Zhvillimi individual e ai social, pjekja emocionale, sjelljet dhe ndjenjat e njeriut u ngjajnë dallgëve, të cilat të ndikuara nga rrethanat aktuale të kohës, përbëjnë detin e ekzistencës.
E në mesin e një pandemie, e cila kaploi botën dhe ndryshoi rrjedhën normale të jetës, Zake Prelvukaj u gjend përballë frymëzimeve të saj artistike.
“Rregulla të çrregullta”, i kumbonte me ndryshimin e funksionimit të botës, teksa e izoluar dhe e mbushur frikë, artin pati strehë.
Me kalimin e kohës këto rregulla u shndërruan për të në “të reja”, duke u bindur edhe një herë në obligueshmërinë e përshtatshmërisë së natyrës njerëzore me gjithçka çka e rrethon.
Në mesin e vërshimit të përdorimit të rrjeteve sociale dhe krijimit të një pushtimi teknologjik, Prelvukaj kapi në duar brushat e saj, për të dokumentuar artistikisht këtë pjesë.
Mes ngjyrash e motivesh, ajo shpërfaqi njeriun që ishte kthyer në një robot të kohës, që dalëngadalë fillon dhe e humb edhe ndjeshmërinë.
“Ne jemi më të ndjeshëm ndaj monitorit, e s’kemi ndjenja si më parë ndaj prekjes”, thotë ajo teksa rrumbullakon qëllimin e veprave të reja.
E të gjithë ata që qenë pre e këtij ndërrimi jetësor dhe vërshimit social, u gjendën përballë tablove të Prelvukajt në ekspozitën “Rregullat e reja”, e hapur zyrtarisht të martën në galerinë kombëtare “Çifte Hamam” në Shkup.
Mirëpo katërmurëshet e çdo pjese të Galerisë dëshmojnë se edhe piktores i kanë ndërruar motivet, teksa ajo këtë e pohon edhe vetë.
Por për syrin soditës të publikut, kjo më së miri dallohet nga laramania e veprave.
Mes heshtjes së fjalëve dhe zhurmës së veprimeve
Heshtje. Sytë katër drejt performancës që për pak minuta do ta bënte secilin të ndjekë me vëmendje çdo veprim të ekzekutuar nga Zake Prelvukaj. Vetë ajo veshur me një fustan të bardhë, në mesin e një rrethi të kuq, rrinte e ulur duke jetuar qetësinë para stuhisë.
Tri pasqyra bëjnë që në katër anët e publikut të reflektohet çdo lëvizje këmbe a dore. Dikur protagonistja nisi të lëvizë ngadalë, por me mesazh të fuqishëm.
Të dridhura të fuqishme kaplojnë shputën e saj, teksa godet me gjithë atë pjesë në të rrethkuqin. Ngadalë kjo fillon të shtrihet edhe në pjesët e tjera të trupit të saj. Nga këmba fillon t’i lëvizë dora. Del para publikut si protagonistët që ndiejnë një siklet të brendshëm e s’kanë zë për t’ia kumtuar botës.
Dikur ngrihet, kërkon një shpëtim në mesin e heshtjes zhurmake. Sillet e sillet më kot, por sërish lodhet. Nuk dorëzohet, ngrihet sërish. Eviton shikimin në njërën nga pasqyrat, si një simbolikë e përditshmërisë së zymtë gjatë izolimit. Mbyll veshët bashkë me sytë, sikur mbrohet prej lajmeve të hidhura të asaj kohe.
Ndërkaq ndërronte pozicionin sa nga një pasqyrë te tjera, tek shfaq kalimin nga mëngjesi e deri te gjumi, si një film që regjisori luan me personazhin kryesor, deri në prag të çmendisë.
“Pika e kuqe në të cilën është bërë performanca është pandemia e një viti e gjysmë që jemi duke e jetuar”, përshkruan artistja.
Artistja e “Rregullat e reja” i ndërlidh mirë forcën e luftimit dhe mosqëndrimin duarkryq.
“Rezistenca ime ma ka bërë rezidencën që të bëj shumë punë”, shprehet ajo.
Rrethuar me trininë e pasqyrave, muret e “Çifte Hamam” dëgjuan duartrokitjet e gjata të publikut që i kishte lënë mbresa performanca, e që çdo ulje e Zakes për të përshëndetur ata shoqërohet me bashkim duarsh edhe më shumë.

Përtej kornizave
E përbërë nga 20 vepra të shfaqura në tri mediume të ndryshme – pikturë, fotografi dhe video – “Rregullat e reja” u bë një thirrje artistike mes objektivizmit trupor të gruas, sensualitetit tërheqës të saj, tradicionalitetit ritual, revoltës e në fund, standardit të ri jetësor.
E ndodhur mes pikturave të realizuara që nga viti 2000 dhe atyre që së fundmi “zgjuan” kërshërinë artistike të saj, Prelvukaj më në fundi ngriti flamurin e daljes publike të ekspozitës që u shty si shkak i pandemisë.
Në ekspozitë frymon edhe kombinimi kohor i veprave të saj, mes retrospektivës e atyre që ishin krijuar së fundmi.
Disa nga copëzat e retrospektivës janë paraqitjet trupore të saj përmes ngjyrave. Të vendosura në pëlhura të gjata dhe me kombinimin e së kaltrës, kuqes e së verdhës, Zake Prelvukaj shkon përtej kornizave të mentalitetit ballkanas.
“Në mëngjes isha në studion time në vitin 2000 dhe desha ta përsërisja konceptin që e fillova në vitin 1997”, ishte pikënisja.
Ajo këtë e kishte bërë e shtyrë nga nevoja për të dëshmuar se si plaket trupi njerëzor, në këtë rast ai i gruas.
“Nuk më duheshin furça, fshiva trupin me bojë, kështu që bëj një shtytje dhe shoh ndryshimin përmes prezantimit në kanavacë”, tregon për ecurinë.
Në këtë prolog gjykimesh nga të tjerët për artin e saj, ajo thotë se qëllimi i kësaj nisme artistike nuk kishte qenë t’ua tregonte të tjerëve trupin e saj, por t’i jepte një mesazh shoqërisë.
“Ne kemi një mesazh dhe duhet ta shfaqim atë”
Takimi i parë mes kuratores së ekspozitës “Rregullat e reja”, Ana Frangovska dhe autores Zake Prelvukajt kishte ndodhur 15 vjet më parë.
“Është artiste interesante për të bashkëpunuar në të ardhmen”, thotë Frangovska të ketë menduar atëherë.
Kështu kishte nisur rrjedha koordinuese e bashkëpunuese midis kuratores së lartë në Galeri, maqedonases që kishte studiuar artin digjital në “Universitetin Singidunum” dhe profesoreshës universitare në Kosovë.
Andaj për “Rregullat e reja” kuratorja Frangovska kishe marrë vendimin bashkë me artisten që të mos e shtyjnë edhe më shumë ekspozitën.
“Ne kemi një mesazh dhe duhet ta shfaqim atë”, shprehet Ana Frangovska.
Në anën tjetër, kur ajo i përshkruan Zaken dhe veprat e saj, tregon për qëllimin të cilin ia kishte vënë vetes.
“Ti më ke mbetur në mendje si një artiste fenomenale nga Kosova dhe le ta dëshmojmë këtë”, kishte qenë motivi që ia kishte dhënë ajo Prelvukajt.
Përzgjedhja finale, siç ka thënë Frangovska, iu kishte marrë kohë një muaj, teksa Prelvukaj ia kishte besuar asaj vendosjen se cilat vepra do të dalin para syve të publikut e cilat jo.
Pikturat të cilat janë bërë në periudhën 1999-2000, Frangovska i sheh të veçanta për nga “fuqia e tyre triumfuese”.
“Qasja e saj ka qenë shumë mendjehapur, ajo ka luftuar me paragjykimet e krijuara në atë kohë”, shprehet ajo.
Frangovska kur flet për artisten, veprat e së cilës i ka kuruar, shprehet se ajo ndikohet nga rrethanat sociale, politike e problemet si barazia gjinore.
“Veprat të cilat i kemi përzgjedhur për t’u shfaqur në këtë ekspozitë janë më së shumti të lidhura me këtë gjysmë vitin e fundit të cilin e jetuam. Kjo është arsyeja pse ekspozita quhet ‘Rregullat e reja’”, thotë kuratorja.
Frangovska thotë se nga pandemia njerëzit janë bërë skllevër të digjitalizimit, për ta përmbyllur ciklin përmes të cilit Prelvukaj artistikisht shfaqi lidhjen me botën virtuale.
Ruajtja e vlerave të vjetra në kohën e re
Në një pjesë të galerisë “Çifte Hamam” është e vendosur shenja “+18” dhe të gjithë bëheshin gati për diçka sensuale e tërheqëse. Ndërkaq ende pa futur këmbën mirë në pllakat e dhomës, secili mund të dëgjojë britma në formën e vajit.
“E mjera nana biri jem, t’ka rrit nana si molla në remë”, dëgjohet zë gruaje, e që ishte i vetë autores së ekspozitës.

Zëri i Prelvukajt vjen në formën e ruajtjes së dokeve të vjetra, veçmas vajtimit e këndimit të Malësisë.
Në murin e ndriçuar prej bardhësisë shfaqet një video. Janë dy duar të përgjakura.
“Gjaku nuk lahet kurrë, ai të ndjekë kudo”, është përshkrimi i videos “Gjaku”.
Krejt kjo përshkruhet si një “marrje-larje gjaku”, teksa konkludohet se sa herë që njeriu arritjen e drejtësisë a mbrojtjen e nderit e nis me gjak, fiton vetëm errësirë shpirtërore.
“Gjaku i luftës, i hakmarrjes, i nderit dhe i sherrit janë shtëpia e vajit dhe kulmi i së keqes së njerëzimit”, thuhet tutje në pak rreshta të shkruar për veprën.
Në mesin e shumë simbolikave për gjakun – hasmëri, dashuri, luftë e shumë të tjera – Prelvukaj e ndërlidh fenomenin e derdhjes së tij me shpirtëroren.
“Gjaku ta përndjekë ndërgjegjen”, shprehet Prelvukaj.
Përballë “përmbysjes” së intimes
Në ciklin e fotografive shfaqen dy duar, gishti i mesëm i njërës qëndron i ngritur dhe i lyer me të kuqe. Revoltohet me përshkrimin “Balkan erotic”. E njëjta dorë ndërron pozicion dhe dorën në të cilën shihet kjo fjali e bën grusht, teksa gishtin e ul duke bërë me shenjë drejt përshkrimit.
Përmes shkrepjes së këtyre dy pozave, autorja revoltohet me heshtjen ballkanike ndaj intimes, duke bërë që këto shpesh edhe të përmbysen.
Dy pjesët e tjera shkojnë përtej individuales, depërtojnë në politikën e artit. Autorja pozon me grushtet e saj të shkruara “Demokraci” dhe “Art Modern”, teksa në tjetrën pozë duart shtrihen.
“Në emër të kësaj fjale ‘Demokraci’, shumë krime janë kryer në të gjithë botën, natyrisht duke keqpërdorur krimin e saj për të mirë”, është kuptimi rrumbullakues i veprave.