Prishtinë, 13 maj – Rrëfimi nëpërmjet imazheve të ilustruesve ka kohë që është konsoliduar pos si raportim gazetaresk edhe në formë romani. Por kreativiteti dhe manipulimi i informacioneve në këtë zhanër janë një problem më vete. Ajo që duhet të bëjë një raportues në këtë formë është përcjellja e ndjenjave.
Për këtë kanë diskutuar disa prej artistëve më me nam të romanit grafik si Fumio Obata nga Japonia, Dave McKean nga Britania e Madhe, Ville Ranta nga Finlanda, Tom Kaczynsky nga ShBA-ja e Marcello Quintanilha nga Brazili. Në diskutimin e edicionit e parë të festivalit ndërkombëtar të romanit grafik “GRANFest” ka marrë pjese edhe poetja Sarah Hehir, që është një lexuese e pasionuar e romaneve grafike.
Obata, që jeton në Britaninë e Madhe, ka thënë se kurrë nuk e ka parë veten si gazetar. Ka treguar se aktualisht është duke punuar për të sjellë një rrëfim nga katastrofa nukleare në Fokushima, që kishte ndodhur më 2011.
Kolegu i tij amerikan, Tom Kaczynsky, ka thënë se në vendin e tij rrëfimet grafike marrin goxha vëmendje. Sipas tij, përderisa ato kanë vëmendje edhe mund të kenë ndikim.
Marcello Quintanilha nga Brazili tha se shumë shtëpi botuese vlerësojnë romanet grafike, thonë se janë shumë të mira, por nuk e dinë se çfarë të bëjnë me to.
Në diskutimin e udhëhequr nga artisti kosovar që jeton në Barcelonë, Gani Jakupi, drejtor artistik i “GRANFestit”, Ville Ranta ka thënë se ilustrimet janë një formë e fuqishme e shprehjes për të nxjerrë në pah qasjet personale. Sipas tij, për këtë arsye romani grafik është duke ecur përpara.
E sipas Dave McKean, interpretimi i gjërave që ndodhin është një histori e vërtetë. Autori i romaneve grafike, Gani Jakupi, ka thënë se në këtë profesion artistët duhet të jenë shumë të ndershëm ashtu sikurse edhe gazetarët që raportojnë në formë të shkruar për një ngjarje.
Gjatë mbrëmjes së sontme (e hënë) do të promovohet në shqip libri “Beta testing the Apocalypse” i Tom Kaczynskit, që është përkthyer nga Agron Bajrami, drejtor i përgjithshëm i “GRANFest” e kryeredaktor i gazetës “Koha Ditore”. Sipas organizatorëve të festivalit, ky nuk do të jetë libri i vetëm nga koleksioni i romaneve grafike që është përkthyer në shqip. Ata synojnë që romanet e këtij zhanri të jenë më të shumta në gjuhën shqipe.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")