Për vendimin që mori vitin e kaluar bazuar në raporte institucionesh nga Serbia, “Europa Nostra” tek tash doli në terren. Por delegacioni i kësaj organizate s’u bind dot nga ajo që pa në terren. Manastiri i Deçanit në Kosovën, së cilës i referohet me fusnotë, vazhdon të mbetet në listën e monumenteve në rrezik, pasi “arsyet kryesore... kanë mbetur të vlefshme”. Për ekspertë të kësaj fushe, “Europa Nostra” s’e bën hesap realitetin dhe kësisoj po e humb kredibilitetin
Gjatë e kanë pritur institucionet kompetente të Kosovës vizitën e përfaqësuesve të organizatës “Europa Nostra”. E ajo u realizua tek tash, më shumë se një vit prej se Manastirin e Deçanit e futi në listën e monumenteve të Trashëgimisë Kulturore në Rrezik. Por edhe në takimin me ta, përfaqësues institucionesh vendore s’i kanë bindur dot se përfshirja e Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë “nuk është e drejtë e pabazuar në argumente profesionale që s’reflektojnë pasqyrën reale”, siç citohej t’u ishte thënë në fund të javës së kaluar përfaqësuesve të kësaj organizate, që në Kosovë erdhën në përbërje prej shtatë vetash.
Qenë zëvendëspresidenti ekzekutiv i “Europa Nostras”, Guy Clausse, anëtari i bordit, Laurent Lévi-Strauss, anëtarja e Këshillit, Lida Miraj, sekretarja e përgjithshme, Sneshka Quaedvlieg-Mihailoviq, koordinatorja Lorena Aldana Ortega dhe dy konsulentë të Institutit të Bankës Evropiane të Investimeve, Lourdes Llorens Abando e Romualdo Massa Bernucci. Shtatëshja, të mërkurën pasdite, disa ditë kreu vizitat dhe takimet, doli me një deklaratë të prerë: “Një vit pas publikimit të kësaj liste, arsyet kryesore për përfshirjen e këtij lokaliteti të Trashëgimisë Botërore në Rrezik edhe në listën e 7 monumenteve më të rrezikuarve të ‘Europa Nostras’ kanë mbetur të vlefshme”.
Javën e kaluar shtatëshja është pritur nga një numër i madh nikoqirësh në Kosovë. Kanë drekuar me abatin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, janë takuar me kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj, me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu, atë të Kulturës, Hajrulla Çeku, peshkopin e Teodosije e përfaqësues të institucioneve të tjera. Të mërkurën kanë treguar se i qëndrojnë prapa vendimit të tyre që Manastiri i Deçanit është në rrezik. Kanë lëshuar një komunikatë ku Kosova përmendet me fusnotë e Deçani shkruhet në serbisht.
Për dikë “Europa Nostra” me krejt veprimet në raport me Manastirin e ka humbur kredibilitetin si organizatë.
Në komunikatën e lëshuar për media, Organizata evropiane, që në prillin e kaluar e kishte futur Manastirin në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara të Evropës, ka bërë të ditur se pos Deçanit, kanë qenë edhe në Prizren në “Kino Lumbardh”, në Kishën e Virgjëreshës së Shenjtë të Levishës, në Manastirin e Graçanicës dhe në Kalanë e Novobërdës.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ambasadori i Italisë, Antonello di Riu, e ushtruesja e detyrës së zëvendësshefit të Misionit në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Zeinah Salahi, ishin po ashtu nikoqirët e tyre.
Se arsyet e përfshirjes së Manastirit të Deçanit në listën e monumenteve të rrezikuara janë të vlefshme, sipas organizatës, tregon gjendja aktuale.
“Së pari, ende nuk është rënë dakord nga të gjitha palët për një zgjidhje përfundimtare lidhur me pasojat e shkaktuara nga planet për rritjen e trafikut brenda dhe rreth Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit, e as në lidhje me ndërhyrjet e tjera të paralajmëruara, siç është projekti buzë lumit, që mund të ndikojnë negativisht në mjedisin natyror të Manastirit, i cili do të konsiderohet si pjesë përbërëse e vlerës së tij të jashtëzakonshme të trashëgimisë”, shkruhet në komunikatë. Më pas renditet vendimi i vitit 2016 i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit në 24 hektarë tokë, e që ende nuk është zbatuar nga Kosova.
“Së treti, për shkak të sfidave komplekse të sigurisë, Manastiri duhet të vazhdojë të ruhet 24/7 nga trupat e KFOR-it, siç ka konfirmuar edhe komandanti i KFOR-it”, shkruhet në komunikatë. Sipas kësaj organizate, Manastiri i Deçanit herë pas here ballafaqohet edhe me përpjekje të pabaza për të rishikuar identitetin kulturor dhe historik të këtij objekti të trashëgimisë fetare, “tendencë e cila nuk është në përputhje me parimet evropiane dhe ndërkombëtare të interpretimit të saktë historik dhe artistik të monumenteve historike dhe objekteve të trashëgimisë”.
Në komunikatë përmenden edhe se ministrat Aliu dhe Çeku ritheksuan kundërshtimin e fortë të Qeverisë së Kosovës për përfshirjen e Manastirit të Deçanit në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë, “gjë të cilën ata e shohin si të dëmshme për reputacionin e Kosovës”.
“Sipas vlerësimeve të tyre, kjo zonë e trashëgimisë nuk është e rrezikuar. Sa i përket çështjes së trafikut, është inkurajuese që ministri Aliu prezantoi një plan të ri të Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e kësaj çështjeje, si pjesë e planifikimit më të gjerë hapësinor, si dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe të gjelbër të Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna”, shkruhet në komunikatë. Aty sqarohet se “Europa Nostra” dhe Instituti i Bankës Evropiane të Investimeve do të hartojnë një raport gjithëpërfshirës me një sërë rekomandimesh, që do të bëhen publike në vjeshtë.
Delegacioni ka shkuar edhe në Novobërdë, ku ka parë nga afër se si puna joprofesionale e një kompanie serbe, financuar nga BE-ja dhe implementuar nga UNESCO-ja, ka bërë që të ketë shembje të vazhdueshme të strukturave të Kalasë. Fondacioni kosovar i trashëgimisë kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”, kishte nominuar Kalanë e Novobërdës për përfshirje në listën e monumenteve të rrezikuara. Por shtatëshes nuk i është mbushur mendja.
“Duke marrë parasysh që partnerët e zbatimit të projektit konfirmuan se janë të gatshëm dhe të aftë për të riparuar punët të cilat janë kryer me materiale dhe teknika të papërshtatshme, ‘Europa Nostra’ dhe EIBI nuk e konsideruan të nevojshme përfshirjen e këtij lokaliteti në listën e 7 më të rrezikuarve për vitin 2022”, shkruhet në komunikatë.
Nikoqir i tyre ka qenë edhe Sali Shoshi, udhëheqës i Fondacionit kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij (CHwB). Të mërkurën ai ka thënë se Organizata evropiane i ka huqur komplet kriteret mbi të cilat është ndërtuar rasti i Manastirit të Deçanit. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për kritere që përkojnë me realitetin.
“Ju kam thënë se në mesataren e mbrojtjes së trashëgimisë në Kosovë, Manastiri është shumë mbi mesatare, si në ruajtje të autenticitetit, por edhe në mënyrën se si është i trajtuar me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura. Po ashtu edhe me mënyrën se si e ruan e respekton komuniteti lokal”, ka thënë Shoshi për KOHËN, pak orë pasi “Europa Nostra” lansoi komunikatën.
Sipas tij, aktualisht nuk ka synim për ndonjë rrugë të re në atë pjesë, e siç ka thënë Shoshi, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, u ka treguar se synohet një plan hapësinor për park nacional që veç e ruan Manastirin.
“Mendoj se ata vazhdojnë të jenë të ndikuar politikisht nga qarqe të caktuara. Kjo e bën jokredibile Organizatën dhe çdo ditë e më shumë po e humbin kredibilitetin në qëllimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, problemi më i madh i Manastirit është vetizolimi që i bën Kisha Ortodokse Serbe, duke privuar bashkëpunimin me komunitetin lokal e sidomos me pronarët e tokave brenda perimetrit të Manastirit.
“Ne duhet të vazhdojmë të punojmë sikurse nuk ka ndodhur asgjë, pasi ky program tash nuk është kredibil me rastin e Kosovës dhe ne vetëm duhet avancuar me mbrojte të trashëgimisë me legjislacion e me projekte konkrete”, ka thënë Shoshi.
Ministria e Kulturës pasditen e së mërkurës nuk e ka komentuar komunikatën e “Europa Nostras”.
Organizata e themeluar në Paris, më 1963, kishte marrë për bazë raportet e shtetit serb, duke bërë që Manastirin, të cilin institucionet e Kosovës e konsiderojnë si monumentin më të sigurt në Evropë, ta bëjë pjesë të listës, nëpërmjet së cilës alarmon për asetet e trashëgimisë kulturore që rrezikohen.
Manastiri i Deçanit u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2004. Më 2006 ky status u shtri edhe në tri monumente të tjera të Kosovës. Manastiri i Graçanicës, Patrikana e Pejës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren po ashtu kanë hyrë në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik si “Monumente Mesjetare në Kosovë”, e të cilat në këtë organizatë botërore janë nën emrin e Serbisë.
E “Europa Nostra”, që për sekretare të përgjithshme ka juristen beogradase Sneshka Quaedvlieg-Mihailoviq, ndan nga 10 mijë euro për secilin prej shtatë monumenteve në rrezik.