Me Rona Nishliun në vokal, Edon Ramadanin në piano, Kiril Tufekcievski në kontrabas dhe Nesim Maxhunin në bateri, pas tre vjetësh mungese në skenë u rikthye “Rona Nishliu Quartet” pikërisht në natën e tretë të edicionit të tretë të “Peja Jazz”. U dhanë jehonë këngëve të vjetra shqipe, teksa pos dokumentimit të tyre, u japin edhe jetë të re. Sollën energji në publik nëpërmjet ndërhyrjeve moderne e të guximshme në to, por pa ua cenuar zanafillën
Se është njëri prej zërave më të veçantë të skenës vendore, është dëshmuar kaherë. Që atëherë ka qenë e qartë se i takon një fryme tjetër të artistëve. Të atyre që krijojnë për të ruajtur diçka, u japin zë këngëve të vjetra shqipe në mënyrë që të dokumentohen. E në rrugëtimin e saj atraktiviteti s’mungon, pikërisht nëpërmjet ndërhyrjeve moderne në to.
Skenën e zotëron mjeshtërisht. Në momentin që dritat bien mbi të, e jep maksimumin e energjisë së saj, e cila reflekton edhe në vetë fytyrat e disponimin e publikut. Zëri i saj mund të shkojë fuqishëm edhe në notat më të larta. Por në të njëjtën kohë loja profesionale me zërin e bën që të tingëllojë tejet qetë dhe butë atëherë kur këndon balada.

Edhe më komplekse e të rrumbullakuar e përbën fakti që krah vetes ka tre instrumentistë profesionistë. Me Edon Ramadanin në piano, Kiril Tufekcievski në kontrabas dhe Nesim Maxhunin në bateri, pas tri vjetësh mungese në skenë u rikthye “Rona Nishliu Quartet” pikërisht në natën e tretë të edicionit të tretë të “Peja Jazz”, të hënën mbrëma.

Kuarteti u dha jetë këngëve nga dy albumet “Me motivet tona” dhe “Mindil”. Mirëpo, përzgjedhja e disa prej tyre erdhi sipas shijes së testuar të audiencës nëpër koncerte e festivale e që në Pejë tingëlluan si një rrugëtim që arrin të mbante energjinë e të pranishmëve në kinemanë “Jusuf Gërvalla” tejet në nivel. “Me motive tonat”, “Moj e bukura More”, “Moj e bukura gjitonë”, “Moj e majr e hollë e gjatë”, “Rruga që shkela dikur”, “Vare vare”, ishin disa nga dromcat e rrugëtimit muzikor mbi njëorësh. Duartrokitjet në fund të koncertit qenë të gjata. Publiku e falënderoi katërshen me ovacione, teksa edhe e detyroi të rikthehet në skenë me “Ke pjeshka”. Ndërkaq komunikimi përveç me muzikë, u mbajt edhe nëpërmjet ndarjes së përvojave e ndjenjave të vetë solistes.
“Ka qenë një dëshirë e imja për të eksperimentuar me këngët shqipe, jo t’i sjellja në versionin që jemi mësuar por t’i sjellim në kontekste të ndryshme. S’ka qenë e lehtë me guxu me i zhvendosë nga natyra e vërtetë prej ku kanë buruar, sepse kanë qenë aq të mira, saqë origjinaliteti dhe veçantia e tyre u kanë mundësuar të jetojnë gjatë me popullin”, ka thënë Nishliu në njërën prej pauzave në mes të këngëve.
Për rikthimin me “Rona Nishliu Quartet”, ajo ka thënë se e ka pritur qe një kohë të gjatë. Ndërkaq në fund të koncertit ka vlerësuar vlerëson se ka qenë natë magjike për të.
“Kanë qenë këngë të shkëputura nga dy albumet por s’kanë qenë të gjitha se ka shumë më shumë por në bazë të koncerteve që i kemi mbajtur në vitin 2019 para pandemisë, kemi pasur mundësi të dimë se çka e pëlqen publiku, çka ka bërë përshtypje, çka mundet me intrigu dhe kështu i kemi përzgjedhur”, ka thënë Nishliu.
Nga të gjitha këngët të cilave u dha zë, edhe përgjatë interpretimit u vërejt që në paralajmërim të këngës se “Rruga që shkela dikur” mbetet më unikja. Tregon se e ka ëndërruar pikërisht ta këndojë në Pejë e në kinemanë “Jusuf Gërvalla”. Kjo, për shkak se është vepër me plot ndjenja, me vargje të bukura të shkruara nga poeti e këngëtari, Jusuf Gërvalla.
“Për sonte ka shumë kohë që mezi kam pritur ta këndoj në këtë vend është ‘Rruga që shkela dikur’ sepse në fakt është edhe një prej këngëve më të preferuara të albumit të dytë, me tekst të Jusuf Gërvallës, me melodi shumë të bukur. Sonte kisha emocione më të shtuara për atë këngë”, ka thënë ajo.

Pianisti Edon Ramadani, që si përherë, ka qenë mjeshtëror në piano, ka vlerësuar se ky koncert ka qenë i nevojshëm për ta si anëtar të kuartetit.
“Ishte bukur sepse ka kohë që s’kemi interpretuar bashkë dhe me shumë kënaqësi pranova ftesën që të interpretoj këtu, sepse me këto dy albume kemi pasur goxha koncerte jo veç në Kosovë, por edhe nëpër botë, Gjermani, Vjenë, Maqedoni e Shqipëri. Kemi pasur nga një turne të vogël për secilin album”, ka thënë instrumentisti, dirigjenti e kompozitori i njohur. Ka specifikuar se mes të qenit pianist e dirigjent ka dallime të dukshme, mirëpo te kjo e para – si në rastin e koncertit në “Peja Jazz” – gjen “lezet në interpretim”.
E rikthimin e ka shijuar edhe bateristi Nesim Maxhuni, i cili publikun e pranishëm e vlerëson si fantastik teksa pjesëmarrjen në këtë festival si privilegj.
“Me këtë bend dhe me Ronën qysh prej ditës së parë të bashkëpunimit ka qenë njëfarë rrugëtimi shumë i ëmbël se Rona e ka sjellë një format të ri të këngëve të vjetra, në mënyrë sa më autentike e organike. Dy albumet janë në atë frymë”, ka thënë ai. “Jemi munduar sa më shumë me i dhënë hapësirë asaj lirisë së shprehjes, ritmit edhe me sjellë sa më mënyrë organike, që me pasë mundësi që atë çfarë është incizuar me dhënë emocion në koncert”.
Njëri prej orkestrimeve të tij “Serenatë për nusen” u jetësua në koncert. Qe këngë që fillimisht pati destinim solo-albumin e Maxhunit por ndërroi gjatë rrugës.
“Duke biseduar me Ronën i thashë: ‘I vyen albumit një baladë dhe e kam një”. Ajo po qesh, s’e priti nga unë një baladë duke qenë më ritmik, më energjik. Rona e ka kurorëzuar me një performim të jashtëzakonshme”, ka thënë Maxhuni.

Kontrabasisti Kiril Tufekcievski ka thënë se ka qenë ndjesi shumë e mirë loja me kolegët e tij profesionistë.
“Është shumë e lehtë, me ta s’mendon veç luan. Kjo është jeta e një muzikanti. Rikthimi në skenë është diçka speciale, sepse e praktikon muzikën, vjen koha që ta shprehësh atë praktikë kështu që atë që e ke mbajtur brenda vetes, vjen koha dhe e dërgon jashtë te publiku”, ka thënë Tufekcievski.
Para nisjes së koncertit, kuratori i këtij edicioni Dardan Selimaj falënderoi Komunën e Pejës për sigurimin e pianos, e cila i ka munguar festivalit viteve të kaluara.
“Uroj që në të ardhmen do të ketë piano edhe të tjera, sepse është shumë e rëndësishme që sot ndryshe prej viteve të kaluara e kemi një instrument i cili ka me i dhënë shumë ngjyrë performancës”, ka thënë ai duke potencuar te nevojat e pasjes së instrumenteve për festivale të tilla.
Të martën mbrëma “Peja Jazz” e ka përmbyllur kapitullin e tretë me performancën e Vinicio Capossela në vokal, kitarë e piano, Victor Herrero në piano, Andrea Lamacchia në kontrabas, Giovannangelo de Gennaro në flaute e viella dhe Vincenzo Vasi në teremin dhe perkusione.