Kulturë

“Sikur...” me fatin e grave fut teatrin në apartamentin e katit të pestë

Sikur -

Kushtrim Mehmeti ka zgjedhur apartamentin e tij privat për ta dhënë premierën e shfaqjes “Sikur...”. Me shtatë veta në publik, ka nisur një rrugëtim të ri tejet intim e të pazakonshëm të teatrit. Shfaqja trajton shtypjen dhe fatin e grave në dy kultura të ndryshme. Ndërkaq teatri në kushte shtëpiake do të vazhdojë edhe me shfaqjet “Ballkoni” dhe “Ditë vere”

Është një prej ambienteve më të pazakonshme për të bërë shfaqje. Po njësoj përcillen edhe pritjet e publikut, që tubohet në hyrje të një apartamenti në lagjen “Tophane” për të marrë ashensorin drejt katit të pestë. Aty i pret dera e hapur e regjisorit Kushtrim Mehmeti. U dëshiron mirëseardhje në hapësirën e tij ku banon tash e disa vjet. Atmosfera që krijohet jep përshtypjen sikur është një ndejë e vogël shoqërie mes shtatë vetash, por në të vërtetë është teatër në shtëpi.

Pas mikpritjes, publiku del jashtë. Regjisori ua jep sinjalin e fundit aktorëve dhe ata pozicionohen nëpër vendet e tyre të shpërndara nëpër dhomat e apartamentit. Fillimi i shfaqjes është tejet intrigues. Titullohet “Sikur...”.

Aktori Yzeir Meha, i ulur në një shilte, citon vargje të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Përderisa publiku është ende në kapërdimë të asaj që po dëgjon, në dhomë shfaqet nusja me duvakun e saj prej llastiku, luajtur nga Eli Gashi. I shërben publikut kafe turke, duke dënesur e qarë për jetën në kafaz. Ofshan “Sikur të isha djalë”. Shpërndahet edhe duhan, duke portretuar tamam një atmosferë të odave.

Por rrëfimi ndërron shpejt. Tashmë Dija, kryeprotagonistja e romanit të Haki Stërmillit shndërrohet në Vilin e “Pronë e lanun mbas dore” të Tennessee Williams. Nga nusja e robëruar, ajo shndërrohet në fëmijën që është në mëshirën e fatit. Ajo është rritur me një baba të alkoolizuar, nënën që ikën dhe motrën që i vdes e që është prostitutë. Më shumë jeton në trillime e iluzione, duke ndjekur me pasion jetën që ka bërë motra e saj, Elvira. Problemet psikike dalin në pah në dialog me aktorin Art Pasha.

Si baraspeshë të dy rrëfimeve në kontekste të ndryshme kulturore, Mehmeti e quan shfaqjen “Sikur…”. Në fakt është edhe një tendencë për një rrëfim që në të dyja anët ka pikëpyetje të mëdha për mënyrën e trajtimit njerëzor. Në kontekstin shqiptar gratë shtypen. Në kontekstin amerikan gratë kanë liri, mirëpo përballen me prostitucion, materializëm, lënie mbas dore e jetë të vetmuar. Në fund të shfaqjes, në ambientin ku në dhomë shtohen veç dritat sa për improvizim dhe gjithçka tjetër është e shtëpisë, aktorët dhe publiku ndajnë përshtypjet mes vete.

Idenë e realizimit të teatrit në një ambient të vogël Mehmeti e shndërron në teatër në kushte shtëpie. Kjo siguron rehati për aktorët, ndërkaq intimitet emocional me publikun. Por, ai pranon se në fillim kjo ide iu ka dukur si e pamundur.

“Brenda tekstit të ‘Pronës...’ më ka bërë përshtypje një moment kur Vilin e pyesin për emër se pse ky emër. Ajo thotë: ‘Prindërit e mi kanë dashur që unë të jem mashkull dhe ma kanë lanë emrin’. Kjo më ka bërë shumë përshtypje që me mund me tërheq një paralele mes dy veprave, që në realitet janë dy botë krejt ndryshe qoftë jeta në Amerikë, qoftë në Shqipëri e Kosovë, por që e kanë një ndërlidhje të çuditshme”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, të dyja emërues të përbashkët kanë trajtimin e grave. Diku me mënyrën se si trajtohen, e diku se si mbijetojnë.

“Publiku kur hyn brenda e ka Kanunin e Lekë Dukagjinit, që kam dashur t’i them si fraza. Kam dashur ta sjell Dijen, në këtë rast Vilin, e cila vjen si një grua që ka një duvak, por nuk është i thjeshtë si tyl, por është i llastikut që nëse ngutesh edhe të ngufat. Prej saj është ndërlidhje derisa shërben kafe, një personazh tjetër po citon Kanunin”, e ka përshkruar ai konceptin.

Dëshira e Dijës për të qenë djalë zëvendësohet me mosbindjen e Vilit si personazh. Këtu edhe ndërrohen rrëfimet, që në fakt ndërlidhen nga regjisori e luhen prej aktores së njëjtë.

“Nëse në fillim fillojmë me Kanun, më tutje Vili zhvishet e kthehet në fëmijëri dhe na jep një tablo si do të jetonim, por që prapë kanë probleme. Ato janë pjesë të materializmit, mënyra si ato i paragjykojnë në shkolla për shkak të jetës se si e bëjnë, alkooli, prostitucioni, mënyrat e tjera me të cilat përballet një fëmijë dhe përfundon, që ëndërr të jetës e ka me u ba si motra Elvira”, ka thënë Mehmeti.

Aktorja Eli Gashi, e cila e ka pasur rolin kryesor, ka thënë se ballafaqimi me publikun është pjesa më e rëndësishme. Në këtë format të teatrit pranon se është tejet në nivel komunikimi me të.

“Ka qenë shumë interesant me u shpreh natyrshëm, për me pa reagimin e secilit se secili është me ty. Me u shndërru apartamenti në krejt tjetër çka është shumë interesant, me lloj-lloj dritash, gjetje. Kish me qenë shumë interesant me ardhë dhe me ndjekë këtë lloj të shfaqjeve grupe njerëzish”, ka thënë ajo para publikut.

Aktorët Yzeir Meha e Blendon Ahmeti kanë falënderuar regjisorin për këtë përjetim dhe publikun për praninë.

“Kur ma ka dhënë idenë diqysh, por t’u mbajt prova duke u thelluar më shumë nisëm me pa që është teatri më special që mund të ekzistojë. Kjo intimja që ta mundëson ky teatër është diçka që me u mbush salla me 3 mijë veta edhe s’mund të arrihet”, ka thënë Art Pasha.

Dramaturgu Florent Kurtalani ka thënë se kjo ka qenë një përvoje e mirë e teatrit.

Ideja me “Pronë e lanun mbas dore”, ka veçuar ai afishen e shkruar në shtëpinë e Vilit si më të mirën e shfaqjes.

“Edhe pse në çdo pjesë pati lojë, funksionalizimi i çdo sendi me drita, vello me qese, buzëkuq, gjithçka ishte goxha mirë”, ka thënë ai.

Aktorja Zana Berisha ka thënë se ky lloj i teatrit duhet të vazhdojë rrugëtimin me shfaqje të tjera.

“Kam qenë në këtë apartament edhe kur s’ka qenë skenë. Edhe ishte shumë interesant sidomos dritat e patën një reflektim shumë të mira. Loja e aktorëve është e jashtëzakonshme”, ka thënë drejtori i organizatës “Etea”, Agon Ahmeti.

Koncepti i teatrit në kushte shtëpiake do të vazhdojë edhe me dy shfaqje të tjera. E radhës quhet “Ballkoni” dhe trajton problematikat, të cilat shkaktojnë dhunimet seksuale të luftës në jetën e familjarëve.

“Është një djalë që ka pasur shumë probleme se ka qenë fëmijë i një gruaje të dhunuar gjatë luftës. Quhet ‘Ballkoni’ edhe ka me qenë shfaqje që shihet nga ballkoni në dhomën tjetër. Është trajtimi i jetës së tij”, ka thënë regjisori Mehmeti.

Tjetra është “Ditë vere” dhe ka të bëjë më dallimet jetësore të fatit të njerëzve.

“Është pikërisht për problemin e fatmirit edhe fatkeqit. Jo shpesh po ndodh që edhe ata që kanë fat të mirë u mërzitet jeta. Është komedi e zezë që trajton se si ai personi fatkeq mund ta vrasë se fatit të keq s’mund t’i bëjë ballë më”, ka thënë Mehmeti në banesën e tij teatër.