“Aplikoni në programin Gjuhë shqipe ose në programin Letërsi shqipe të Fakultetit të Filologjisë dhe përfitoni bursën studentore në vlerë prej 1000 (njëmijë) eurosh nga MASHTI”, ishte thirrja për t’u regjistruar në këto dy programe e së cilës iu përgjigjën hiç më pak se nga 60 veta në secilin drejtim. Por sapo i morën bursat, në Gjuhë shqipe s’i vazhduan studimet gati gjysma e në Letërsi prej 60 të regjistruarve, nja pesë a gjashtë veta. Sapo nisi viti akademik, 113 mijë euro u shpërndanë për bursa e profesorët e këtyre programeve kanë thënë se kjo mënyrë ka prodhuar edhe kundërefekt.
Mbi 100 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit bursat që u janë dhënë atyre që kanë regjistruar studimet në programet Gjuhë shqipe dhe Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës, një nismë e aplikuar për herë të parë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në vitin akademik 2024/25, e proklamuar si një mënyrë për të nxitur rritjen e interesimit për këto dy programe që përballen me rënie të interesimit.
Por rezultati është ky: Në Gjuhë i vazhdojnë studimet rreth gjysma prej 54 të pranuarve në këtë program. Në Letërsi situata është edhe më keq. Prej 60 të regjistruarve, nja 6 i kanë vazhduar studimet. Për profesorë të këtyre programeve, bursat kanë prodhuar edhe kundërefekt.
Bursat prej një mijë eurosh për studentët e Gjuhës dhe të Letërsisë u përmendën për herë të parë në shkurtin e vjetëm, kur MASHTI dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruan memorandum bashkëpunimi. Kryesisht parashihej mbështetje financiare për botime në fushën e albanologjisë, si dhe përkrahjen e seminaristëve që ndjekin Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Aty parashiheshin edhe bursat nga një mijë euro për studentët e programeve Gjuhë dhe Letërsi shqipe për vitin e parë në nivelin bachelor dhe në atë master. Në korrik, bursa u përdor edhe si thirrje.
“Aplikoni në programin Gjuhë shqipe ose në programin Letërsi shqipe të Fakultetit të Filologjisë dhe përfitoni bursën studentore në vlerë prej 1000 (një mijë) eurosh nga MASHTI”, ishte ftesa për t’u regjistruar, e afishuar në korrikun e vitit të kaluar në ueb-faqen e Universitetit të Prishtinës.
Me konkursin e parë për vitin akademik 2024/2025 u pranuan 48 studentë në Gjuhë e 50 në Letërsi. Në konkursin plotësues, në gusht të vitit të kaluar, 12 në Gjuhë e 10 në Letërsi. Në shtator, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nëpërmjet rrjetit sociale njoftoi se ka “nënshkruar vendimin për ekzekutimin e mjeteve për 113 studentët e regjistruar në vitin e parë në programet Ba në: Gjuhë shqipe dhe Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë, në UP, për vitin akademik 2024/2025”.
“Të gjithë këta studentë do të përfitojnë nga 1 mijë euro bursë për çdo vit akademik. Kjo në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit që kemi nënshkruar në shkurt të këtij viti (2024 v.j.) me Universitetin e Prishtinës. Përmes kësaj marrëveshjeje, MAShTI për herë të parë do të ofrojë bursa vjetore për studentët që regjistrohen në programet bachelor dhe master në degët: Gjuhë shqipe dhe Letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë të UP-së. Synimi ynë është promovimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i shkencave të albanistikës, me vëmendje të veçantë programet e Gjuhës shqipe dhe të Letërsisë shqipe brenda Fakultetit të Filologjisë”, kishte shkruar Nagavci në njoftimin e përmbyllur me urimin për “suksese e vit të mbarë akademik!”
Por shumica e të regjistruarve, pasi kanë marrë bursat, s’i kanë pritur “sukseset”.
Më shumë studentë kur nuk janë dhënë bursa
“Janë pranuar 54 studentë, ndërsa mësimet i vijojnë pak më shumë se gjysma”, ka thënë akademik Bardh Rugova, shef i Departamentit të Gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë. Ka komentuar edhe nismën e bursave.
“Mendoj se mënyra se si është organizuar i tërë procesi ka krijuar efekt negativ. Më shumë kemi pasur studentë kur nuk janë dhënë bursa”, ka thënë ai.
Në Letërsi, situata është edhe më keq. Numri i studentëve në master vazhdon me ritmin e njëjtë, por ai i studimeve themelore akademike ka rënie drastike, me 5 e 6 studentë në vit të parë.
“Problemet i kemi këta dy-tre vjetët e fundit dhe kryesisht me nivelin bachelor. Niveli master grumbullohet dhe çdo vit paraqiten më shumë se 20 a 25 kandidatë, sepse aq i marrim në studime. Fatkeqësisht në bachelor as gjysmën e këtij numri nuk e kemi”, ka thënë profesori Osman Gashi, shef i Departamentit të Letërsisë shqipe, në Fakultetin e Filologjisë në UP.
Sipas tij, bursat kanë qenë nxitëse, por nuk kanë dhënë efekt.
“Vitin e kaluar, me këtë marrëveshje menduam se po thyhet kjo rënie, por gjithçka ishte fiktive. Studentët konkurruan, iu nënshtruan testeve, u përzgjodhën dhe në momentin që i morën bursat, shumica absolute e kandidatëve nuk u kthyen në bankat e universitetit. Bursat kanë qenë nxitëse, kanë marrë edhe studentët e regjistruar në master. Ata vijnë rregullisht, por ata janë regjistruar duke qenë se kanë mbaruar studimet themelore në departament dhe ky është rasti i parë për ta”, ka thënë Gashi.
Shpërblimi me para “për njerëz që s’e dinë çka është letërsia”
Profesori Ag Apolloni ka thënë se nga gjithsej 60 studentë, studimet i ndjekin vetëm gjashtë prej tyre. E ka quajtur dështim strategjinë e Ministrisë së Arsimit për tërheqjen e studentëve në Gjuhë dhe Letërsi.
“Të joshur nga oferta e Ministrisë së Arsimit për dhënien e bursave të gjithë atyre që do të regjistrohen në Departamentin e Letërsisë Shqipe, ky vit akademik ka filluar me 60 studentë të regjistruar, ndërsa realisht studimet i ndjekin vetëm gjashtë. Kjo domethënë që plani i Ministrisë, pa u konsultuar me departamentin tonë, ka qenë një dështim katastrofal”, është shprehur ai, duke bërë të ditur se numri i studentëve prezentë në ligjërata bie edhe nën gjashtë.
“Thashë që vijnë gjashtë studentë, po kjo vetëm në rastet e rralla, sepse shifra ka rënë edhe më poshtë. Duhet plan serioz për ta mbajtur në këmbë departamentin, nga i cili kanë dalë figurat më të mëdha intelektuale në historinë e Kosovës (Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti etj.), ka thënë Apolloni në një përgjigje me shkrim.
Sipas tij, Ministria e ka turpëruar departamentin dhe ka dëmtuar buxhetin.
“Jo vetëm që është dëmtuar buxheti i shtetit për 60 mijë euro, por, çka është e pafalshme, janë shpërblyer me nga një mijë euro njerëz që s’e dinë çka është letërsia dhe që, siç po shihet, s’e kanë pasur në plan të studiojnë letërsi. Pra, Ministria ka shpërndarë ‘vitra’ për nevojtarë. Kështu, e ka turpëruar departamentin, mashtruar veten dhe dëmtuar buxhetin. Kriza në albanologji nuk zgjidhet veç me para, por, në radhë të parë, me ide dhe strategji”, ka thënë ai.
Konsultime për ndërrim strategjie
Me qëllim të kthimit të vëmendjes te Gjuha e Letërsia shqipe, profesori Osman Gashi ka thënë se i kanë promovuar këto programe nëpër shkollat e vendit e në rrjete sociale.
“Kjo është rënie drastike e numrit të studentëve. Bashkë me studentët aktualë jemi munduar të lobojmë në rrjete sociale, nëpër shkollat e Kosovës t’u themi se studimi i gjuhës dhe Letërsisë shqipe është pasuri, aset, thesar kombëtar dhe se gjithmonë do t’i duhet popullit të Kosovës një specialist i gjuhës dhe i Letërsisë shqipe. Por nuk po funksionon”, ka thënë ai.
Se për këto dy drejtime është lobuar, e ka përmendur edhe dekani i Fakultetit të Filologjisë, Abdulla Rexhepi. Ka thënë se tash janë në konsultime për ta ndryshuar mënyrën e ndarjes së bursave e për vendosje kriteresh.
“Jemi duke e diskutuar mënyrën e dhënies së bursave, sepse kjo mënyrë ngjalli një interesim të madh, u plotësua numri në dy departamentet. I morën bursat dhe një numër i madh i tyre nuk i kanë ndjekur studimet. Kemi vendosur që ta shtrojmë një kërkesë Ministrisë së Arsimit që të definohet dhënia e bursave, të shkohet ose me 60 për qind të provimeve të dhëna, ose një semestër të ketë mbaruar e pastaj ta marrin bursën, ose të gjenden rrugë të tjera që të mos mendojë dikush që vjen e merr bursën dhe nuk vazhdon studimet”, ka thënë ai.
Një tjetër formulë për sigurimin e bursës, sipas tij, do të ishte matja e aktivitetit të studentëve me kalueshmërinë e provimeve.
“Tash e tutje ata do të regjistrohen, do të kalojnë gjysmën e provimeve e pastaj ta marrin gjysmën e bursës, pastaj ta kryejnë pjesën tjetër të provimeve dhe ta marrin gjysmën tjetër të bursës. Mund të jetë edhe një formulë e tillë”, ka thënë dekani Rexhepi.
Gati dy javë më parë, të premten e kaluar, KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Arsimit, por nuk ka marrë përgjigje deri më tani.
Zhvlerësimi i shqipes dhe i studimeve shqiptare
Sipas profesorit Ag Apolloni, letërsia kërkon “diskutim, angazhim në grup, konfrontim idesh, përplasje perspektivash, zhvillim të mendimit kritik, komentim veprash, shpesh edhe punë dhe kërkime të përbashkëta”.
Sipas tij, me miratimin e Statutit të ri vitin e kaluar, gjendja e arsimit në shkencat humane, veçmas në Letërsi shqipe dhe në Gjuhë shqipe, do të përkeqësohet. Ka thënë se ai e zhvlerëson gjuhën shqipe dhe studimet shqiptare, duke mos e njohur për avancim asnjë revistë, artikull, apo libër në gjuhën shqipe.
“Departamentet dhe fakultetet po shkatërrohen nga brenda, pra nga rektorët, nga ministrat, kurse profesorët s’kanë kurrfarë mundësie ta ndalojnë këtë marrëzi që promovohet nga lart”, ka thënë Apolloni.
Shefi i degës së Letërsisë Shqipe, Osman Gashi, i cili që nga viti 1989 është profesor në Fakultetin e Filologjisë, ka thënë se gjendje si kjo e dy a tre vjetëve të fundit nuk mban mend përgjatë periudhës së angazhimit të tij në këtë institucion.
“Ka ndodhur që pas luftës në Degën e Letërsisë shqipe kemi pranuar deri në 130 studentë, vetëm me statusin e studentit të rregullt. Tash prej këtij numri, e kemi lënë 60 numrin sipas Agjencisë së Akreditimit, më pas ra në 40, pastaj 25. Vitin e kaluar nuk arriti as shifrën 20. Me statut të Universitetit e kemi kufizimin që nën këtë numër mund të vendosë Rektorati që të mos lejojë regjistrimin e vitit akademik të vitit të parë. Por, me sa di, Rektorati e ka zbritur këtë kuotë, sepse nuk kemi gjasa të kemi më shumë se 20 studentë”, ka thënë ai.
Midis arsyesh si migrimi, kolegjet private e rënia e numrit të popullsisë, profesori Gashi ka thënë se rënia e numrit të studentëve në këto dy departamente ka ndodhur për shkak të shpërndarjes së studentëve nëpër universitete të tjera në vend.
“Një problem po kaq i madh është edhe një lloj liberalizimi i universiteteve të Kosovës. Derisa Universiteti i Gjakovës, ai i Prizrenit, i Gjilanit, kanë Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, duhet pasur parasysh që në Departamentin e Letërsisë kemi studentë të rrethit të Prishtinës, mund të themi edhe të Lipjanit, Shtimes, eventualisht edhe të Drenicës. Nuk është e mundshme që një shtet që ka logjikë të fortë ta dobësojë një Universitet me traditë, siç është Universiteti publik i Prishtinës, e më pas edhe hapja e kolegjeve nëpër çdo qytet, sepse pastaj bie niveli”, ka vlerësuar profesori Gashi.