Kulturë

“RLIOF” i akorduar për “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”

rame lahaj

Prova gjenerale e koncertit të parë të “RLIOF-it”, para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, të martën mbrëma. Sonte (e mërkurë) me koncertin “Nexhmije Pagarusha” katër artistë do ta hapin rrugëtimin dhjetëditor të këtij festivali

Nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj” parasheh të tejkalojë çdo limit në thirrjen për të frymuar lirshëm muzikalisht. “RLIOF” për çdo vit sa vjen e zgjerohet duke u shndërruar në njërën prej ngjarjeve më të mëdha operistike jo vetëm në Kosovë. Tema është një thirrje e mesazh për sfidën më të madhe infrastrukturore që është mungesa e një shtëpie opere, por jehona e saj vjen me elegancën e operës që e sjellin emra të shquar të skenave botërore

Përgatitjet tashmë janë në fazën finale, derisa një program i ngjeshur nis të shpaloset prej sonte (e mërkurë) e deri më 2 gusht. Për dhjetë ditë Festivali Ndërkombëtar i Operës “Rame Lahaj” (RLIOF) do ta mbushë ajrin e kryeqytetit me zërat e artistëve, të cilët me shumëllojshmërinë e cilësitë e tyre do të japin performanca me misionin për të ndërtuar një vizion të përbashkët për të ardhmen kulturore të Kosovës. 

Nën moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, edicioni i pestë parasheh të tejkalojë çdo limit në thirrjen për të frymuar lirshëm muzikalisht. Themeluar nga tenori shqiptar Rame Lahaj – i cili është fitues i çmimit “Operalia” më 2016 dhe që ka performuar në skena të mëdha botërore si “Royal Opera House” në Londër, “Paris National Opera” në Paris, “Bolshoi Theatre” në Moskë, “Arena di Verona”, “Opera Australia”, “Los Angeles Opera”, “Teatro Real” në Madrid dhe shumë të tjera –  “RLIOF” për çdo vit sa vjen e zgjerohet duke u shndërruar në njërën prej ngjarjeve më të mëdha operistike jo vetëm në Kosovë. Frymëzuar nga kujtimet e tij, i rritur me këngët e njohura të muzikës shqipe, të cilat i këndonte nën urimin e nënës “T’knoft zemra”, vitin e kaluar festivali “RLIOF” bënte ndërlidhjen e trashëgimisë muzikore dhe rrëfimeve personale të artistëve me gjuhën universale të operës, pikërisht nën moton “T’knoft zemra”.

E ky edicion do të hapet të mërkurën me aktivitetin “Nexhmije Pagarusha”, i cili në hapësirat e jashtme të Bibliotekës Kombëtare do të sjellë emra të njohur muzikantësh.

Në këtë mbrëmje, dedikuar ikonës së muzikës shqiptare, katër artistë do ta hapin rrugëtimin dhjetëditor të këtij festivali. “Arbëreshë”, artiste shqiptare e rritur në Zvicër, do të sjellë një kombinim unik të tradicionales dhe bashkëkohores përmes muzikës, Edona Reshitaj, këngëtare, kantautore, producente dhe aktore, do të ketë performanca me kombinimin e muzikës tradicionale shqiptare me jazin, si dhe baritoni Adhurim Grezda do të sjellë stile të veçanta në ndërthurjen e muzikës klasike dhe asaj popullore qytetare shqiptare. Përveç këtyre, në natën hapëse edhe Gala El Hadidi, e cila është mazosoprano egjiptiane me famë ndërkombëtare, do të performojë për publikun e Prishtinës.

Programi i hapjes do të përsëritet edhe dy ditë të tjera në lokacione të ndryshme, të enjten në Pejë e të premten në Mitrovicë. E diela do të sjellë një program edukativ për të rinjtë. Në bashkëpunim me Korin e Fëmijëve dhe Orkestrën “Amadeus” ky projekt ka për synim mbështetjen e edukimit kulturor të brezave të rinj, duke i afruar ata me bukurinë dhe emocionet e muzikës klasike.

“Edicioni i këtij viti është viti i pestë jubilar i Festivalit Ndërkombëtar të Operës ‘Rame Lahaj’ dhe vjen me tematikën ‘Ëndrra pa kufi, Opera pa mure’. Këtë vit sjellim në gala mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’ më 2 gusht krahas tenorit tonë Rame Lahaj, sopranon Nino Machaidze e basin Dario Russo, nën përcjelljen e Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar nën udhëheqjen e maestro Roberto Rizzi Brignoli”, ka thënë në një përgjigje për KOHËN Besmir Vokopola, koordinator artistik i festivalit “RLIOF”.

Marigona Qerkezi rikthehet në Prishtinë për “Opera Night” të dielën. Sopranoja e shquar me një rrugëtim plot zell dhe me virtuozitet të jashtëzakonshëm, e njohur për prezencën e saj të fuqishme skenike, në “Opera Night” do të performojë kryevepra nga Bellini, Verdi, Puccini, do të interpretojë edhe vepra nga kompozitorë shqiptarë dhe tinguj satirikë të Bernstein dhe Gershwin, të cilat do të shoqërohen me piano nga Jess Rucinski.

Misioni i këtij viti jubilar është që të ndërtojë një realitet të ri, pa kufij, ashtu siç e thotë edhe tema e sivjetme. Sipas Vokopolës, fondacioni “Rame Lahaj” bashkë me festivalin tentojnë të avokojnë në sistemin edukativo-kulturor të vendit.

“Vetë tema e këtij viti ‘Ëndrra pa kufi, Opera pa mure’ është një thirrje e mesazh për sfidën më të madhe infrastrukturore për secilin artist të skenës operistike e që është mungesa e një shtëpie opere. Mirëpo, fondacioni ‘Rame Lahaj’ dhe Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj, përveçse e vendos Kosovën në hartën ndërkombëtare të artit operistik, shërben edhe si një platformë avokuese edukativo-kulturore e që njëherësh është edhe misioni ynë”, ka thënë ai.

Me tenorin Ramón Vargas, të martën në hapësirat e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës do të organizohet mbrëmja “New Generation”, e cila u dedikohet artistëve të rinj që do ta prezantojnë punën e tyre nga programi disaditor “Masterclass”.

Festivali do ta sjellë për herë të parë në Kosovë mexosopranon Anita Rachvelishvili, e cila ka pushtuar skenat e “La Scalas”, “MET”-it, Parisit dhe më gjerë. Në Prishtinë, të mërkurën e ardhshme në atë që quhet “Ensemble Evening”, ajo do ta bjerë artin e saj për publikun kosovar në një mbrëmje që, sipas programit, premton të jetë historike. Krah saj do të jetë Ansambli i Festivalit “Rame Lahaj”, në krye me maestron Nikoloz Rachveli, i cili do ta udhëheqë këtë mbrëmje muzikore.

Historike dhe e paharrueshme do të jetë mbrëmja kurorëzuese e këtij edicioni. Sikurse në edicionet e kaluara, mbrëmja gala “Rame Lahaj & Friends”, që është pika kulmuese e festivalit, sjell emra nga më të shquarit të muzikës operistike. 

Përveç tenorit Rame Lahaj, kjo mbrëmje do të sjellë në sheshin “Skënderbeu” edhe performancat e sopranos me origjinë nga Gjeorgjia, Nino Machaidze, si dhe basit italian, Dario Russo, nën drejtimin e dirigjentit Roberto Rizzi Brignoli.

Rame Lahaj si figurë përfaqësuese e muzikës operistike, në Kosovë ka prurë tashmë një reputacion dhe një standard të lartë artistik. “RLIOF” çdoherë krijon program më të pasur sesa në edicionin e kaluar. Vokopola ka treguar se me këtë festival arti operistik në rajon ka një pikë referimi dhe kjo tregon se arti dhe muzika klasike në Kosovë “kanë një të ardhme premtuese”.

“Tenori ynë Rame Lahaj, si një nga figurat më të njohura të muzikës operistike në skenën ndërkombëtare, sjell me vete jo vetëm emrin dhe reputacionin e tij, por edhe një standard të lartë artistik dhe një vizion të qartë për afirmimin e kulturës sonë në botë. Rritja e RLIOF është e dukshme vit pas viti, qoftë në cilësinë e programit artistik, praninë e emrave të njohur nga skena botërore, ashtu edhe në interesimin e madh të publikut. Festivali Ndërkombëtar i Operës ‘Rame Lahaj’ po shndërrohet në një pikë referimi për artin operistik në rajon, duke treguar se arti dhe muzika klasike në Kosovë jo vetëm që kanë vend, por kanë edhe një të ardhme premtuese. Kjo dëshmon për fuqinë e përkushtimit, vizionit dhe besimit në potencialin artistik të Kosovës”, ka shpjeguar rrugëtimin e festivalit koordinatori artistik i festivalit Besmir Vokopola.