Kulturë

Riorganizimi i mobilierisë urbane, sfidë për qendrën e Prizrenit

Duke e parë se tendat, ulëset, tavolinat, reklamat e shumëçka tjetër janë të llojllojshme, autoritetet komunale ka kohë që synojnë që dukja dhe vendosja e tyre të definohet me dokument. Por aktiviteti i prokurimit për hartimin e udhëzuesit për “Riorganizim të elementeve të përkohshme (mobilierinë urbane) në Qendrën Historike të Prizrenit” ka dështuar për të dytën herë

Përpjekjet e Komunës së Prizrenit për hartimin e një udhëzuesi për riorganizimin e mobilierisë urbane në Qendrën Historike deri më tani kanë rezultuar të pasuksesshme. Asnjë ofertues nuk është paraqitur në konkursin e shpallur për këtë qëllim. Aktiviteti i prokurimit është shpallur dy herë për këtë projekt, por në të dyja rastet është anuluar nga organet komunale për shkak të mungesës së ofertave.

“Komuna e Prizrenit e ka tenderuar dhe ritenderuar këtë aktivitet të prokurimit, por nuk ka pasur ofertues, prandaj dhe është anuluar. Në të ardhmen nëse kërkohet nga Drejtoria për Turizëm, ne mund ta iniciojmë sërish aktivitetin e prokurimit”, ka thënë Isa Osmankaj, shef i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit.

Sipas njoftimeve të publikuara në ueb faqen e Komunës së Prizrenit, anulimi i parë i konkursit ka ndodhur në muajin korrik, derisa anulimi i dytë i këtij aktiviteti të prokurimit ka ndodhur në muajin tetor.

Drejtoresha e Turizmit, Sevil Liman-Kazaz, ka theksuar se çështja e mobilierisë urbane në Qendrën Historike të Prizrenit nuk është e definuar, prandaj dhe nevojitet një udhëzues për të vënë rregull në këtë drejtim.

“Ka pasur shumë probleme në këtë drejtim, që janë ende të pranishme në Qendrën Historike të Prizrenit lidhur me vendosjen e llojllojshme të tendave, ulëseve, pastaj tavolinave, e të tjera. Për këtë arsye kemi bërë këtë konkurs që të kemi një udhëzues që ta rregullojmë këtë problem”, ka thënë Liman-Kazaz.

Sipas saj, hartimi i këtij udhëzuesi del si kërkesë edhe nga Plani i Menaxhimit të Qendrës Historike, sikurse edhe nga Strategjia për zhvillimin e turizmit.

“Por me sa duket nuk ka interesim nga operatorët që ta realizojnë këtë udhëzues”, ka deklaruar ajo.

Në dosjen e konkursit të projektimit për hartimin e udhëzuesit për “Riorganizim të elementeve të përkohshme (mobilierinë urbane) në Qendrën Historike të Prizrenit”, ndër të tjera, thuhej se hapësirat që përfshihen janë rrugët brenda zonës historike të qytetit, përkatësisht në afërsi të Sheshit Shatërvan, me ç’rast “projekti duhet të përfshijë dizajnimin e hapësirave publike të lartpërmendura, duke përfshirë edhe elementet mikro-urbane gjithnjë duke u bazuar në dokumentet dhe ligjet në fuqi”. Aty theksohej se duhej bërë zgjidhja ideore për unifikimin e tendave, organizimin e tavolinave në shumicën e lokacioneve, derisa parashihej edhe projekti ideor për stendat e shitjeve dhe projekti ideor për reklamat. Në dosje parashihej që pas përzgjedhjes së projektit fitues, projekti ideor i të gjitha elementeve t’i nënshtrohej konsultimit publik dhe sugjerimeve të komisionit trepalësh, që do të pasojë me hartimin e projektit zbatues, që do t’i shërbente Komunës për investime kapitale. Në të njëjtën kohë fituesi i konkursit do të shpërblehej me 13.000 euro, vendi i dytë me 2.500 euro dhe vendi i tretë me 1.500 euro.

Ndërkaq në Planin e Menaxhimit të Qendrës Historike të Prizrenit njëra prej objektivave është Zhvillimi i politikave të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për menaxhim të hapësirave publike, në kuadër të së cilës parashihet hartimi i një udhëzuesi për dizajn dhe mobilieri urbane. Në këtë dokument shkruan se aktualisht në këtë zonë historike hasen disa lloje të mobilierisë urbane dhe të ndriçimit. Aty theksohet se Plani i Konservimit dhe Zhvillimit për Zonën Historike të Prizrenit parasheh që të gjitha elementet që përbëjnë imazhin të jenë në harmoni me arkitekturën tradicionale të Prizrenit.

Gjatë këtij viti ka pasur edhe reagime të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit lidhur me praninë e kioskave, tezgave, tavolinave dhe elementeve të tjera montazhe, parkingjeve, si dhe kontejnerëve në afërsi të monumenteve, pastaj reklamave në mospërputhje me dispozitat e ligjit përkatës, e të tjera.

Drejtoresha e Turizmit, Sevil Liman-Kazaz ka theksuar se duke e marrë parasysh situatën aktuale, Komuna duhet patjetër që ta ketë një udhëzues të këtillë, dhe se do të shqyrtohen edhe opsionet tjera të mundshme për hartimin e tij.

“Do të komunikojmë me QRTK-në, KTK-në, DUPH-në. Pasi nuk mundëm ta bëjmë me prokurim, duhemi me i taku ekspertët, QRTK-në, KTK-në, Urbanizmin, që sa më parë me gjet një zgjidhje për këtë. Ndoshta mund ta hartojmë bashkë këtë udhëzues, sepse ai na duhet”, ka përfunduar Liman-Kazaz.