Kulturë

Restaurohet “Vajtimi i mbivarrshëm”, ikona e maestros David Selenica

Në realizimin e vet të hollë shpreh më shumë sesa dhimbjen për Krishtin e pajetë që ndodhet i shtrirë mbi një gur të madh. Aty është edhe Shën Mëria që rri e mbledhur mbi kryet e të birit, përderisa në ikonë është e përjetësuar edhe Maria Magdalena e veshur me të kuqe që vajton me duart e ngritura përpjetë.

Vepër që i atribuohet piktorit emërmadh shqiptar David Selenica, ikona “Vajtimi i mbivarrshëm” sapo është restauruar nga specialistët e Laboratorit të Restaurimit të Veprave të Artit pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Sipas mediave në Tiranë, vepra në fjalë është një nga ikonat e rralla që ndodhen në fondin e Muzeut Historik Kombëtar.

Kjo vepër me vlerë ishte në mesin e atyre që u vodhën nga ky institucion muzeal më 1994, bashkë me “Epitafin e Gllavenicës”, e që, për fat të mirë, u gjenden dy vjet më vonë.

Ndryshe, ikona e “Vajtimit të mbivarrshëm” ka përmasa 68 me 37 centimetra dhe mban numrin e inventarit 1720.

Në fondin e pavijonit të ikonave pasbizantine në Muzeun Historik Kombëtar janë të shpalosura edhe ikonat e tjera të Selenicës, si “Hyrja e Hyjlindëses në Tempull” dhe “Shpërfytyrimi”.

Po ashtu, në këtë pavijon ndodhet një koleksion prej 65 veprash të rralla të shkollës së mjeshtrëve shqiptarë të ikonografisë si Onufri, i biri i tij, Nikolla, Onufër Qiprioti, Kostandin Shpataraku, Kostandin e Athanas Zografi, Mihal Anagnosti, vëllezërit Çetiri, Kostandin Jeremonaku e të tjerë autorë anonimë.

Ikonat pikturoheshin mbi dërrasë dhe më pas vendoseshin në ikonostas sipas një renditjeje të caktuar. Arti bizantin i pikturimit të ikonave u nënshtrohej rreptësisht kanoneve të kishës. Ikonografit nuk i lejohej të ndryshonte përmbajtjen dhe rregullat që përcaktonin kanonet e shenjta dhe tradita e kishës.

Fytyrat e shenjtorëve që paraqiten nëpër ikona shprehin asketizëm dhe përulësi, sepse ata kanë qenë njerëz që kreshmonin, luteshin dhe bënin jetë të përkushtuar ndaj Perëndisë.

Me prejardhje nga Selenica në trevën e Kolonjës, piktori David Selenicasi krijoi veçmas në Voskopojë, kur më 1726 pikturoi Kishën e Shën Kollit. Kjo e dhënë njihet nga një mbishkrim në faqen e murit perëndimor të kësaj kishe voskopojare. Përmbajtjet e afreskeve të tij janë huajtur kryesisht nga motive prej Dhjatës së Re, por përveç skenave, si lindja e Krishtit, pagëzimi, ngjallja, lindja e Shën Mërisë, etj, ikonografi kolonjar ka pikturuar edhe skena nga tradita e kishës.

Përveç aktivitetit ikonografik në Shqipëri, piktori shqiptar ka bërë vepra edhe në Malin Athos me afresket kushtuar virgjëreshës Kukuzelica në Manastirin e Lavrës. Më 1727 ai ka pikturuar kishën e Shën Prodhromit në Kostur. David Selenicasi, duke iu përmbajtur kanoneve të kishës dhe traditës, në pikturën e tij futi edhe elemente etnografike dhe jetësore.