Kulturë

Rrënimi i një pjese të monumentit ikonik në Mitrovicë alarmon institucionet

Shtëpia qytetare e shekullit XIX gjendet në zonën e parë të qytetit të Mitrovicës. Autoritetet komunale dhe ato të trashëgimisë kulturore, muajin e kaluar kishin dyshuar për një tentim të rrënimit. Por këtë muaj e kanë vërtetuar atë. Për tentim të rrënimit një person do të japë llogari ligjore, përderisa, shteti ka nisur që të hartojë një projekt për ndërhyrje emergjente

Dy herë është tentuar të rrënohet një prej monumenteve më të rëndësishme të Mitrovicës vetëm gjatë korrikut dhe gushtit. Rasti i “Shtëpisë së Familjes Koroglu” në Mitrovicë ka alarmuar institucionet e trashëgimisë kulturore dhe ato të sigurisë. Për tentimit të rrënimit një person do të japë llogari ligjore, përderisa shteti ka nisur që të hartojë një projekt për ndërhyrje emergjente.

Shtëpia qytetare e shekullit XIX gjendet në zonën e parë të qytetit të Mitrovicës. Autoritetet komunale dhe ato të trashëgimisë kulturore, muajin e kaluar kishin dyshuar për një tentim të rrënimit. Por këtë muaj e kanë vërtetuar atë.

Para katër ditësh, Policia në Mitrovicë, rreth orës 00:35 kishte pranuar një informatë se një person ishte duke rrënuar një ndërtesë e trashëgimisë kulturore.

“Njësitë policore kanë shkuar në atë lokacion ku kanë hasur në një makinë pune, eskavator, ndërsa nuk kishte pasur persona, dhe kanë vërtetur se një objekt i trashëgimisë kulturore ishte dëmtuar”, shkruhet në njoftimin e Policisë. Ky institucion ka bërë të ditur se kanë kane arritur ta identifikojnë te dyshuarin F.H. 26 vjeçar, shtetas i Republikës se Kosovës, i cili është shoqëruar ne Stacionin Policor Jugu në Mitrovicë

“Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale ‘Dëmtimi, shkatërrimi i monumenteve ose objekteve të mbrojtura’”, ka njoftuar Policia. Demolimi i aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë sanksionohet me Kod Penal. Edhe me Ligjin për trashëgimi kulturore gjobitjet shkojnë deri në 500 mijë euro.

Në anën tjetër, Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore dhe Ministria e Kulturës janë alarmuar për rastin.

Sipas Ministrisë së Kulturës, institucionet përgjegjëse të Trashëgimisë Kulturore në kuadër të MKRS-së kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që monumenti “Shtëpia e Familjes Koroglu” në Mitrovicë, “i cili është dëmtuar në mënyrë të qëllimshme, gjë të cilën e kanë evidentuar autoritetet përkatëse të mbrohet nga rreziku i mëtejmë”.

“Në bashkëpunim me organet kompetente, janë ndërmarrë veprimet nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore për ndalim të punëve të paautorizuara dhe janë iniciuar kallëzimet e nevojshme”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së.

Aty bëhet e ditur se menjëherë, qysh javën e kaluar, ekipi për hartimin e projektit ideor të masave të sigurisë-ndërhyrjeve emergjente nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, ka nisur punën për monumentin në fjalë.

Sipas këtij institucioni janë një varg masash që autoritetet përkatëse janë dakorduar që të ndërmerren, si: monitorimi i monumentit nga Policia e Kosovës brenda çdo një ore deri në ndryshim të rrethanave, rrethimi i monumentit të rrezikuar, për të siguruar ndërtesën dhe kalimtarët e rastit nga MKRS dhe hartimi sa më i shpejtë i projektit ideor nga QRTK-Mitrovicë dhe IKMM-ja për masat e sigurisë-ndërhyrjeve emergjente dhe pajisja me pëlqim, jo më larg se deri në fund të kësaj jave.
“Pas ndërmarrjes së këtyre masave, do të vazhdojë hartimi i projektit të konservimit/restaurimit të tërësishëm të ndërtesës”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së.

Komuna e Mitrovicës po ashtu është angazhuar në këtë rast. Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Valdete Idrizi, ka thënë se Inspektorati ka marrë masa.

“Inspektorati i ka vënë shirit një perimetri përreth shtëpisë duke ndaluar aktivitetet. Besojmë se institucionet qendrore do të ndërmarrin masat e tjera, pasi është një monument shumë i vlefshëm për qytetin dhe Komunën tonë”, ka thënë Idrizi.

Për rastin në rrjete sociale ka alarmuar Genti Behramaj nga Mitrovica. Ai ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit, përderisa të martën ka bërë të ditur edhe se është kërcënuar.

“Dje pasdite e kam marrë një telefonatë që më ka shqetësuar edhe më ka habit. U informova që kam me u paditë për shkak të fotografive që i kam bërë, të cilat ja kam bashkëngjitë postimit tim rreth rrënimit të shtëpisë së familjes Koroglu”, ka njoftuar ai në facebook. Ka bërë të ditur se insistimi I tij I vetëm është mbrojta e trashëgimisë kulturore.

KOHA për këtë monument që gjendet në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme ka raportuar edhe më 2018. Në serinë rubrikës “Monument” në “E diela me Kohën Ditore”, gazetari Artan Krasniqi e kishte përshkruar monumentin në detaje.

“Nga tri dritare të mëdha përshkojnë gjithë hapësirën e çardakut, në të tri anët e tij. Ato nuk janë origjinale. Por të tilla janë dritaret e tjera në kat. Në fasadën perëndimore është e hapur një, ndërsa në atë veriore janë të hapura tri dritare njëkrahëshe. Kornizat e drurit të tyre janë mirë të ruajtura. Çardakun e mbajnë katër trarë masivë. Njëri prej tyre është goxha i lëkundur. Të tjerët janë të fortë”, kishte shkruar Krasniqi. Sqaronte se përtej funksionit të tyre, janë dekor për hajatin, ku dikur gjendej freskia e verës. Dyshemeja aty, dhe në një pjesë të madhe të oborrit është e shtruar me gurë. “Ata janë të mëdhenj, e Adnan Koroglu tregon se janë të trashë. Me disa sish, të gdhendur është i ndërtuar një mur i shkurtër, që rrethon një pjesë në oborrin prej 12 arësh”, shkruhet në tekton që më vonë ka zënë vend edhe në serinë e botimeve të KOHË-s “Monument”. Asokohe 68-vjeçar, Adnan Korogli kishte shpjeguar se nuk e dinë saktë kohën e ndërtimit të Shtëpisë.

Një historik të shkurtër e kishte të publikuar edhe Databaza elektronike e Ministrisë së Kulturës, kur ishte funksionale për publikun. Aty shkruante se objekti ndodhet në atë që në popull është e njohur si Kaçamak Mëhallë, jo larg nga qendra e vjetër e qytetit të Mitrovicës, në oborrin e gjerë. “Sipas të dhënave, shtëpia është ndërtuar rreth gjysmës së parë të shekullit XIX nga familja Koroglu. Shtëpia ka funksion të banimit. Ajo i takon tipit me çardak të mbyllur”, thuhej në Databazë. E në përshkrimin e saj tregohej se ajo është e ngritur mbi themelin me gurë, se muret masive janë të murosura në përdhese nga guri, ndërsa muret e jashtme të konstruktuara nga brezat e drurit të mbushur me qerpiç formojnë konstruktin e shtëpisë në kat.

“Muret e jashtme janë të veshura me teknikën e suvatimit me llaç gëlqeror - horasan. Çardaku dhe muret janë në formë konsolle. Dalja e trarëve të dyshemesë së katit nga planimetria e mureve të përdheses së fasadës jugore dhe asaj lindore jo vetëm që rrit hapësirën e brendshme, por njëkohësisht edhe formon artistikisht pamjen e jashtme të shtëpisë”, thuhej aty. Përshkruhej edhe konstruksioni prej druri i kulmit, që cilësohet si klasik. “Kulmi shumëfaqësorë është i mbuluar me tjegulla të argjilës së pjekur-tjegulla tradicionaleqeramidhe. Struktura nuk ka lëvizur. Përveç disa intervenimeve në enterier dhe eksterier, ky objekt në përgjithësi ka ruajtur origjinalitetin e vet”, shkruhej në Databazë. “Shtëpia nuk ka pësuar ndryshime të mëdha në kohë. Në ditët e sotme shtëpia e vjetër qytetare nuk shfrytëzohet nga familjarët, por shtëpia ende e ka ruajtur karakterin e destinimit për banim”.