Përderisa pret përgjigje e rivlerësim për konkursin e kaluar ku ajo u vlerësua me më së shumti pikë, Arta Agani sërish i ka hyrë garës për drejtoreshë të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Në janar të këtij viti, me pretendimin se mund të ketë konflikt interesi pikërisht në rastin e Aganit, Ministria e Kulturës anuloi konkursin. Tash e njëjta situatë mund të përsëritet edhe me konkursin e radhës nëse Ministria e Kulturës nuk gjen zgjidhje. Midis konkursit të kaluar e këtij që ende s’ka epilog, ish-drejtoresha e GKK-së për dy javë ka adresuar dy kërkesa e po aq ankesa
Sërish është kandidate për drejtoreshë të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Në konkursin e kaluar qe vlerësuar maksimalisht për këtë pozitë në raport me kundërkandidatët. Ministria e Kulturës e kishte anuluar procesin për gjoja konflikt interesi.
Por Arta Agani nuk ka hequr dorë. Është në dy fronte: kandidate në konkursin e ri e ish-e përzgjedhur për drejtoreshë që ka shkruar një varg ankesash e kërkesash. Ka bërë katër shkresa për dy javë. Ka dërguar dy kërkesa në Ministrinë e Kulturës, një ankesë po në këtë institucion e një kërkesë për interpretim në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Agani pretendon se anulimi i procesit të kaluar për zgjedhje të drejtorit të GKK-së ka qenë i padrejtë.
Nëpërmjet konkursit që u mbyll në ditën e katërt të nëntorit të vitit të kaluar MKRS-ja kualifikoi pesë kandidatë që i plotësonin kriteret e caktuara me konkurs. Si kandidatë të përgjegjshëm u vlerësuan Vlora Hajrullahu, Arta Agani, Arsim Shala, Naim Spahiu dhe Erëmirë Krasniqi. Fuat Islami u diskualifikua, sipas MKRS-së, në mungesë të dokumentacionit të Kosovës dhe përvojës menaxheriale. Genc Kadriut në dosje i mungonin diploma e studimeve në Londër dhe dëshmitë e përvojës së punës. Diploma e dëshmitë e përvojës së punës i mungonin edhe Lendita Zeqirajt.
Pesëshja, e përgjegjshme – sipas gjuhës administrative – e kaloi filtrin e parë e më pas u testuan me shkrim. U intervistuan nga Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës më 25 nëntor të vitit të kaluar.
Këshilli që kryesohet nga piktorja Zake Prelvukaj, më së shumti e vlerësoi ish-drejtoreshën Arta Agani. Ia dha 84.52 pikë. E dyta doli Ermirë Krasniqi me 66.27 pikë.
Rëndom, pas vlerësimeve të Këshillit, MKRS-ja atë që vlerësohet me më së shumti pikë nëpërmjet një njoftimi e prezanton si “kandidat të suksesshëm” dhe pas afatit të ankesave ftohet për të lidhur kontratën për pozitën e paraparë me konkurs.
Agani nuk ishte prezantuar si kandidate e suksesshme. MKRS-ja dyshonte për konflikt interesi.
Para krejt kësaj historie, kryetarja e Këshillit Drejtues, Zake Prelvukaj, kishte konkurruar në MKRS për ta përfaqësuar Kosovën më 2022 në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Pjesë të ekipit e kishte prezantuar edhe Arta Aganin. Më pas MKRS-ja e anuloi procedurën për gjoja mundësi të konfliktit të interesit.
E Agani prej 21 janarit deri më 8 shkurt nisi t’i adresojë shkresat nëpër institucione. Kërkoi qasje në dokumentet e vlerësimit, më pas edhe sqarim për anulimin e konkursit.
Në kërkesën për sqarime, e cila është protokolluar më 21 janar, Agani bën të ditur se asnjëherë zyrtarisht si kandidate nuk është njoftuar për asgjë.
“Mediat kanë cituar burime në MKRS se unë jam pjesë e këtij konflikti të interesit. Unë jam më se e sigurt që nuk jam në konflikt interesi, si arsye që keni anuluar konkursin. Kërkoj ta di se në cilin nen dhe në cilin ligj është i bazuar anulimi dhe të më saktësohet gjendja e pretenduar e konfliktit të interesit”, ka shkruar Agani në kërkesë.
Më pas, më 26 janar, Komisionit të Ankesave dhe Kontesteve në MKRS i kishte dorëzuar një ankesë. Aty është ankuar për shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit të punës, për cenim të së drejtës së punës, diskriminim e pretendime të paqëndrueshme për anulim të konkursit.
“Duke konsideruar se ky anulim nuk ka bazë ligjore dhe po ashtu duke e konsideruar të parregullt dhe të padrejtë anulimin e konkursit për drejtor të GKK-së, propozoj: të rishqyrtohet anulimi i konkursit dhe të shpallen rezultatet e testit me shkrim dhe intervistës për përzgjedhjen e drejtorit të GKK-së duke iu përmbajtur parimeve të meritës...”, shkruhet në ankesë.
Por krejt pretendimet Komisioni i MKRS-së i ka nxjerrë të pabazuara.
Sipas Komisionit të MKRS-së, zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së ka mandat ligjor për të parandaluar konfliktin e interesit. Në vendim është cituar komunikimi i zëvendësuesit të sekretarit me Divizionin e burimeve njerëzore.
“Një nga aplikuesit për pozitën e drejtorit të GKK-së ka qenë partnere në një projekt-propozim me të cilin kanë aplikuar në konkurs publik sipas thirrjes së MKRS-së, me një prej anëtarëve të këshillit Drejtues të GKK-së”, shkruhet aty. Komisioni e ka marrë si të mirëqenë urdhëresën për anulim të konkursit. Sipas Komisionit, MKRS-ja në këtë rast nuk ka pasur nevojë e as detyrim ligjor që të kërkojë interpretim në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Por Agani është në pritje të interpretimit nga kjo agjenci. Në ditën e 8-të të shkurtit ka bërë kërkesë. Ka sqaruar krejt procesin dhe ka kërkuar që të “merret në shqyrtim anulimi i konkursit nga MKRS-ja dhe të bëhet interpretim i konfliktit të pretenduar te ky konkurs, i cili u anulua duke mos iu përmbajtur parimeve të meritës, transparencës dhe rregullave të tjera procedurale të konkurrimit, si dhe vlerësimeve...”. Agani nuk e ka komentuar rastin dhe krejt procesin e ankesave dhe kërkesave.
“Kërkesat dhe ankesat e mia janë edhe komente për procesin. Kështu që nuk kam tjetër koment tash për tash derisa rasti është në shqyrtim në Agjencinë Kundër Korrupsionit”, ka thënë Agani.
E kryetarja e Këshillit Drejtues të GKK-së, sikurse vazhdimisht gjatë procesit, prapë ka thënë se nuk e ka ditur që mund të dalin telashe të tilla.
“Unë kam konkurruar për Bienale dhe Arta Agani në projekt ka qenë kuratore. Sipas Ministrisë, kjo mund të përbëjë konflikt interesi, pasi unë si pjesë e Këshillit Drejtues jam nga ata që i vlerësojnë kandidatët për drejtor të Galerisë”, ka thënë Prelvukaj.
Në konkursin e mbyllur më 4 mars, për drejtor të GKK-së kanë konkurruar Arta Agani, Fehmi Hoxha e Refki Gollopeni. Që të tre i plotësojnë kriteret e konkursit.
Qysh prej gushtit të vitit 2020 Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësues i drejtorit të GKK-së është Naim Spahiu.