Disa tabloideve në Serbi – si “Srpski Telegraf” – u ka dalë punë me shfaqjen “The Handke Projekt” që javën e kaluar u dha premierë në Beograd, e edhe më shumë me intervistën e aktorit Arben Bajraktaraj, të cilin publiku serb e njeh, ndër të tjera, nëpërmjet serialit televiziv “Besa”. Intervista e tij për revistën “NIN” është “analizuar” në detaje, njësoj sikurse edhe shfaqja. Anash qasjes së tabloideve, në këtë temë kanë folur edhe figura që nuk janë pa emër në qarqet kulturore në Serbi
Shfaqja që demistifikikon figura si Sllobodan Millosheviqi e përkrahësi i tij, nobelistit Peter Handke, për disa media në Serbi është “provokim i rëndë midis Beogradit”. Bile, provokimi përjetohet edhe më i fortë kur zgjidhen pjesë të intervistës së aktorit Arben Bajraktaraj dhënë revistës “NIN”. Bajraktaraj është i njohur për publikun serb si aktor i serialit televiziv “Besa”.
“Provokim i rëndë: Aktori i ‘Besës’ akuzon Serbinë për gjenocid, midis Beogradit fyen Handken”, është titulli kryesor i tabloidit “Srpski Telegraf” i shpërndarë edhe në versionin elektronik e po ashtu edhe nga portale të Serbisë. Me këtë artikull ka zënë edhe ballinën e së hënës.
Me projektin teatror të qendrës “Multimedia” bashkë me “Mittelfest” e Teatrin e Toskanës, Teatrin e Dortmundit, Teatrin Kombëtar të Sarajevës e festivalin e njohur botërisht të kryeqytetit boshnjak “MESS”, “Peter Handke” pas Prishtinës, Shkupit e Ferizajt është ndalur në Beograd. Është dhënë atje dy herë, të enjten dhe të premten e javës së kaluar në teatrin “Bitef”.
Nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt e tekst të Jeton Nezirajt, shfaqja bën që nobelsiti Handke të zhvishet deri në skelet. Diku personazhi i tij zhvillon një bisedë me Joseph Goebbelsin. Udhëheqësi i propagandës së nazistëve i jep atij leksione se si duhet mohuar krimet e si duhet ngritur pyetje nëse ato janë të vërteta. E Handke shkon deri në nivelin sa tek qëndron mbi një varr, nis të shfaqë dyshime se a bëhet fjalë për varr apo jo. Shfaqja vë në pikëpyetje se deri ku shkon liria e një artisti, dhe nxjerr në pah se Handke e ka kaluar lirinë e shprehjes dhe atë krijuese pasi është mohues i gjenocidit.
Në këtë frymë e ka dhënë intervistën për “NIN” aktori Arben Bajraktaraj. Në tri faqe ai ka zbërthyer mendimet e tij për shfaqjen, për Serbinë e për Handken. Ka bërë thirrje që të luftohet fenomeni Handke.
“Analiza” që zbulon “prapaskenat” kundër serbëve
Por për disa media në Serbi ai dhe shfaqja kanë provokuar rëndë.
“Nëpërmjet shfaqjes që pështyn nobelistin austriak, populli serb u shpall kriminel dhe aktori përsëriti akuzat në mediat e Beogradit”, ka shkruar “Srpski Telegraf”. Artikulli i këtij mediumi, i njohur për këso qasjeje, është shpërndarë edhe nëpër media të tjera në këtë frymë. Në fakt, pak ka sot media në Serbi që ia kanë dalë të mos helmohen prej gjuhës nacionaliste, veçmas kur bëhet fjalë për shqiptarë. Mediumet objektive në Serbi sot numërohen në gishta.
Duke zgjedhur pjesë të intervistës së Bajraktarajt, tabloidi ka vënë në dukje se “ky shqiptar, i lindur në Isniq afër Deçanit, me banim në Paris, po luan në një shfaqje, e cila me dënimin e nobelistit Peter Handke shpall kriminel gjithë kombin tonë dhe të gjithë ata që guxojnë ta mbrojnë atë si mohues të gjenocidit...”. Aty kritikohet edhe revista që i dha hapësirë prej tri faqesh Bajraktarajt. Aktori që jeton në Paris për publikun serb është bërë shumë i njohur nëpërmjet serisë “Besa”, produksion serbo-britanik, me ekip shqiptarë, serbë, malazez, kroatë e të tjerë. Ai luan Dardan Berishën, kreu i mafisë shqiptare.
Në intervistën për “NIN”, një revistë me reputacion e traditë mbi gjashtë dekada, Bajraktaraj shpjegon historinë e aparteidit të viteve ’90 deri te përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet publike, shkollat e deri te lufta.
“Handke dhe ajo bandë fshihen pas perdes së lirisë së shprehjes dhe gjeniut të artit. Ajo që ne po bëjmë është në fakt një akt rezistence. Nuk është thjesht një shfaqje, është një luftë dhe ne zgjedhim një luftë. Askush nuk e ka vënë në dyshim përgjegjësinë e tyre dhe ata ende po duartrokasin. Kjo bandë për të cilën po flas ka mbështetjen e hapur të ekstremistëve të djathtë, janë gjithnjë e më shumë në të gjithë Evropën që i përdorin artistët si pjesë të ideologjisë së tyre, si ekran”, ka thënë Bajraktaraj derisa ka folur për shfaqjen dhe fenomenin Handke.
“Srpski Telegraf” është marrë në thellësi me këtë intervistë e me “The Handke Project”. Ka marrë deklarata nga palët. Një prej tyre: Muharrem Bazdulj, shkrimtar boshnjak në Beograd, që tash e sa kohë shquhet si shërbëtor i ultranacionalistëve serbë dhe jo rrallë del edhe me shkrime kundër Kosovës me një gjuhë linçuese e fyese.
Ka thënë se nuk e ka parë shfaqjen, por ajo është “një përpjekje për të vazhduar satanizimin e Handkes nga koalicioni rajonal i politikanëve që luajnë si artistë”. “Ata në fakt po përpiqen të krehin famën dhe karizmin artistik të Handkes”, ka thënë ai, përderisa tabloidet analizojnë shfaqjen pa e parë fare.
Predrag Gaga Antonijeviq, regjisor filmash, i njohur edhe për “Dara nga Jasenovci” i cilësuar edhe nga kritika e huaj si propagandë, thotë se duhet shtruar pyetjen: “Deri kur më?”. “Përse ata s’e bëjnë një shfaqje për nxjerrje organesh”, thotë ky regjisor, fitues i “Yllit të Karagjorgjit”, një dekoratë të cilën e mori edhe Peter Handke dhe ia dorëzoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 2021.
Neziraj: “Asgjë e re, madje e parashikueshme!”
Skenë nga shfaqja “The Handke Project”, Beograd 10 qershor
Për dramaturgun Jeton Neziraj, dramat e të cilit përkthehen dhe luhen anembanë globit, tabloidet serbe nuk kanë bërë ndonjë verim të paparashikuar.
“Asgjë e re, madje e parashikueshme! Këto janë tabloide që ushqehen me fekale, e fekale prodhojnë. Dhe në të njëjtën kohë edhe helmojnë publikun e marrë serb - natyrisht, atë publik që i lexon!”, ka thënë Neziraj.
Shfaqja “The Handke Project” për këtë tabloid është “pamflet antiserb”. Tabloidi ka marrë edhe mendime të disa artistëve serbë të cilët e dënojnë rëndë shfaqjen e po ashtu edhe qëndrimet e Bajraktarajt.
Por pavarësisht asaj që paraqitet, për dy net kasta e aktorëve: Arben Bajraktaraj, Anja Drljeviq, Adrian Morina, Ejla Bavçiq, Klaus Martini e Verona Koxha kanë dekonspiruar Handken dhe atë që mund të quhet fenomeni Handke.
Shfaqja nxjerr në pah se si me pyetjet e tij prej “shkrimtari gjenial”, Handke vë në dyshim nëse ka ndodhur masakra e Srebrenicës – ku në korrik të vitit 1995 shteti serb vrau 8 mijë boshnjakë – apo është një shpikje e propagandë kundër Serbisë. Handke e di realitetin, por përpëlitet që ta ndryshojë atë.
KOHA për dy ditë ka përcjellë nga afër shfaqjen në Beograd.
“Përshtypja ime e parë është se ky produksion duhet të jetë i pranishëm në krejt Ballkanin, pasi është një shfaqje e mrekullueshme si në tekst, po ashtu në regji e në aktrim. Ajo që pashë është shumë prekëse dhe e rëndësishme, saqë secili e merr vesh se çfarë ka ndodhur në këtë regjion”, kishte thënë Beka Vuço, themeluese dhe drejtuese e fondacionit “My Balkans” në New York. Sipas Vuços, e cila për 15 vjet ishte drejtoreshë menaxhuese e teatrit “Atelije 212” e po ashtu edhe e festivalit “Bitef”, vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet njëfarë pajtimi midis vendeve të Ballkanit.
“Kjo shfaqje duhet dhënë gjithandej. Dhe definitivisht duhet dhënë në Bosnjë-Hercegovinë”, ka thënë ajo.
Aktorja boshnjake Ejla Bavçiq kishte thënë se i pëlqejnë veprat që shkojnë drejt e në midis të gjërave, ato që thonë të vërtetën e jo vetëm të flirtohet me disa ide.
“Arti duhet të adresojë këto gjëra. Kjo shfaqje duhet dhënë jo vetëm në Ballkan, por në gjithë Evropën”, kishte thënë aktorja që në fillim të shfaqjes nis të reagojë nga publiku e më pas i bashkohet kastës në skenë. Kjo pjesë është konceptuar si simbolikë që njerëzit nuk duhet të qëndrojnë anash, por të dalin aty ku zhvillohet lufta ndaj së keqes. Bavçiq në Beograd ka vërejtur një gjë që nuk është ogur i mirë.
“Në Kosovë audienca ishte më e hapur. Sonte këtu ishin të mirë, por me njëfarë distance. Ishte një dallim dhe e kemi ndier këtë. Por prapë ishte mirë”, kishte thënë ajo.
Për dallim nga mediat që mbajnë gjallë propagandën e pushtetit aktual në Serbi, platforma mediale më të vogla që merren edhe me kulturë kanë pasur kritika pozitive për shfaqjen e cila do të jepet edhe në disa vende evropiane.