëhershme: "Studimet albanistike në Amerikë", që u mbajt në vitin 2015, "Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht", e realizuar gjatë 2017-s dhe "Studimet albanistike në Itali", e mbajtur në tetor, 2019.

Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në fjalën e hapjes, ndër të tjera, ka thënë se, pos peshës shkencore, ka edhe një tjetër anë.

“Gjatë këtyre dy vjetëve të fundit, siç e dimë të gjithë tashmë, për shkak të pandemisë kemi kaluar një periudhë të vështirë, me një mundësi të vogël të mbajtjes gjallë të aktiviteteve shkencore dhe të procesit të komunikimit ndërmjet qendrave të ndryshme të studimit dhe të kontakteve mes studiuesve, të cilat janë aq të nevojshme për një produktivitet më të lartë dhe më të mirë të punës shkencore. Shpresojmë se fazën e vështirë tashmë e kemi lënë mbrapa dhe shpresoj që kjo konferencë shkencore të shërbejë si një kthim në rrjedha normale të institucionit tonë dhe të punës studimore në përgjithësi”, ka thënë akademik Kraja.

Rezultat i katër konferencave të kësaj natyre janë rreth 200 kumtesa dhe referate të lexuara, të cilat përmblidhen në 4 libra, ku 3 prej tyre vetëm se janë botuar dhe libri i katërt pritet të botohet pas përfundimit të kësaj konference. Librat përfshijnë më shumë se 2,500 faqe, e që vlerësohen si një punë e shkëlqyer e Akademisë së Shkencave të Arteve të Kosovës. Akademik Kraja ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të ASHAK-ut, për Këshillin Organizues i cili ka “bërë një punë të shkëlqyeshme për mbarëvajtjen e punës dhe Konferencës”.

I pranishëm në hapjen e punimeve të Konferencës ka qenë edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, i cili ka thënë se tashmë u bë traditë që ASHAK-u të organizojë konferenca albanologjike “duke iu referuar kufirit të gjuhës ose një areali të përafërt, si një mundësi jo vetëm për të evokuar, vlerësuar dhe shqyrtuar në mënyrë kritike arritjet e dijetarëve albanologë, shpeshherë të shfaqur edhe si qendra e shkolla mendimi e metode, por edhe për të verifikuar nivelet e disnivelet që rezultojnë brenda për brenda tyre dhe midis tyre e kërkimeve tona vendëse”.

Sa u takon studimeve për shqiptarët në Francë, akademik Gjinushi ka theksuar dy çështje. “E para ka të bëjë me hershmërinë dhe shumanshmërinë e interesimeve frënge për botën shqiptare, duke filluar prej Lavardinit, përkthyesit apo, nëse doni përshtatësit të Historisë së Skënderbeut në gjuhën frënge deri te shekulli i romantizmit, shoqëruar e vijuar me veprat me karakter etnologjik e historiografik; te shekulli i 20-të, gjatë të cilit mund të flitet për krijimin e një shkolle franceze të studimeve shqiptare, me figura të tilla si Alain Ducellier e Christian Gut, me gjuhëtarët e kadareologët, që tashmë janë një skuadër e vërtetë”, ka thënë ai. Për konferenca si këto, akademik Gjinushi ka thënë se janë një rast për të kuptuar se ç’po ndodh me albanologjinë sot, ku po përforcohet e ku po dobësohet. “Ku mundet që qeveritë e vendeve tona të inkurajojnë interesin për shqipen, për qytetërimin shqiptar, për lashtësinë e popullit; gjithashtu dhe ku e kë duhet të nderojmë për kushtimin jetësor ndaj botës sonë jo aq fitimprurëse në veprimtarinë universitare dhe akademike në pikëpamjen e përfitimit financiar”, ka thënë akademik Gjinushi teksa ka veçuar rëndësinë e shkollës franceze për formimin e dijetarëve shqiptarë dhe për pajisjen e tyre me një metodë të shëndetshme kërkimore. “Këtu kemi akademikët Rexhep Ismajli e Bahri Beci, që janë produkt i asaj shkolle, në të cilën u formuan edhe Selman Riza e Ibrahim Rugova, për të mbetur vetëm te brezat e parë”, ka thënë ai.

Ka qenë akademik Muhamemdin Kullashi, i cili i pari ka nisur shpalosjen e studimit konkret në “Studimet për shqiptarët në Francë”. E ka kthyer çështjen e interesimit të intelektualëve të botës franceze për shqiptarët, në kohë të errëta për ta. Në kumtesën “Shqiptarët e Kosovës brenda mynxyrës në studimet e autorëve francezë”, ka folur rreth zbulimit të çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve, të pranisë së tyre për një pjesë të opinionit në Francë, nëpërmjet ballafaqimit me ngjarje dramatike në përfundim të viteve ‘90 kur nisën spastrimet etnike të institucioneve te Kosovës dhe territorit të saj, duke mos harruar edhe masakrat masive dhe deportimin e shqiptarëve në vendet fqinje. U paraqitën analiza të këtyre ngjarjeve në dy shkrime të ndryshme: I pari i dy autorëve të shquar francezë Olivier Mongin dhe Antoine Grapapon në librin “Kosova dramë e paralajmëruar” dhe shkrimi i dytë nga Alain Brossat dhe Jean-Yves Potel në librin “Në Pasqyrën e Luftës”.

“Është fjala për analiza të thella që nxjerrin në shesh peshën dhe kompleksitetin e ngjarjeve, kryesisht atyre të viteve ‘90 dhe domethënien e tyre për shoqërinë franceze dhe Evropën”, ka thënë akademik Kullashi. Ka kujtuar se Olivier Mongin ishte drejtor i revistës prestigjioze “Espree”, ku gjatë 15 vjetëve u realizuan analiza dhe debate të ndryshme rreth ngjarjeve në Kosovë. Antoine Grapapon, si përfaqësues i Federatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Paris, në vitet ’80, në Prishtinë mori pjesë në gjykimet e shqiptarëve për shkak të angazhimeve të tyre politike, në veçanti për kërkesën “Kosova Republikë”, e cila “akoma konsiderohet si diçka provokuese dhe nuk pranohet nga shumë shtete”.

Sebastian Gricourt në kumtesën e tij ka folur rreth historisë së vjetër dhe reflektimeve mbi luftën dhe përcaktimin se çka është një luftë e drejtë. Kjo, sipas tij, ka qenë gjithmonë në thelb të mendimit të së majtës në Francë, pra socialistëve. U diskutua edhe rreth Jaun Jaures, i cili ishte një udhëheqës socialist gjatë viteve 1900, i cili u vra më 31 korrik 1914 në Paris nga një ekstremist i së djathtës. Arsyeja e vrasjes së tij ishte se Jaurès duhej të merrte pjesë në një konferencë ndërkombëtare më 9 gusht, në një përpjekje për të bindur palët ndërluftuese që të mos vazhdonin me luftën, pra Luftën e Parë Botërore.

“Jaures refuzonte luftën kur ajo kishte për qëllim pushtimin dhe nënshtrimin e popujve, prandaj ishte edhe kundër kolonizimit francez dhe pranonte luftën vetëm kur ishte e drejtuar nga regjimet demokratike edhe kur lufta bëhej si mjet i vetëm dhe i fundit për të luftuar kundër terrorit të ushtruar nga regjimet ushtarake”, ka thënë Gricourt

Jean-Paul Champseix, profesor i letërsisë krahasuese, specialist i letërsisë ballkanike dhe në veçanti i veprave të Ismail Kadaresë ka folur për punën e tij si recensent i botimeve të shkrimtarit shqiptar dhe vështirësitë që kishte për t’ia paraqitur lexuesit francez veprën e Kadaresë, duke marrë parasysh se ata dinin shumë pak për Shqipërinë dhe realizmin socialist. Sipas Champseix, që edhe me një libër mbron tezën se Ismail Kadare ka qenë disident letrar, ka nënvizuar se në Francë gjithmonë ka pasur polemika rreth tolerancës që kishte Enver Hoxha ndaj Kadaresë.

“Një debat politik dhe moral ka qëndruar mbi kualitetin letrar të Kadaresë, por edhe i ka kushtuar çmimin ‘Nobel’”, ka thënë ai.

Se si u zbulua letërsia shqipe në Francë, me theks të veçantë ajo e Kosovës, ka qenë tema që ka sjellë akademik Sabri Hamiti. Në kumtesën e tij, ka shqyrtuar raportin e autorëve të Kosovës në lidhje me letërsinë dhe kulturën frënge në fund të shekullit të 20-të. Sipas tij, Prishtina u bë qendër e kulturës dhe letërsisë shqipe gjatë viteve ‘70, më saktësisht pas hapjes së Universitetit të Prishtinës. Shkrimtarët shqiptarë të dy brezave, ku të gjithë ishin studentë të gjuhës dhe letërsisë në qytetin e Prishtinës, sipas akademik Hamitit filluan një frymë moderniteti të kësaj letërsie për ta çuar atë deri në një nivel kurorëzimi që paraqet edhe hapjen ndaj letërsive moderne evropiane.

“Në këtë hapje pati një dominancë të lidhjeve me kulturën dhe letërsinë frënge. Disa vijuan studimet në Paris, ndërsa të tjerë i hynë përkthimit të letërsisë frënge në shqip për të promovuar rryma letrare dhe mendime të kohës. Kjo prodhoi lidhje më të forta që prekin edhe vetë procesin e krijimtarisë letrare te ne. Në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, kur çështja e Kosovës u bë çështje evropiane madje botërore, që kërkon zgjidhjen në pajtim me vullnetin e popullit shqiptar, përnjëherë letërsia u kërkua si domeni më i plotë për të bërë të njohur botërisht rrënjët e dramës së Kosovës që rrezikonte të bëhej tragjedi”, ka thënë akademik Hamiti. Kësisoj, shkrimtarët dhe intelektualët e Prishtinës “u bënë protagonistë të çështjes së Kosovës dhe letërsia e tyre dëshmi për ndodhitë e tashme dhe të përparme, dhe lidhjet kulturore tani dolën në pah si lidhje humane”.

“Në Francë pati një interesim të përkthimit të veprave letrare të autorëve protagonistë të Kosovës, si: Rexhep Qosja, Anton Pashku, Ali Podrimja, Teki Dervishi, Ibrahim Rugova, Rexhep Ismajli, Eqrem Basha etj. Këtu filloi zbulimi i letërsisë shqipe të autorëve të Kosovës”, ka thënë akademik Hamiti.

Akademik Hivzi Islami ka referuar në temën e “Michel Roux për Kosovën dhe shqiptarët”. Roux ishte profesor i gjeografisë në Universitetin e Toulouse-Le Mirail dhe ka qenë specialist i shqiptarëve të Ballkanit. Akademik Islami ka risjellë në vëmendje se ai po ashtu është autor i doktoratës me titull “Shqiptarët në Jugosllavi”, e botuar në vitin 1992 nga shtëpia e njohur botuese “Éditions de la Maison des sciences de l'homme”. Roux njihet si një nga specialistët më të njohur francezë të Ballkanit, veçanërisht për Kosovën dhe shqiptarët në trevat e ish-Jugosllavisë. Ndërsa ai botoi edhe një libër të dytë në vitin 1999 rreth Kosovës me titull “Kosova, dhjetë çelësa për ta kuptuar”. Përveç librave të botuar, Roux publikoi edhe shumë shkrime të tjera, si artikuj dhe studime shkencore për mediat e Francës dhe jashtë saj për Kosovën dhe shqiptarët.

Në ditën e parë të Konferencës referuan edhe Bahri Beci në temën “Rene Gsell në modernizimin e studimeve për fonetikën e shqipes”, Nerimane Kamberi në temën “Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në syrin e Pierre dhe Bruno Cabanes” e të tjera.

“Studimet për shqiptarët në Francë” do të vazhdojë punimet edhe sot.