Kulturë

“Siparantum” i Kosovës në Berlin: tre koncerte, një kapitull për muzikën shqipe

“ChoralSpace” në Berlin bashkon kore elitare, e ai nga Peja “Siparantum” tashmë është i pashmangshëm në ngjarje të tilla. Në program ka tre koncerte për dy ditë, e njëra prej tyre është enkas për muzikën shqipe. “Kjo është një mundësi fantastike bashkëpunimi”, ka thënë Memli Kelmendi, themelues e dirigjent i Korit tashmë të dëshmuar në arenën ndërkombëtare

Festë për trashëgiminë korale dhe miqësitë që lindin nëpërmjet muzikës, konsiderohet festivali dimëror “ChoralSpace”. Shquhet si vendtakim koresh elitare dhe sivjet bashkon 13 formacione të tilla nga e gjitha bota. Koret mysafire bashkë më komunitetin e koreve në Berlin çdo dhjetor krijojnë momente të paharruara, pikërisht nëpërmjet muzikës. Secili prej tyre paraqitet me programe të veçanta në disa nga hapësirat me të bukura gjatë sezonit të dimrit në kryeqytetin e Gjermanisë. Mes tyre për herë të parë është edhe një kor nga Kosova. “Siparantum” për dy net rresht, në tri koncerte, do të shpalosë pasionin për muzikën, profesionalizmin dhe trashëgiminë korale të Kosovës.

Në mbrëmjen e 18 dhjetorit do të interpretojë në kishën protestante “St. Matthäus-Kirche”, kurse me 19 dhjetor paradite në kishën katolike “Heilig Kreuz Kirche”. Të dyja paraqitjet do të jenë në kuadër të koncertit të titulluar “Veni Veni Emmanuel”. Paraqitja e dytë e së dielës do të jetë ajo e në mbrëmje në kishën “Paul-Gerhardt”, ku do të mbahet koncerti i titulluar “Albanische Winter Klänge”.

Sipas “ChoralSpace” – Akademia Ndërkombëtare për Art të Koreve – komuniteti i koreve është duke ndryshuar shumë shpejt dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me pandeminë. Prandaj, sipas tyre, në këtë kohë krize ka nevojë për më shumë inovacione artistike dhe përfshirje të shoqërisë.

“’ChoralSpace’ është themeluar dhe nisur me motivin për ta mbështetur komunitetin koral. ‘ChoralSpace’ prezanton një seri koncertesh, punëtori dhe diskutime kreative me disa nga ekspertët me të njohur të botës korale dhe korë të njohura nga e gjithë bota”, është përshkrimi në ueb-faqen zyrtare të Akademisë, e cila e organizon edhe Festivalin.

Anëtarët e korit “Siparantum” tashmë janë në Berlin, në atë që veçohet si rrjetëzim i koreve botërore.

Memli Kelmendi, themelues dhe dirigjent i Korit, ka thënë se ideja e Festivalit është të krijojë lidhje mes kulturave të ndryshme korale, lidhje mes dirigjentëve dhe koreve të tjera. “Siparantum”, që debutoi në skenë në prillin e vitit 2017, është themeluar në bazë të një trashëgimie artistike të këndimit koral në Pejë.

Kelmendi ka treguar se për koncertin “Veni Veni Emmanuel” do të interpretojnë bashkë me korin nga Berlini “Wilmersdorfer Kamerchor”, të themeluar në vitin 1984. Kori përbëhet nga rreth dyzet e pesë anëtarë. E gjatë këtyre koncerteve, kori do të japë premierën e tri veprave të reja të kompozuara nga drejtori dhe udhëheqësi i korit, Christian Bährens. Ky koncert do të nisë pikërisht me një vepër të këtij kompozitori, “Veni, Veni Emmanuel”, që do të këndohet nga të dy koret. Ata do të bashkohen edhe në fund të koncertit edhe për veprën “Agnus Dei” të Kelmendit.

“Kjo është një mundësi fantastike bashkëpunimi”, ka thënë kompozitori nga Peja.

Kurse sa i përket koncertit me muzikë shqiptare, Kelmendi ka thënë se ideja e Festivali ka qenë që të promovohen veprat e kompozitorëve shqiptarë dhe njëkohësisht të promovohet kultura korale shqiptare.

“Më vjen shumë mirë për qasjen e Festivalit ndaj Korit tonë dhe për ftesën që ne të prezantojmë kulturën tonë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Kori gjerman do të interpretojë edhe vepra të tjera, si: “Alma Redemptoris Mater” të Giovanni Pierluigi da Palestrina, “Gloriosa dicta sunt” të Vytautas Miskinis, “Es ist ein Ros entsprungen” të Michael Praetorius dhe “Laudate Dominum” të Christopher Tye.

Kurse “Siparantum” – i themeluar për të dhënë dashuri, besim dhe shpresë, duke u kënduar të gjithë atyre që besojnë në një të ardhme më të mirë të botës – paraqitet me vepra tradicionale afrikane, si: “Ukuthula”, “Canticorum Jubilo” nga Georg Friedrich Händel, “What child is this” të John Stainer, “Glow” të Eric Whitacre, “Adoramus Te Christe” të Domenico Bartoluccit, “God Rest Ye Merry Gentlemen” të English Carol dhe “Transeamus Usgue Bethlehem”.

“Kjo pjesëmarrje është tepër e rëndësishme për korin tonë sepse është edhe rrjedhojë e suksesit dhe vazhdimësi e rrjetëzimit koral që ndodh nëpër botë. Më vjen mirë që ne jemi në rrugën e drejtë si shoqëri dhe që puna jonë po vlerësohet e që kori ‘Siparantum’ tashmë ka marrë rrugëtimin e tij artistik në botë”, ka thënë Kelmendi.

Kori “Siparantum”, që si qëllim të rëndësishëm ka edhe promovimin e Kosovës në rajonin e Ballkanit dhe në mbarë botën përmes muzikës artistike dhe ndërkombëtare me vepra kompozitorësh të mirënjohur të shekujve të kaluar e të ditëve të sotme, në “Mbrëmjen e Muzikës Shqiptare” ka këngë si ajo arbëreshe: “Kopile moj kopile”, “Nji lule” të Rexho Mulliqit, “Me nje lule” dhe “Silentium Est Pax” të Memli Kelmendit e “Kur e përcolla ylberin”. “Në këtë koncert kori 'Siparantum' prezanton kompozime dhe traditën e kulturën korale në Kosovë. U dërgon në një udhëtim muziko-dimëror në një regjion që ia vlen të zbulohet dhe jo vetëm në aspektin muzikor”, është paralajmërimi që i bëhet kësaj mbrëmjeje.

Së fundmi kori “Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën 460-të dhe ka 896 pikë. Në mars të këtij viti, kori mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe sivjet virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetor, kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medalje si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.