Kulturë

“Ritet familjare – këngët e kanagjegjit” nëpër histori për zërin e gruas

Në shikim të parë, shfaqja “Ritet familjare – këngët e kanagjegjit” duket si shpalosje e traditës, por në esencë vjen edhe si mesazh për ndryshimin e pozitës së gruas në shoqërinë shqiptare. Dhuna kundër gruas e manifestuar gjatë kohëve të fundit ka qenë motivim për këtë angazhim të studentëve të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren

Studentët e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, nën mbikëqyrjen e profesoreshës Vjollca Dibra, kanë realizuar shfaqjen “Ritet familjare - këngët e kanagjegjit”, që është shpalosur para audiencës në amfiteatrin e këtij institucioni të arsimit të lartë. Bartësit e këtij aktiviteti kanë bërë të ditur se dhuna kundër gruas, e manifestuar gjatë kohëve të fundit, ka qenë motivim për këtë angazhim me studentët, me qëllimin që të ngrihet zëri për nevojën e ndryshimit të gjendjes së gruas në shoqërinë kosovare.

“Në fakt, ne kemi dashur të përçojmë një mesazh që gruaja në shoqërinë tonë ka qenë jo në gjendje të mirë. Një dhembshuri për gjendjen e gruas nëpër kohë të ndryshme në shoqërinë tonë dhe një mesazh që kjo ndoshta edhe me elemente të caktuara ende mbizotëron në shoqërinë tonë. Një element që ne po duam ta zhdukim apo largojmë nga shoqëria jonë”, ka thënë profesoresha Dibra, për ngjarjen e mbajtur të enjten.

Kjo porosi, sipas saj, sidomos në këtë kohë do të jetë domethënës. “Nuk është e lehtë, është shumë e vështirë, por mendoj që në aktivitete të tilla jashtëmësimore, në aktivitete kulturore ne deri diku fillojmë dhe e përçojmë këtë mesazh. Sa ia dalim mbetet të shihet. Por kur të gjithë bëjmë diçka mendoj se arrijmë deri diku. Por, nëse s’bëjmë asgjë sigurisht se heqim dorë nga qëllimi që ia shtrojmë vetes”, ka theksuar ajo.

Shfaqja ka filluar me një ese të shkruar nga studenti Butrint Balaj, të lexuar nga profesoresha Dibra, që trajton pikërisht gruan në histori, në shoqëri dhe në familje, e cila pasohet nga shkuarja e mësitit te shtëpia e vajzës, me ritet e dasmës, shkuesi kërkon dhe merr dorën e vajzës. Kanë pasuar këngët e burrave, për t’ua lënë skenën më pas grave për këngët e kënasë, duke pasqyruar dhimbjen për motrën, shoqen, bijën që do të shkojë nuse, pastaj këngë të dasmave me def nga grupi i vajzave, përderisa në skenë sërish rikthehen burrat me çifteli me këngët “Ani moj Shqypni mos thuaj marova” dhe “Diell e hanë shndrit atdhe”.

Në fund, grupi i vajzave kanë shoqëruar vallen me tekstin e këngës "Moj Hatixhe në shami të kuqe".

Kjo shfaqje ka ngjallur emocione edhe te studentja Arime Kryeziu që është paraqitur në rolin e nuses.

“Me thanë të drejtën e ndjeva sikur të jem martuar për së vërteti, sepse ishin emocionet reale dhe u ndjeva shumë shumë mirë dhe e emocionuar në të njëjtën kohë”, është shprehur ajo, pas përmbylljes së programit.

Në anën tjetër, dekani i Fakultetit të Filologjisë, Flamur Shala, ka bërë të ditur se ky fakultet po bën përpjekje që të merret me aktivitete të lira, të cilat në fakt shënojnë traditën e trashëgiminë e kësaj shoqërie.

“Trashëgimia jonë kulturore përbën një mozaik të gjerë kulturor dhe në kuadër të këtij mozaiku një vend të rëndësishëm zë letërsia popullore, përkatësisht letërsia gojore, e që në kuadër të kësaj trashëgimie vend të rëndësishëm, të vazhdueshëm e zë kënga që në epiqendër ka fjalën shqipe”, ka deklaruar Shala, para të pranishmëve.

Ndërkaq prorektorja e Universitetit “Ukshin Hoti”, Albana Milaimi, ka shprehur mirënjohjen në adresë të pedagogëve dhe studentëve për promovimin e vlerave të tilla që, sipas saj, vetëm se i lartësojnë vlerat e gjuhës shqipe.

“Ne mbijetuam duke përcjellë historinë, kulturën dhe gjuhën te brezat e ardhshëm, përmes telave të çiftelisë arritëm t’u tregojmë fëmijëve tanë për sakrificat e paraardhësve tanë dhe sakrificat që bëri populli për gjuhën, kulturën dhe historinë”, ka thënë ajo.

Aktivitete të ngjashme kulturore nga studentët e këtij fakulteti janë realizuar edhe në të shkuarën.