Kulturë

Rrëfimet kosovare në vëmendje të festivalit gjerman, “Zgjoi” triumfon

“Nga Kosova do të shohim edhe më shumë filma në vitet që vijnë. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi që këto rrëfime në të kundërtën nuk do të arrinim t’i shihnim në ekrane të mëdha”, ka thënë kuratorja Karina Gauerhof, pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Braunschweig, që i dha çmimin “Die Tilda” filmit “Zgjoi”. Regjisorja Basholli nëpërmjet një video-mesazhi ka treguar se gjatë luftës së fundit në Kosovë ka gjetur strehë si refugjate në Gjermani. Madje, Braunschweigun, qytetin e dytë më të madh në Saksoninë e Ulët, e kishte vizituar shpesh pasi që atje kishte dajën e saj, dhe pikërisht ky qytet i jepte ndjesinë e shtëpisë

Kuratorja kryesore e programit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Braunschweig, Karina Gauerhof, nuk e kishte të lehtë të përzgjidhte filmat për edicionin e sivjetmë. “Kishte filma të jashtëzakonshëm. Mes tyre edhe dy nga Kosova – (v.j. ‘Zgjoi’ me regji të Blerta Bashollit dhe ‘Luaneshat e kodrës’ e regjisores Luana Bajrami)”, do të shprehej ajo. Kur shpalosi detaje për programin, Gauerhof nuk e dinte se pikërisht një film nga Kosova edhe do të shpërblehej. “Zgjoi” mbrëmjen e së shtunës mori çmimin “Die Tilda”, të cilin juria e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Braunschweig e ndan për filmin më të mirë nga një regjisore.

Mirëpo Gauerhof që në fillim kishte potencuar rëndësinë e kinematografisë së Kosovës. “Nga Kosova do të shohim edhe më shumë filma në vitet që vijnë. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi që këto rrëfime në të kundërtën nuk do të arrinim t’i shihnim në ekrane të mëdha”, do të thoshte Gauerhof.

Edicioni i 35-të i “Braunschweig International Film Festival” u mbajt në formatin hibrid: filmat u shfaqën në kinema dhe online. Edicioni i sivjetmë nisi më 1 nëntor dhe përfundoi të dielën. Në anën tjetër, “Luaneshat e kodrës” ishte nominuar për çmimin e publikut “Der Heinrich”, çmimin “Volkswagen Financial Services” dhe po ashtu për “Die Tilda”, ku triumfoi “Zgjoi”, që ishte në kategorinë “New International Cinema” bashkë me 19 filma të tjerë.

Regjisorja Blerta Basholli përmes një video-mesazhi ka thënë se ajo ka një lidhje të veçantë me festivalin dhe me këtë qytet gjerman.

Ka treguar se gjatë luftës së fundit në Kosovë ka gjetur strehë si refugjate në Gjermani. Madje Braunschweigun, qytetin e dytë më të madh në Saksoninë e Ulët, e kishte vizituar shpesh pasi që atje kishte dajën e saj dhe pikërisht ky qytet i jepte ndjesinë e shtëpisë.

“Prandaj ky çmim ka shumë rëndësi për mua, veçanërisht pasi që vjen nga edicioni i 35-të i Festivalit. Gjithashtu, të marrësh çmimin ‘Die Tilda’ është ndjenjë shumë e veçantë, pasi që e kemi realizuar këtë film duke mos e ditur se sa ndikim do të kemi te njerëzit. Rrëfimi i Fahrijes ishte mbresëlënës dhe ne kemi punuar me shumë pasion, prandaj është shpërblyese të shohësh reagimet pozitive që njerëzit po kanë karshi filmit”, ka thënë ajo.

Drama e jashtëzakonshme e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, e të cilat luftojnë kundër patriarkatit, është filmi debutues i metrazhit të gjatë i regjisores Basholli.

Image

“Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, e nisi mbarë me tri çmime qysh në premierë botërore në shkurt – Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës – në “Sundance Film Festival”. Që nga ajo kohë, aty ku nuk u shpërblye mori kritika pozitive. Tash “sezoni i vjeshtës” që konsiderohet edhe koha më e mirë për promovim, e gjen në festivale të ndrydhe ndërkombëtare.

Kandidati i Kosovës për “Oscar”, po ashtu, është përzgjedhur nga “European Film Awards” si një nga kandidatët për nominim për çmimet prestigjioze evropiane të kësaj akademie. Premiera kombëtare e filmit u dha më 24 gusht në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të edicionit të 13-të të “PriFest”. “Zgjoi” ka nisur shfaqjen e tij edhe në kinematë e vendit, po shfaqet edhe në Shqipëri, Maqedoni, Zvicër dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në anën tjetër, “Luaneshat e kodrës” sjell një rrëfim të gjallë e freskues për një treshe vajzash që shndërrohen në një bandë hajdutesh për t’i shpëtuar fatit të paracaktuar. Filmi i parë i gjatë i bashkëprodhuar nga Kosova e Franca dhe i xhiruar në Kosovë pati premierën e tij në Festivalin e Cannes, që në korrik të këtij viti shënoi edicionin e 74-t.

Bajrami, e cila ishte prezente gjatë ditëve të festivalit gjerman, në një bisedë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Braunschweig, ka thënë se mendon se ka hyrë në botën e filmit si aktore për t’u bërë regjisore.

“Po ashtu mendoj se këtu të dyja pasurojnë njëra-tjetrën”, ka thënë ajo. Gjersa ka shtuar se ani pse filmi zhvillohet në Kosovë, ajo flet për diçka me të gjerë.

“Kam dashur që të flas për rininë në përgjithësi, diçka universale, fakti që nuk flasin shumë por bërtasin, pasi që të ulërish është diçka që njihet në gjithë botën, pra kam dashur që t’u jap zë të rinjve që qëndrojnë për një kohë të gjatë të heshtur, pasi që kur nuk flet nuk ke zë për të treguar se çfarë po ndodh”, ka thënë ajo.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Braunschweig u rikthye me formatin hibrid pas edicionit të vitit të kaluar të mbajtur komplet online. Edicionin e sivjetmë e nisi me një koncert filmi në Teatrin Shtetëror të Braunschweigut. Muzika nga filmi klasik pa zë “The Golem, How He Came into the World” nga Paul Wegener dhe Carl Boese daton nga viti 1920. Orkestra Shtetërore e Braunschweigut luan muzikë live për filmin e restauruar e që për një kohë të gjatë u konsiderua i humbur. Për herë të parë, pas më shumë se 90 vjetësh, muzika e kompletuar e filmit u përjetua e plotë dhe live nga një orkestër e madhe.