Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë bërë bashkë për ndërtimin e Qendrës Kulturore Turke, të proklamuar kaherë. Ani pse konkretizimi i projektit llogaritet të kushtojë 1.1 milionë euro, deri më tash nuk janë siguruar as dhjetë për qind e mjeteve. Qendra do ta ketë lokacionin te Parku për Inovacion dhe Trajnime në lagjen “Kurrilë”, dhe në kohën kur u prezantua si nismë, edhe ky projekt qe kundërshtuar nga opozitarët e caktuar, që patën konsideruar se në kohën kur po bëhen përpjekje për integrimin e komuniteteve me këso lloj investimesh krijohen ndarje
Autoritetet komunale të Prizrenit dhe ata të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të enjten kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit të ndërtimit të Qendrës Kulturore Turke në këtë qytet. Gjatë kësaj ceremonie është vënë në pah pritja e gjatë kohore për këtë qendër, ku kostoja e planifikuar e projektit, sipas zyrtarëve, kap vlerën prej 1.1 milionë eurove.
Ministri i MZHR-së, Fikrim Damka, ka thënë se dikasteri që ai drejton do ta mbështesë projektin me buxhetin e këtij viti dhe të vitit të ardhshëm.
“Qendra Kulturore Turke është një projekt i pritur gjatë në Prizren. Nuk do t’i shërbejë vetëm komunitetit turk, por të gjitha komuniteteve që jetojnë në Komunën e Prizrenit. Do të jetë një qendër kulturore moderne. Besoj se do të jetë një vend ku prezantohet përbërja shumëkulturore e Prizrenit”, ka thënë ministri Damka, që vjen nga radhët e komunitetit turk të Kosovës. Sipas tij, MZHR-ja për këtë projekt sivjet ka ndarë 50 mijë euro dhe se bazuar në mundësitë buxhetore do të ofrojë mbështetje edhe në vitin e ardhshëm.
“Ky projekt është vital për komunitetin turk në Prizren, që ka shumë shoqata kulturore-artistike”, ka deklaruar ai.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se niveli lokal këtë projekt e ka futur vjet në planifikim buxhetor, porse pa bashkëfinancim nga niveli qendror nuk ka mundur ta realizonte.
“Ne si komunë këtë projekt e kemi pasur edhe vitin e kaluar në buxhet, por pasi ka qenë bashkëfinancim nuk kemi mundur ta fillonim realizimin. Gjatë vitit të kaluar dhe sivjet është bërë projektimi dhe identifikimi i lokacionit për ndërtim. Pasi këto procedura janë gati tani në marrëveshje me Ministrinë, do të fillojnë procedurat e prokurimit dhe shpresoj se shpejt do ta vëmë gur themelin”, ka thënë Haskuka. Sipas tij, kjo qendër do ta pasurojë bashkëjetesën në qytetin e vjetër.

“Prizreni si një qytet ku jetojnë shumë komunitete dhe kemi një bashkëjetesë të mirëfilltë, me këtë qendër do të pasurohet edhe me një qendër tjetër kulturore, e cila me siguri do të përdoret nga të gjithë”, është shprehur Haskuka, duke paralajmëruar edhe funksionalizimin e Qendrës Kulturore Boshnjake pas disa javësh.
“Me një farë aspekti po kompletohen institucionet kulturore në Komunën e Prizrenit. Si qytet i kulturës, ky do të jetë edhe një objekt tjetër që do t’i kontribuojë zhvillimit të aktiviteteve kulturore artistike në qytetin tonë”, ka deklaruar Haskuka.
Ai ka theksuar se projekti është paraparë të kushtojë rreth 1.1 milionë euro, dhe se lokacionin do ta ketë te Parku për Inovacion dhe Trajnime.
“Aty jemi në ndërtim e sipër të shkollës së muzikës, në anën tjetër është ndërtimi i QKMF-2 dhe mbi atë do të jetë Qendra Kulturore Turke”, ka thënë Haskuka duke shtuar se kjo zonë është afër lagjes “Kurrillë”, meqë aty jeton numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të komunitetit turk.
Ideja për ndërtimin e qendrave kulturore, një dedikuar komunitetit boshnjak dhe tjetra dedikuar komunitetit turk është e moçme. Ndërsa planifikimet e para buxhetore për projekte të kësaj natyre janë bërë qysh në vitin 2015, me ç'rast në buxhetin e miratuar për vitin 2016, te Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ishin ndarë nga 50 mijë euro për ndërtimin e një qendre boshnjake dhe një qendre turke, duke paraparë mjete edhe për vitet 2017 e 2018.
Asokohe këto projekte qenë kundërshtuar nga opozitarët e caktuar, që patën konsideruar se në kohën kur po bëhen përpjekje për integrimin e komuniteteve, me këso lloj investimesh krijohen ndarje, që vështirësojnë bashkëjetesën. Mirëpo përfaqësuesit e komuniteteve patën shprehur bindjen se këto qendra janë të nevojshme për ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës së komunitetit boshnjak dhe atij turk.
Në dhjetor të vitit 2015, lidershipi i atëhershëm komunal kishte vënë gur themelin për ndërtimin e Qendrës Kulturore Boshnjake. Por kjo qendër ende nuk është funksionalizuar.
Ndërkohë edhe ideja për ndërtimin e qendrës kulturore turke disa herë është promovuar para opinionit nga përfaqësuesit e këtij komuniteti.
Ministri Damka ka konfirmuar promovimin e këtij projekti disa herë, por ka theksuar se tani është hera e parë që kanë në dorë një projekt final për Qendrën Kulturore Turke.
Ndërsa kryetari Haskuka ka shtuar se projektet e mëparshme kanë qenë ideore dhe se nuk ka pasur lokacion të caktuar për ndërtimin e kësaj qendre.
“Tani në marrëveshje me Ministrinë dhe Qeverinë e Kosovës mund t’i fillojmë procedurat e prokurimit. Se përndryshe vetëm me buxhetin e Komunës kjo ka qenë e pamundur”, ka përfunduar ai.