Dhjetë ditë para se të shënohet fiks 50-vjetori i edicionit të parë të festivalit “Skena Muzikore e Prishtinës” – i mbajtur prej 18 deri më 29 nëntor të vitit 1974 – festivali “ReMusica” ka përuruar librin që sjell rrugëtimin e tij dhe jo vetëm. Muzikologia Kristina Palokaj-Perkola, ka hapur arkivat për ta dokumentar një ngjarje si kjo, duke qëmtuar edhe peshën e saj në zhvillimin e jetës muzikore në këto anë. “Skena Muzikore e Prishtinës” me nëntitull “Festivali i parë i muzikës klasike në Kosovë (1974 – 1988)”, është cilësuar si vepër e çmuar në rrafshin e botimeve të rralla në muzikologji
Dardan Mirena
Këtu e gjysmë shekulli më parë, në kohën kur Kosova vlonte prej ngjarjeve historike e politike, do të ngriheshin themelet e të parit festival të muzikës klasike. Do të pagëzohej “Skena Muzikore e Prishtinës”, u bë promotor i një kapitulli të ri në kulturë. Sot, përmendet rrallë e hiç, të dhënat për to janë mbuluar nga harresa por muzikologia Kristina Palokaj-Perkola ka hapur arkivat për të dokumentuar jo vetëm fillet e rrugëtimin 15-vjeçar të këtij festivali, por edhe për të qëmtuar peshën e tij, “të edicioneve emblematike të një peizazhi të gjallë e kompleks social...”, i cili u ndërpre kur trazirat politike morën hov.
“Skena Muzikore e Prishtinës” është titulli i librit të Palokaj-Perkolës, i përuruar të premten në kuadër të edicionit të 23-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”, i cili krahas koncerteve me emra të shquar, i rreket edhe pasurimit të literaturës për muzikën. E një libër si ky – me nëntitull “Festivali i parë i muzikës klasike në Kosovë (1974 – 1988)” – është cilësuar si vepër e çmuar në rrafshin e botimeve të rralla në muzikologji.
E qartë, skena muzikore e Kosovës gjëllinte edhe me herët por kryesisht në organizime amatore. Qe viti 1972 kur u themelua Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës e cila shënoi kthesë në zhvillimin e jetës muzikore në vend, por “Skena...”, siç e thekson edhe autorja, ofroi “platformë jetike për shfaqjen dhe promovimin e muzikës”. Krejt këto, Palokaj-Perkola, e doktoruar në Akademinë e Muzikës në Universitetin e Zagrebit, i dokumenton me materiale arkivore por nuk ndalet me kaq.
Kompozitori e dirigjenti i shquar Rafet Rudi ka qenë shtytës që ajo t’i futej këtij libri. Ai do t’ia linte në dispozicion arkivin e tij personal. Rudi njëherësh redaktor i librit, ka qenë panelist në përurimin e mbajtur në qendrën “Barabar” në Prishtinë.
Palokaj-Perkola ka thënë se zhvillimi i muzikës artistike në Kosovë në vitet e fundit ka pasur zhvillim të jashtëzakonshëm. I është referuar krijimtarisë muzikore edhe nga aspekti interpretativ përmes krijuesve, interpretuesve, përmes artistëve të ndryshëm që janë prezantuar këtu e në mbarë botën.
“Dhe jemi të gjithë të vetëdijshëm që kur i referohemi dokumentimit muzikologjik për fat të keq qëndrojmë mbrapa në këtë aspekt, që do të doja të thosha që çdo prurje e re, jo vetëm kjo, por çdo libër që do të pasojë, çdo zhvillim muzikor që do të dokumentohet në të ardhmen është tejet i mirëseardhur për trashëgiminë tonë muzikore për dokumentimin dhe për zhvillimin e muzikologjisë këtu te ne”, ka thënë Palokaj-Perkola.
Deri te “Skena Muzikore e Prishtinës” janë vitet me jo pak ngjarje, e të cilat autorja i dokumenton në libër.
“Vitet e 70-ta ishin kulminative për zhvillimet muzikore në Kosovë: është themeluar Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës në vitin 1972, është themeluar RTP-ja në vitin 1974-75, themelohet Skena Muzikore më 1974, themelohet Akademia e Arteve, drejtimi i muzikës dhe kompozohen veprat e para në gjinitë skenike sepse edhe opera e baleti janë themeluar gjatë viteve të 70-ta, pra ka qenë një kulminacion i zhvillimeve artistike, kështu që edhe themelimi i këtij festivali ka përkuar me gjithë ato tendenca gjithnjë në rritje që pastaj edhe kur i referohemi fundit të festivalit në vitin 1988, prapë përkon me rrymat e errëta politike që pasuan pas vitit 1989 edhe errësira totale gjatë viteve të 90-ta që e dimë se si ka qenë”, ka thënë Palokaj-Perkola.
Libri, siç e ka theksuar edhe autorja, nuk përmban vetëm aspektin e ngushtë të skenës muzikore të Prishtinës, ku janë të përfshira të gjitha edicionet e këtij festivali e të dokumentuara të gjitha koncertet.
“Jo një renditje e thjeshtë në bazë të edicioneve, sepse do të ishte thjesht një fotografim i atyre materialeve, por janë të analizuara me përpikëri në bazë të gjinive muzikore, pra sa vepra të gjinisë vokale, sa vepra të gjinisë instrumentale, sa vepra të gjinisë kamertale e të tjera. E rëndësishme është të mos harrojmë edhe kontributin e disa studiuesve të muzikës si: Engjëll Berisha, Zeqirija Ballata, Rexhep Munishi, Bahtir Sheholli e të tjerë”, ka thënë Palokaj-Perkola.
“Skena Muzikore e Prishtinës” sillte atë që mungon edhe sot. Ndërkaq përurimi i këtij libri në “ReMusica” ka edhe një tjetër kuptim.
“Në fillim të këtij festivali janë organizuar edhe tribunat muzikologjike të cilat janë fillet e diskursit muzikologjik këtu të ne, që unë e konsideroj se edhe tash mungon kjo, mungojnë muzikologë të mirëfilltë, mungojnë revista shkencore për muzikologjinë. Ky festival në përgjithësi mbetet tejet i rëndësishëm për zhvillimet që kanë pasuar, sepse unë e kam potencuar edhe këtë pjesë: kur themelohet festivali ‘ReMusica’, janë disa edicione të ‘ReMusicas’ që i kanë quajtur Skena e Re Muzikore e Prishtinës. Pra për mua ka qenë si një lloj reminishence ose si një lloj vazhdimësie e asaj që ka ekzistuar edhe më parë”, ka thënë Palokaj-Perkola, e cila vitin e kaluar solli edhe librin monografik “Dy jetë për muzikë” kushtuar Nexhmije Pagarushës e Rexho Mulliqit.
Maestro Rafet Rudi, ka thënë se lindja e një vepre me këtë tematikë, fsheh më vete tema jashtëzakonisht të rëndësishme.
“Këto dokumente apo faktografi që janë mbledhur në këtë libër hapin shumë tema të mëdha për muzikën tonë. Një gjë e kam vërejtur edhe në qarqet e njerëzve të kulturës, madje edhe të muzikës, se si nuk e kanë të qartë qysh qëndron gjendja me të kaluarën tonë, jo vetëm të largët por edhe të afërme, për mungesën e materialeve e cila është trishtuese. Nuk mund të paramendohet sa ka mungesë të këtyre materialeve”, ka thënë Rudi kur ka folur për peshën e botimeve të tilla. Sipas tij fusha e muzikës qëndron shumë më keq në krahasim me fushat e tjera. Ka përmendur edhe humbjen e qëllimshme të materialeve arkivore.
“Për shembull ju mund ta gjeni shumë lehtë dokumentacionin e formimit të Filarmonisë së Maqedonisë të vitit 1946, kurse ne nuk i kemi këto faktografi. Jemi duke folur për vitin 1974-75 kur është themeluar Radio Televizioni i Prishtinës si një çerdhe absolute e kulturës muzikore. E gjitha që është zhvilluar në atë kohë ka kaluar nëpërmjet RTP-së, vitet e formimit të institucioneve muzikore kanë qenë një eksplodim dhe me një entuziazëm të papërmbajtur”, ka thënë Rudi.
Festivali “Skena Muzikore e Prishtinës”, siç e ka theksuar Rudi, do të iniciohej nga kompozitori Akil Koci, por edhe nga produksioni muzikor i RTP-së. E prej një libri për këtë festival, sipas tij, mund të shkruhen edhe dy a tre të tjerë. E, kjo u mbetet gjeneratave të reja. “Gjurmëve të humbura të një festivali” titullohet titulli që Rudi ia ka vënë parathënies së tij për librin “Skena Muzikore e Prishtinës”. E vepra e Kristina Palokaj – Perkolajt nuk lë që një ngjarje si kjo që mos dokumentohet tash, në 50-vjetorin e saj.