Kulturë

Shtëpia e piktorit Sali Shijaku, midis vlerave dhe destinacionit turistik

Sipas kritikëve të artit, paleta e pasur kromatike e Sali Shijakut iu kundërvu kufizimeve ideologjike të artit duke i lënë vend fantazisë. I kritikuar për ndikime të rrymave të ndryshme, veprat e piktorit tiranas janë marrë në mbrojtje nga Ministria e Kulturës, pasi rrezikoheshin në shtëpinë që, po ashtu, është duke u restauruar nga institucioni më i lartë kulturor në Republikën e Shqipërisë

Prishtinë, 19 janar – Në vitet ’50, Sali Shijaku u shfaq si emër i ri në botën e arteve figurative shqiptare. Në dekadat në vazhdim, artisti i shkolluar në Shën Petersburg që asokohe thirrej me emrin ideologjik Leningrad – do t’i kthehej mjedisit figurativ shqiptar përmes një spektri ngjyrash të ngrohta e të gëzuara.

Dy tërmetet e rëna në vitin 2019 e dëmtuan jo pak shtëpinë dykatëshe ku lindi piktori i njohur tiranas. Me një restaurim të brendshëm, Ministria e Kulturës po synon që këtë monument kulture ta shndërrojë edhe në destinacion turistik.

Në odën e saj kryesore, gjithandej mureve, ka gjithfarë veprash të Sali Shijakut, më të njohurat prej tyre portrete figurash kombëtare si Mic Sokoli, Nora e Kelmendit si dhe motive nga jeta në qytetet e peizazhet e Shqipërisë.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti të martën ka njoftuar se tashmë ka përfunduar faza e parë e restaurimit.

“Kjo banesë, monument kulture i kategorisë I, e ndërtuar në gjysmën e parë të shek. XIX është shembulli i fazës më të zhvilluar të banesës tiranase së ‘shtëpisë së zjarrit’”, ka njoftuar Margariti në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.

Image
Dy tërmetet e vitit 2019 e dëmtuan jo pak shtëpinë dykatëshe ku lindi piktori i njohur

Kështu, në fazën e parë në shtëpinë e Shijakëve është restauruar fillimisht dyshemeja e odës së zjarrit, ndërkohë që janë zëvendësuar edhe trarët e çatisë, dritaret dhe kangjellat.

“Metodat e përdorura gjatë restaurimit, në prerjet dhe gdhendjen e drurit janë ato origjinale, për të ruajtur sa më mirë elementet tipike të monumentit të kulturës”.

Sipas ministres Margariti, kjo shtëpi, e cila është shndërruar edhe në galeri arti, ka vlerë të dyfishtë, për çka ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e vizitorëve nga vendi e bota.

Në të vërtetë, punimet për restaurimin e shtëpisë me arkitekturë të veçantë për urbanistikën tiranase kanë filluar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, në Tiranë, kishin tërhequr vërejtjen prej kohësh për dëmet serioze që kishte pësuar ngrehina dykatëshe. Më së shumti ndërhyrje janë bërë te pjesa e traut kryesor, që rrezikonte krejt mjediset e brendshme.

Orges Shijaku, djali i piktorit Sali Shijaku, ka thënë se shtëpia ka pasur probleme të shumta, aq sa rrezikohej edhe jeta e turistëve që ia mësynin për ta vizituar.

“Të gjithë trarët dhe binarët kanë qenë të shembur”, ka thënë ai në një prononcim për mediat tiranase.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, banesa e ndodhur në rrugën “Vildan Luarasi” paraqet shembull tipik të banesës tiranase. E ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit 19, ajo ka planimetri katërkëndëshe me shtëpinë e zjarrit si bërthamën e mjediseve përqark saj.

Në katin e parë ndodhen mjediset ndihmëse, kurse në të dytin dhomat e ndenjës si dhe shtojcat e shërbimit, tok me shkallët e drunjta që lidhin katet.

Ky lloj banese përbën një nga llojet më të vjetra të ndërtimit dhe si e tillë, nuk haset në qytete të tjera shqiptare.

Qysh në vitin 1973, banesa e Shijakasve është shpallur monument kulture i kategorisë së parë. Në kopshtin ndanë shtëpisë sot ndodhet një kafene, kurse dhoma e saj kryesore shërben si galeri arti me dhjetëra vepra të piktorit Sali Shijaku.

I lindur më 12 mars 1933 në një familje tregtari, Shijaku në vitet ’50, pasi mbaroi Liceun Artistik “Jordan Misja”, vijoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve “I.E.Rjepin” në Shën Petërsburg.

Ai ishte student pranë ateliesë së piktorit të njohur rus Boris Vladimiroviç Joganson. Veprat e para të Shijakut, pas kthimit në atdhe, ishin tablo me tema nga lufta, historia, legjendat si dhe aktualiteti i asokohshëm shqiptar. Një motiv i shpeshtë do të bëhej edhe vetësakrifica që u përjetësua në tablotë “Mic Sokoli” (1969) dhe “Vojo Kushi” (1969), “Nora e Kelmendit” (1981), “Rozafa” (1983), e të tjera.

Është nderuar me jo pak çmime: më 1969 mori titullin “Artist i Merituar”, kurse dhjetë vjet më vonë “Piktor i Popullit”. Në galerinë brenda shtëpisë së tij ndodhet edhe modeli që piktori i njohur e kishte bërë për një skulpturë gjigande që mendohej të vendosej në qendër të sheshit “Skënderbej” në Tiranë. Ajo paraqiste Shqipërinë në formën e një femre të re, me veshje kombëtare, që hapte krahët si shqiponjë.

Një numër i konsiderueshëm i veprave të Shijakut ruhet në fondet e Galerisë Kombëtare të Artit, ndërkohë që ka të tilla që janë pjesë e koleksioneve të ndryshme brenda e jashtë vendit.