Kulturë

Rexhep Ismajli: Në tri dekadat e fundit shqipja po jeton fazën e zhvillimeve të papërjetuara

Gjuhëtari Rexhep Ismajli nëpërmjet temës “Shqipja sot – Reflekse rreth ‘krizës’ në gjuhë” ka paraqitur disa pikëpamje të rrugëtimit që po bën gjuha shqipe sot. Sipas tij, diskutimet për krizën në gjuhë nuk janë diçka që ndeshet rrallë. Ka thënë se pa qenë krej­tësisht sistematike, ato reflektojnë fazën e zhvillimeve të panjohura më parë në historinë e shqipes. “Nga zhvillimet në rritje të proceseve të standardizimit dhe të stabilizimit të përdorimeve në këtë nivel, në tri dekadat e fundit shqipja po jeton fazën e zhvillimeve të papërjetuara më herët në historinë e saj, duke kaluar nga funksionimet në bashkësi rela­tivisht të përkufizuara të folësve, me varietetet e shkruara, përmes lulëzimit si asnjëherë më parë të përdorimeve të shkruara e në ndeshje të drejtpërdrejtë me shumë gjuhë të tjera, me mundësi dhe horizonte zhvillimi në hapësirat që ofron revolucioni teknologjik në fushën e komunikimeve, shfaqen përpara saj ‘rreziqe’ të papërjetuara më herët”, ka thënë akademik Ismajli

Rreziqet me të cilat përballet gjuha shqip sot dalin të jenë goxha komplekse. Megjithëse fjala “rrezik” shpesh mund të tingëllojë pak e tepruar, kur gjuhëtarët filtrojnë disa aspekte të zhvillimit të shqipes, arsyetohet se kjo fjalë zë vend jo pak të themeltë. “Shqipja në rrezik” qe tema e sesionit shkencor të gjuhësisë në ditën e parafundit të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Gjuhëtari Rexhep Ismajli nëpërmjet temën “Shqipja sot – Reflekse rreth ‘krizës’ në gjuhë” ka paraqitur disa pikëpamje të rrugëtimit që po bën gjuha shqipe sot.

Sipas tij, diskutimet për krizën në gjuhë nuk janë diçka që ndeshet rrallë. Ka thënë se pa qenë krej­tësisht sistematike, ato reflektojnë fazën e zhvillimeve të panjohura më parë në historinë e shqipes.

“Nga zhvillimet në rritje të proceseve të standardizimit dhe të stabilizimit të përdorimeve në këtë nivel, në tri dekadat e fundit shqipja po jeton fazën e zhvillimeve të papërjetuara më herët në historinë e saj, duke kaluar nga funksionimet në bashkësi rela­tivisht të përkufizuara të folësve, me varietetet e shkruara, përmes lulëzimit si asnjëherë më parë të përdorimeve të shkruara e në ndeshje të drejtpërdrejtë me shumë gjuhë të tjera, me mundësi dhe horizonte zhvillimi në hapësirat që ofron revolucioni teknologjik në fushën e komunikimeve, shfaqen përpara saj ‘rreziqe’ të papërjetuara më herët”, ka thënë akademik Ismajli. Sipas tij, vë­sh­trimi i krizës në gjuhë i dy aspekte përgji­thësisht të sprovuara: vështrimin linguis­tik, që lidhet me çështje të normave, dhe vështrimin sociolinguistik, sociologjik, antropolo­gjik, dhe të dy horizontet gjithsesi të përkapura si komplementare.

“Tendosja që herë pas here shpërthen në sipërfaqe lidhur me primatin e Tiranës”

Akademik Ismajli, një prej gjuhëtarëve elitarë me renome ndërkombëtare, ka thënë se në rastin e shqipes dhe në kohën tonë po për­vijohen qendra të bashkësisë së folësve me raporte të ndryshme sa i përket hierar­kisë ndaj qendrave fillimisht si Tirana, pastaj Prishtina, ndaj tyre dhe të atyre ndër vete. Ka vënë në pah se ajo që bie në sy në radhë të parë është një tendosje që herë pas herë shpërthen në sipërfaqe lidhur me primatin e Tiranës.

“Dhe pikërisht atje ndodhin fenomene si kërkesat ndaj zyrtarëve për zotërimin e varietetit të atjeshëm dhe të vetëm atij dhe për segregimin e atyre që nuk e përmbushin këtë kriter”, ka thënë ai. Ka shpjeguar se në këtë dinamizëm ndërhyjnë mjedise të tjera si raporti Tetovë-Shkup jo vetëm ndaj Tiranës e Prishtinës, po për një pjesë edhe ndaj Luginës së Preshe­vës, ndërsa Ulqini e Tuzi ndërlidhen me Prishtinën dhe gjithnjë e më shumë me Tiranën, gjithsesi përmes raportit për shumëçka kontestues midis Shkodrës dhe Tiranës.

“Në këtë dinamizëm raportesh midis qendrave të ndryshme, përveç dallimeve, dalin dhe mundësi federimi për varietetin standard dhe mbështetjet për funksionimin më të lehtësuar të tij”, ka thënë ai, derisa ka shtuar se zhvillimet kanë qenë shumë më të gjera. Ka ngritur pyetje se ku ndodhet shqipja sot në raport me një vështrim për krizën, a ka krizë të shqipes, ku mund të shihen manifestimet e saj në hori­zontet aktuale? Më pas ka pyetur edhe se nëse krizë të gjuhës ka, a do të thotë kjo se ka njëherësh krizë kulture, krizë morali?

“Sa i përket vetë gjuhës, raportit ndaj krizës eventuale të shqipes, mund të vërehen së paku dy blloqe interesimesh: gjuhëtarët dhe sociolinguistët, në njërën anë, anojnë nga shpjegimet e variacionit gjuhësor si bazë të shprehjes dhe të komunikimit në realitetin shoqëror për të arritur te një gjykim lidhur me ndjenjës e asaj që e quajmë krizë”, ka thënë ai. Ka shtuar se në anën tjetër janë edukatorët, politikanët dhe gazetarët e publicistët që më shpesh i dramatizojnë vështirësitë që dalin lidhur me nxënien e një varieteti të të folurit që ka qenë normuar, e që, pa dilema, identifikohet me vetë gjuhën, pa ua vënë veshin pyetjeve lidhur me dome­thënien e përplasjeve të përdorimit dhe as lidhur me zgjidhjen e tyre. Sipas tij, të parët kanë za­ko­nisht dyshime për krizën dhe theksojnë në mënyrë demokratike karakterin eglaitar të raportit midis folësve dhe sistemit të tyre gjuhësor.

“Ndërkaq të dytët ankohen për vështi­rësitë e zotërimit dhe gangullzojnë dështimet e mësimdhënies duke tubuar gjykime të vlerësisë negative, gjithë duke iu referuar një situate në të kaluarën apo ideale”, ka thënë ai.

“Çështja e krizës në gjuhë te ne mund të shihet nga shumë aspekte”

Akademik Ismajli ka thënë se në rastin e krizës së gjuhëve kemi të bëjmë me një qasje sociologjike e antropologjike. Sipas tij, çështja e krizës në gjuhën shqipe mund të shihet nga shumë aspekte.

“Nga aspekti i shqipes në hapësirat ballkanike në raport me gjendjen e shqipes në diasporën historike, në një anë, dhe në raport me diasporën moderne”, ka thënë ai. Në këtë rast ka numëruar shqipen në hapësirën ballkanike në së paku katër situata të ndryshme, atë në Republikën e Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, në Luginë të Preshevës dhe atë të Malit të Zi. Ka dhënë edhe një historik të shqipes në këto vende. Ka përmendur faktin se disa gazeta në Shqipëri kanë mbijetuar, kurse në Kosovë për fat të keq nuk shtypet asnjë.

“Komunikimi digjital mbisundoi tërësisht, e me këtë edhe përdorimi i shqipes në funksione të rëndësishme komunikative-kulturore u zbrit ndje­shëm në rrafshin kryesisht të komunikimit të shpejtë, më parë sipërfaqësor. Diaspora e gjithandejshme përfitoi prej mundësive të reja të komunikimit, ndërsa niveli i përdorimit të shqipes në funksione të rëndësishme të jetës kulturore e shkencore ra ndjeshëm”, ka thënë ai. Ka treguar se janë zbehur institucionet e mëhershme të mbështetjes shtetërore e shoqërore të veprimtarive kulturore e shkencore, por janë rritur mundësitë e botimeve, tashmë jashtë çdo kontrolli.

“Praktikisht u shuan edhe ata pak mekanizma të kujdesit publik apo të kritikës eventuale gjuhësore. Në Shqipëri, megjithatë, mbijetoi një logjikë e kontrollit gjuhësor në institu­cionet shtetërore, ndërsa në Kosovë këto hapësira mbetën pa mbulesë. U rrit ndjeshëm rrjeti i komunikimeve televizive, por nuk pati investime serioze në fushën e jetës tjetër kulturore – teatrale, për shembull”, ka thënë akademik Ismajli. Ka konstatuar se paradoksalisht, sot edhe në fushat e albanologjisë përdorimi i shqi­pes ka rënë ndjeshëm. Sipas tij, është margjinalizuar periodiku shkencor, është margjinalizuar po ashtu përdorimi i shqipes. Ka shtuar se përshtatja nga pak kaotike ndaj rregullave të organizimit shken­cor universitar perëndimor me mbisundim të dukshëm të mekanizmave ende jo mirë të zëna të institucioneve private dhe me neglizhencë apo kontroll të papranueshëm të me­ka­niz­mave politikë të institucioneve të jetës universitare e shkencore publike, sikur po e asfikson përdorimin e shqipes në këto nivele, sidomos në botimet e periodikut shkencor. Periodiku i tillë, sipas tij, sikur po reduktohet dhe ngadalë ka rrezik të zhduket fare.

Rreziku nga migrimet

Akademik Ismajli e ka vazhduar ligjëratën duke thënë se problemi tjetër i krizës gjuhësore te ne del nga disbalancat që po krijohen nga integrimet krejtësisht kaotike në rrjedhat globale përmes shpërnguljeve dhe migrimeve. Ka thënë se nga statistikat që nuk i kemi shumë të sakta del se mbase më shumë se gjysma e bashkë­sisë së folësve të shqipes sot jeton e shpërndarë në diasporën e re.

“Kështu gjuha shqipe, jo më varieteti standard, po çfarëdolloj i përdorimit të saj, ka zbritur në nivele të gjuhës së shtëpisë, ndërsa te brezi i dytë po mbisundon kategoria e njohur në sociolinguistikë e gjysmëfolësve. Kështu, bashkësia e folësve të shqipes, që me rreth 7 milionë folës, sa llo­garitej, tani ka zbritur ndjeshëm”, ka thënë ai. Sipas akademik Ismajlit, diasporëzimi i përshpejtuar rruzullor dhe mungesa e mbështetjeve efikase nga ama po krijon frikë për reduktimin drastik të përdoruesve të shqipes si gjuhë të parë të jetës e të punës, si parakusht për qëndresë dhe për zhvillim normal.

Sipas tij, Shqipëria dhe Kosova, ashtu si i tërë Ballkani qendror e jugor si hapësirat më të mëdha të bashkësisë së folësve të shqipes, po shndërrohen në hapësira ku mbisundojnë folës të moshuar, ekonomikisht gjithnjë e më të varur. “Kriza në gjuhë në këtë aspekt as menaxhohet as zgjidhet nga gjuhëtarët, janë mekanizma të tjerë shoqërorë, politikë e shtetërorë që duhet t’i dalin përpara. Në afat të gjatë kjo mund të jetë kriza më e madhe e mundshme, madje që shkon dhe drejt rrezikimit të gjuhës”, ka thënë ai. Në fund ka nënvizuar se të gjitha aspektet e tjera të manifestimit të krizës në gjuhë që ndërlidhen me standardin dhe zhvillimin e tij mund të zgjidhen përmes hapjes së kujdesshme, “por jo me liberalizim të skajshëm”. Krejt në fund ka shtuar se vijon aspekti i përballjes me gjuhë të tjera.

Në kuadër të ditës së parafundit të Seminarit, kumtesat e tyre i kanë paraqitur edhe disa studiues të tjerë vendorë e ndërkombëtarë. I ka bashkuar tema “Shqipja në rrezik”.