Kulturë

Shuk Orani: Inteligjenca Artificiale s’i konkurron artin e njerëzimin

“Inteligjencën Artificiale nuk e shoh as konkurrente apo diçka kërcënuese për njerëzimin. E mendoj më tepër si një lloj asistence. Ashtu edhe është përdorur, qoftë në art e në fusha të tjera”, ka thënë Shuk Orani, artisti nga Kosova që jeton e vepron në Hamburg të Gjermanisë, ku arti i tij u bë objekt i projektit “Arti në epokën e Inteligjencës Artificiale: IA takon artin”. Orani flet për projektin, rezultatet e tij, raportin e IA-së me artin

Arti përballë Inteligjencës Artificiale, është temë e zëshme ani pse fillet nuk janë të tanishme. Për raportin e tyre bëhen alamet diskutimesh e projektesh. Ekipe shkencëtarësh i rreken zbërthimit e ndikimit të teknologjisë në art. E një projekt i tillë është ai ku objekt studimi bëhet edhe arti i Shuk Oranit. Ka zgjatur nja një vit, në faza të ndryshme, rezultatet ende komentohen e për projektin, IA-në e artin në këtë epokë ka folur vetë artisti multimedial nga Kosova i cili jeton në Hamburg të Gjermanisë, ku u konkretizua edhe projekti.

Së bashku me njohësin e Inteligjencës Artificiale dhe ekspertin e IT-së, italianin Dario Gibellini, do të nisnin një udhëtim mbresëlënës të titulluar “Arti në epokën e Inteligjencës Artificiale: IA takon artin” (Art in the age of artificial intellegence: AI meets the art). Fillimi i këtij projekti u shënua nga kurioziteti për të kuptuar sesi arti i Oranit mund të përfshihej dhe të transformohej nga Inteligjenca Artificiale.

“Inteligjencën Artificiale nuk e shoh as konkurrente apo diçka kërcënuese për njerëzimin. E mendoj më tepër si një lloj asistence. Ashtu edhe është përdorur, qoftë në art e në fusha të tjera. Nuk bazohem në atë që thotë Inteligjenca Artificiale, mirëpo i shpejton proceset dhe unë për vete e kam përdorur si një lloj asistenti”, ka thënë Orani të mërkurën në një bisedë për KOHËN, në të cilën ka folur për projektin, rezultatet e tij, por jo vetëm.

Gjatë një viti, projekti përshkoi tri faza të veçanta zhvillimi, secila duke kontribuar në evoluimin e një përpjekjeje unike artistike-shkencore.

Faza fillestare u fokusua në eksplorimin e marrëdhënies simbiotike midis artit të Oranit dhe Inteligjencës Artificiale. Ky eksperiment hodhi themelet për fazat e mëvonshme, duke hapur rrugë për një projekt që synon të shtyjë kufijtë e asaj që teknologjia moderne mund të arrijë në fushën e shprehjes artistike. Faza e dytë shpalosi krijimin dhe zhvillimin e softuerit të krijuar për të shtrirë aftësitë e teknologjisë bashkëkohore. Qëllimi nuk ishte vetëm krijimi i një dialogu midis artit dhe Inteligjencës Artificiale, por zhvillimi i softuerit inovativ që mund të shërbente si një katalizator për eksplorimin artistik.

Orani kur ka folur për pikënisjen e projektit “Arti në epokën e Inteligjencës Artificiale: IA takon artin” ka theksuar se hapat e parë drejt zhvillimit të Inteligjencës Artificiale janë hedhur dekada më herë e jo kohëve të fundin kur ka marrë hovin.

“Para një viti e takova një ekspert të Inteligjencës Artificiale i cili ka punuar në këtë fushë mbi 25 vjet, sepse nuk është që Inteligjenca Artificiale është zhvilluar vetëm këto kohët e fundit. Kam dashur që ta shoh se çka zhvillon AI-ja dhe çka zhvillon arti dhe t’i barazoj ato të dyja, pastaj na lindi ideja për ta krijuar një Inteligjencë Artificiale e cila diskuton me ne në panel”, ka thënë Orani.

Faza e tretë dhe e fundit e projektit u materializua në krijimin e një avatari të Inteligjencës Artificiale i cili është bërë pjesë aktive në një panel diskutimi. Ky krijim i IA-së ka shërbyer si urë ndërmjet botës së Inteligjencës Artificiale dhe sferës së veprave të artit të Shuk Oranit. Projekti, sipas Oranit, ka për synim të thellojë qasjen në informacion, duke përdorur njohuritë e fituara për të krijuar forma të reja dhe inovative të shprehjes artistike. Pika qendrore e projektit do të bëhej një panel diskutim i mbajtur në korrikun e vitit të kaluar, tema e të cilit vinte në formë pyetjeje: “Çfarë do të thotë IA për botën e artit dhe shoqërinë?” Mblodhi ekspertë nga fusha të ndryshme, duke përfshirë artin, teknologjinë informative, industrinë e Inteligjencës Artificiale dhe filozofinë.

Emra të njohur, si profesor doktor Andreas Moring, ekspert i ekonomisë digjitale, inovacionit dhe inteligjencës artificiale, vetë Shuk Orani dhe Dario Gibellini, u angazhuan në dialog. Nëpërmjet diskutimit do të bëheshin përpjekje të ofrohen perspektiva mbi implikimet e Inteligjencës Artificiale në art, duke nxitur një bisedë të veçantë.

Orani ka treguar se bashkëpunimi midis artistëve, specialistëve të IT-së dhe IA-së e fondacionit “Friedrich Naumann” ishte vendimtar për suksesin e projektit.

Secili kontribuues, sipas tij, ka luajtur një rol jetik, që nga krijimi i avatarit të Inteligjencës Artificiale deri te programimi i chatbot-eve dhe realizimi i ekspozitave me holograme.

“Midis të tjerash, ka qenë edhe fondacioni ‘Friedrich Naumann’, ndër fondacionet më të njohura në Gjermani që e ka përkrahur këtë projekt, Universiteti i Hamburgut, Ministria e Kulturës këtu, qyteti i Hamburgut dhe kanë qenë edhe tri kompani të IT-së të specializuara në drejtimin AI. Ka qenë një projekt bukur i madh”, ka thënë Orani.

Si artist multimedial, Orani është i njohur për projektet e tij artistike-shkencore. Pikturat dhe skulpturat e tij me format të madh, abstrakte-ekspresioniste jo rrallë herë janë vlerësuar dhe eksplorimi i radhës pasqyron një angazhim për të shtyrë kufijtë artistikë.

Suksesi i “Arti në epokën e Inteligjencës Artificiale: IA takon artin” nxjerr në pah potencialin për bashkëpunime të frytshme midis artit dhe teknologjisë. Megjithatë, ngre edhe pyetje të rëndësishme për ruajtjen e një ekuilibri. Në epokën e përparimit të shpejtë teknologjik është thelbësore të sigurohet që arti të ruajë përparësinë e tij mbi teknologjinë dhe që shprehja artistike të mbetet parësore.

Në këtë rast Orani ka marrë shembull kohën kur interneti nisi të zhvillohej me të madhe.

“Në kohën e studimeve filloi zhvillimi i internetit dhe njerëzit filluan të thonë se nuk do të ketë gazeta, revista e libra me frikën se interneti po i zëvendëson të gjitha këto. Ndodhi e kundërta, u shumuan edhe më shumë. Sa i përket artit, ka disa të ashtuquajtur artistë që thonë në bazë të Inteligjencës Artificiale do të krijoj diçka por nuk është e mundshme që Inteligjenca Artificiale me i mbërri parametrat e jetës”, ka përfunduar Orani.

Nëpërmjet projektit “Arti në epokën e Inteligjencës Artificiale: IA takon artin” është hapur një shteg ku shprehjet artistike takojnë algoritmin. Sipas artistit Shuk Orani i takon njerëzimit ta shfrytëzojë këtë zhvillim në dobi jo vetëm të artit, por edhe domeneve të tjera të jetës.