Kulturë

Shtëpia-shkollë e Herticëve me adresë që ia ruan historinë

Ka disa vjet që mbrohet si monument, po aq institucionet premtojnë ta bëjnë muze e gjurmët autentike i humbin përditë. Por studentët në Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin e Filologjisë në UP të prirë prej profesoreshës së tyre Blerta Mustafa, udhëheqëse e Departamentit, kanë bërë një punë që s’e lejon të zbehet historia e shtëpisë-shkollë të Herticëve. Të martën është lansuar ueb-faqja e cila hap një kapitull të ri në dokumentimin e përhapjen e rrëfimit për të

Në historinë më të re të Kosovës, shtëpitë-shkolla kanë një kapitull të veçantë, e ajo e Herticëve në Prishtinë është më e shquara. U shndërrua në simbol të rezistencës në kohën kur shqiptarët u përjashtuan prej objekteve arsimore dhe jo vetëm, krijuan sistemin paralel, mbijetuan. Ka disa vjet që shtëpia-shkollë e Herticëve mbrohet si monument, po aq institucionet premtojnë ta bëjnë muze e gjurmët autentike i humbin përditë.

Por studentët në Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin e Filologjisë në UP të prirë prej profesoreshës së tyre Blerta Mustafa, udhëheqëse e Departamentit, kanë bërë një punë që s’e lejon t’i zbehet historia. Të martën është lansuar ueb-faqja për këtë shtëpi-shkollë, një adresë që ruan e promovon historinë jo vetëm të objektit, kujtimet për të e brenda tij. Aty prej vitit 1992 deri më 1999 kryen shkollën hiç më pak se 1 mijë e 500 nxënës. Mehmet Aliu-Hertica do t’u ofronte nxënësve dhe stafit të gjimnazit “Sami Frashëri” shtëpinë e tij ende të pabanuar, në mënyrë që nxënësit të vazhdonin shkollimin. Shtëpia e ndërtuar më 1989 – siç shënohet edhe në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme – u shndërrua në shkollë duke përshtatur turnet prej mëngjesit deri në mbrëmje në mënyrë që të mbanin mësim të gjithë nxënësit. Histori të tilla pasurojnë adresën e monumentit që u nismua me qëllim që gjeneratat e reja dhe secili që e viziton faqen të informohet për sistemin paralel të viteve ’90.

Udhëheqësja e Departamentit, Blerta Mustafa, në ngjarjen që ka shënuar lasnimin e faqes, ka thënë se një projekt si ky është mision.

“Studentët e vitit të tretë e kanë nisur një mision shumë të rëndësishëm për t’i informuar dhe kujtuar gjeneratat e ardhshme për sakrificat e bëra gjatë konfliktit të viteve të ’90, sigurisht krejt kjo në mbështetje të sistemit arsimor. Projekti i tyre për shtëpinë-shkollë të Herticëve na kujton të gjithëve se edukimi nuk është thjesht një privilegj, por një dëshmi e qëndresës, kurajës e guximit të atyre që kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për të drejtën për të mësuar”, ka thënë Mustafa.

Qerim Qerimi rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka kujtuar se ka qenë nxënës në shtëpi-shkollë. Rrugëtimin e tij akademik deri në Harvard e ka quajtur si indikator që ndjekjen e dijes dhe lirisë nuk mund ta ndalë gjë.

“Për shtëpinë shkollë të Herticëve, unë jam prej atyre që ka ndjekur mësimet në shkolla private. Një vit klasa ime në shkollë të mesme ka qenë një garazhe, e vitin tjetër në një bodrum. E tutje pata fatin që ta vazhdoj edukimin në Holandë e Shtete të Bashkuara. Ju lutem mos ndaloni dhe bëni krejt çfarë keni dëshirë dhe gjithçka që e keni aspiratë”, ka thënë Qerimi.

Image
“Studentët e vitit të tretë e kanë nisur një mision shumë të rëndësishëm për t’i informuar dhe kujtuar gjeneratat e ardhshme për sakrificat e bëra gjatë konfliktit të viteve të ’90, sigurisht krejt kjo në mbështetje të sistemit arsimor. Projekti i tyre për shtëpinë-shkollë të Herticëve na kujton të gjithëve se edukimi nuk është thjesht një privilegj, por një dëshmi e qëndresës, kurajës e guximit të atyre që kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë për të drejtën për të mësuar”, ka thënë Blerta Mustafa, udhëheqëse e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze

Tolga Begoli, studente e vitit të tretë në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, njëherësh pjesë e grupit që ka punuar në këtë projekt ka thënë se informatat që kanë pasur deri tash për shkollën e Herticëve janë vetëm sipërfaqësore. Ka theksuar se vetëm pas vizitës aty kanë arritur që ta mësojnë tërë historinë që ai objekt bart më vete.

“Kur profesoresha Blerta na e ka përmendur shtëpinë e Herticëve kemi qenë të mahnitur nga ajo histori. Në ditën që na caktuan të shkojmë atje dhe ta vizitojmë këtë vend, menduam se do t’i kalojmë disa minuta duke parë përreth e do të kthehemi, por nuk shkoi ashtu. Kaluam orë të tëra atje duke dëgjuar rrëfimet që i theksojnë emocionet që njerëzit kanë ndier në atë kohë”, ka thënë Begoli.

Në faqen e internetit të cilën e kanë krijuar studentët, informatat jepen në forma të ndryshme: si fotografi, video, e intervista secila e përshkruar edhe me tekst. Një pjesë e faqes është e dedikuar edhe për fëmijë. Përmes një animacioni dhe rrëfimi më pak të detajuar edhe fëmijët mund të njihen me historinë. Begoli ka thënë se qëllim i tyre është që edhe përtej kufijve të dihen sakrificat që shqiptarët kanë bërë për t’u arsimuar.

“Edhe në faqen e internetit të cilën e kemi krijuar mund të vërehet pasioni ynë. Ajo që na ka lënë përshtypje më së shumti është se si sistemi i edukimit në vendin tonë është shumë i pasur dhe kjo ka qenë arsye kryesore që na ka shtyrë për realizimin e kësaj faqeje interneti, sidomos për gjeneratat e reja dhe jo vetëm për to, por duam që e tërë bota të mësoj për sistemin paralel dhe shtëpinë e Herticëve”, ka thënë Begoli.

Falënderuese për këtë projekt është shprehur Azemine Aliu, vajza e pronarit të shtëpisë-shkollë të Herticëve. Ka thënë se nisma të tilla e mbajnë gjallë kontributin e familjes së saj. Thotë se është lënë anash nga institucionet.

“I falënderoj për punën që këta studentë e kanë bërë dhe interesimin që e kanë shprehur për shtëpinë-shkollë. Kjo është një shtytje për familjen tonë edhe për historinë e shtëpisë shkollë e cila deri më sot është në mungesë të përkrahjes sepse po bëhen 23 vjet edhe shtëpia shkollë e Herticëve është në mjerim. Me iniciativa të tilla unë po e shoh një dritë në fund të tunelit dhe po shpresoj që kjo shtëpi-shkollë një ditë të shndërrohet në muze”, ka thënë Aliu.

Studentes Rea Gashi përpos krejt rrëfimeve për sakrificën e pronarëve të shtëpive, profesorëve dhe nxënësve, i ka lënë përshtypje edhe diçka tjetër.

“E kanë vënë jetën në rrezik, kanë sakrifikuar çdo gjë dhe në fund e kanë gjetur motivin që të organizojnë festën e maturës dhe të kënaqen me njerëzit që janë takuar. Kjo krahas krejt historisë më ka bërë shumë përshtypje. Edhe një gjë tjetër që më është dukur interesant është një bunker i cili është shumë afër shtëpisë. Këto nuk janë elemente shumë të rëndësishme nëse flasim për edukimin, por është diçka që unë do ta mbaj me vete përveç faktit se çdonjëri ka sakrifikuar çdo gjë dhe ka luftuar për edukim”, ka thënë Gashi.

Pas lasnimit të faqes për shkollën e Herticëve, të pranishmit dolën në hollin e Fakultetit për t’i parë posterët me rezultatet e hulumtime nga studentët e vitit të katërt. Me temën “Integriteti Akademik” kanë sjellë hulumtime për çështje të ndryshme që i prekin ata drejtpërdrejt si: plagjiatura, kopjimi, inteligjenca artificiale e marrëdhëniet me profesorë.

Studentja e vitit të katërt në Gjuhë e Letërsisë Angleze, Lirije Kastrati e ka treguar procesin e gjetjes të të dhënave.

“Me këtë hulumtim ka kohë që po merremi. Fillimisht jemi fokusuar te integriteti akademik pastaj e kemi ndarë në copëza ku për shembull ne e kemi marrë për detyrë t’i gjejmë arsyen të cilat i shtyjnë studentët që të bëjnë plagjiaturë. Metodat që i kemi zgjedhë kanë qenë të ndryshme. Disa nga studentët kanë zgjedhë që të realizojnë intervista e disa të tjerë përmes pyetësorëve. Nëpërmjet të të intervistuarve në i kemi marrë të dhënat për çështjen e caktuar, në rastin tonë për plagjiaturë”, ka thënë Kastrati.

Shefja e Departamentit, Blerta Mustafa i ka inkurajuar studentët që të vazhdojnë kësisoj për çfarëdo që e ardhmja u vendos përpara.

“Secili poster bart më vete orë të panumërta hulumtimi, analiza të thella dhe shumë diskutime me kolegët dhe ne profesorët. Dedikimi juaj është shumë i rëndësishëm dhe ju inkurajoj që të vazhdoni me të njëjtin përkushtim në të gjitha hapat e ardhshëm”, ka thënë Mustafa.

Dekania e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, ka thënë se e mbështet këtë mënyrë të studimit, me metoda më ndryshe se sa zakonisht.

“Si Fakultet Filologjik unë plotësisht e mbështes aplikimin në praktikë të një numri të madh metodologjish të hulumtimit dhe jo vetëm. Blerta po sjell ndryshime të mëdha në këtë Departament dhe ende jemi në proces të vazhdueshëm, ndonjëherë duke eksperimentuar, ndonjëherë duke u përpjekur”, ka thënë Rugova.

Rektori Qerimi nuk e ka përgatitur fjalim dhe ka thënë se ka arsye për këtë. Teksa iu drejtua studentëve ka thënë se duke e parë punën e tyre, është burim i mjaftueshëm për çdo lloj fjalimi.

“Ju përgëzoj secilin nga ju për punën që e keni bërë. Jam shumë kureshtar që t’i studioj për nga afër gjetjet tuaja nga hulumtimi që keni bërë edhe pse nga shikimi i parë munda të shoh se janë projekte shumë serioze”, thënë Qerimi.

Sipas udhëheqëses së Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze dhe dekanes së Fakultetit Filologjik këto dy ngjarje kanë rrumbullakuar vitin akademik.