Kulturë

“Stiffler” zhvesh shoqërinë dhe shtetin

Ka pasur fatin që qysh në moshë të re, si e mitur, të ofrojë shërbime seksuale me pagesë. Se a ka qenë në vullnetin e saj apo jo, pak ka rëndësi. Ishte e mitur. Rrethanat e kishin bërë të tillë. Tash numëron mbi 40 vjet. Është personazhi qendror i shfaqjes “Stiffler”, nën regji të Kushtrim Koliqit e me tekst të Doruntina Bashës, që është dhënë premierë të shtunën mbrëma në teatrin “Oda” në Prishtinë. Drama shpërfaq realitetin me të cilin përballet një punëtore seksi e deri te rrugëtimi i saj për në morg

Hava e ka për detyrë që të bartë në supe një përgjegjësi të rëndë. T’i testojë institucionet se si e trajtojnë një punëtore seksi. Përtej dhunës psikologjike, me vete bart edhe atë fizike, bashkë me simbolikën se si shoqëria e trajton një grua të tillë. Ka pasur fatin që qysh në moshë të re, si e mitur, të ofrojë shërbime seksuale me pagesë. Se a ka qenë në vullnetin e saj apo jo, pak ka rëndësi. Ishte e mitur. Rrethanat e kishin bërë të tillë. Tash numëron mbi 40 vjet.

Është personazhi qendror i shfaqjes “Stiffler”, nën regji të Kushtrim Koliqit e me tekst të Doruntina Bashës, që është dhënë premierë të shtunën mbrëma në teatrin “Oda” në Prishtinë. Në orët e vona të mbrëmjes ajo i drejtohet një institucioni shëndetësor. Fillimisht trajtohet sikurse secili njeri. Infermieret a punëtoret e pranimit në recepsion janë të shtrira duke dremitur. Hava (Rebeka Qena) ka shpresë që do të marrë ndihmë. Ka nevojë të ketë shpresë. Por infermieret ia nisin muhabetit të shtrira e pa e kthyer kokën fare. Ju intereson emri i saj, i babës e çka jo tjetër për ta plotësuar një formuar, që pastaj ta pranojë doktori për trajtim. Por Hava mezi e hap gojën. Njëra këpucë i ka humbur rrugës, thotë se ka pësuar një goditje në shpinë e mezi ngihet frymë. Por punëtoret shëndetësore procedurën e kanë të shenjtë. Për këtë bëjnë një mal pyetjesh. Krejt rastësisht e shohin që Hava ka të ngulur në shpinë një thikë. Tmerrohen. Jo për faktin se asaj duhet dhënë ndihmë sa më shpejt, por tash janë kurioze se si ka ndodhur rasti. Shtojnë edhe një mal pyetjesh. E kur infermierët (Adrian Morina dhe Armend Smajli) marrin vesh se një klient në motel e ka goditur Havën me thikë, situata tensionohet. Tash kanë një mal akuzash se si çiftja e saj është duke ua qitur faqen e zezë krejt grave. Në të gjitha shfaqjet detajet janë të rëndësishme dhe kanë simbolikat e tyre. Por në këtë prodhim të “Integras” duhet hyrë në detaje, pasi pa to nuk shpërfaqet ndryshe qasja e shoqërisë ndaj një njeriu. Që në këtë rast nuk është njeri. Është thjesht një “kurvë”. E tillë trajtohet.

Me një alamet aktrimi, Rebeka Qena e fut publikun nën lëkurën e një gruaje që përbuzet nga të gjithë. Pasi sistemi shëndetësor e nxjerr jashtë pa i dhënë ndihmë me rekomandim që të shkojë fillimisht në polici, Hava bën ashtu siç i thonë.

Por edhe në polici trajtohet si “kurvë”. I bëhen dhjetëra pyetje, komente tejet pezhorative. Bile, hidhen dyshime se mos është duke inskenuar ndonjë gjë. Torturohet fort. Niveli zbret deri në masën ku policët flasin për llojin e thikës që ajo bart në shpinë. Tregojnë sa të mira janë setet me këto thika, që të paktën ta zbukurojnë ambientin në shtëpi.

Në rrëfimet që Hava shpalos kohë pas kohe tregon se si e mitur ishte detyruar të abortonte në një klinikë. E menjëherë pas abortimit, doktori e kishte pyetur për llogari në “Instagram”. Se Hava është në prag të çmendjes, nuk ka dyshim. Veç, po ashtu, nuk ka dyshim se shoqëria e ka sjellë buzë kësaj gremine psikologjike e fizike. Këtë e ka pasur për qëllim ta tregojë edhe ekipi i shfaqjes.

Regjisori Kushtrim Koliqi ka thënë se prej momentit që e kanë iniciuar këtë ide me tekstshkruesen, ideja ka qenë që të jenë të pakompromis sikurse në tekst, edhe në konceptin regjisorial.

“Janë disa grupe të margjinalizuara në Kosovë, ku përveçqë janë të diskriminuara prej ligjit, pasi shërbimet seksuale nuk janë ligjore në Kosovë, ato janë të diskriminuara prej shoqërisë, sidomos prej familjes, prej mendësisë në të cilën ne jetojmë. Qasja ndaj punëtoreve të seksit është gjithmonë negative”, ka thënë Koliqi. Sipas tij, askush nuk i pyet këto punëtore se a kanë dëshirë ta bëjnë këtë punë, pastaj a është trupi i tyre apo i paragjykuesve. “Normalisht, që ne jemi kundër trafikimit, kundër dhënies së këtyre shërbimeve me forcë. Mirëpo ne besojmë fuqishëm në të drejtat individuale. Në këtë rast nuk mund t’i paragjykojmë, gjykojmë e as t’i trajtojmë keq njerëzit që vendosin të japin një shërbim që ata mendojnë se duhet ta japin”, ka thënë ai.

Fillimisht shfaqja do të udhëtojë në Shqipëri, Maqedoni e Serbi. Koliqi ka konsideruar se me këtë problem nuk përballet vetëm shoqëria kosovare, por rajoni e përtej.

“Ky problem është edhe në rajon, por edhe në vendet që shërbimet seksuale janë të legalizuara. Edhe pse shteti i mbron, megjithatë shoqëria i ka pikëpyetjet e veta. Ne do ta promovojmë të drejtën individuale mbi trupin”, ka thënë ai. Ka shtuar se beson që sistemi duhet t’u ofrojë shërbimet shëndetësore e krejt të tjerat të gjithë njerëzve pa paragjykim.

Aktorja Rebeka Qena ka thënë se për secilin rol mund të kesh dilema morale, por në një mënyrë e kupton dhe e merr historinë e personazhit. Ka thënë se asnjëherë nuk e ka penguar se kush është Hava, të gjithë mund të përfundojmë si një karakter i tillë.

“Rrethanat e jetës mund të të sjellin në situatë ku bën gjëra që nuk do ta besoje që do t’i bëjë. Në njëfarë forme shfaqja merret me atë se secili njeri ka të drejtat e veta, pavarësisht kush është e çfarë bën. Do të thotë i takojnë të drejtat. Ajo është esenca e krejt saj. Besoj që ka njerëz që ta duan të mirën e të ndihmojnë. Por Hava nuk e ka atë fat”, ka thënë ajo. Ka shtuar se drama merret me disa gjëra jo të zakonshme dhe shoqëria duhet të reflektojë e njerëzit të ndikojnë pozitivisht te njëri-tjetri.

Aktorja Shengyl Ismaili ka thënë t’i jetë zënë fryma gjatë shfaqjes pasi është paraqitur realiteti. Sipas saj, Kushtrim Koliqi edhe një herë ka treguar se sa regjisor i fuqishëm është. “I falënderoj aktorët për ndjesinë që na ka dhënë. Ndjesi shumë e rëndë. Thjesht, të zihet fryma nga realiteti që ke përballë. Tregohet se në çfarë realiteti të hidhur jetojmë, se si trajtohet një qenie njerëzore. Kjo është e dhimbshme”, ka thënë ajo.

Përtej sistemit Hava teston edhe familjen. Vëllezërit e saj kasapë as që duan ta shohin me sy. I thonë se edhe nëna e tyre ka vdekur shkaku i sjelljeve të Havës. Rrëfimet se si trajtohet kur aksidentohet një punëtore seksi prekin çdo qelizë të sistemit e shoqërisë. Tregohet se kur një punëtore seksi detyrohet të bjerë nga ballkoni, autoritetet komunikojnë me stilin: “ra prej ballkoni një kurvë”, “hej shef, një kurvë bre ra” e deri te “lajeni bre gjakun e një kurve që ka ra në kalldrëm”. Vetëm si njeri nuk trajtohet. Me thikë në shpinë Hava përfundon në morg. Edhe aty trajtohet si “kurvë”. Punëtorët flasin për të në sens pezhorativ, e prekin kufomën duke e trajtuar si objekt seksual, e shikojnë se çfarë mund të përfitojnë nga xhepat e saj. Hava nuk ekziston si emër as në dokumentacionin e morgut. Është regjistruar si “Stiffler”. Figuron me emrin e markës së thikës që bart midis krahëve edhe si e vdekur. Në këtë rast pamja e saj dëshmon se përtej klientit, asaj edhe shoqëria e shteti ia kanë ngulur thikën pas shpine.