Kulturë

Qendra Kulturore Boshnjake përurohet nën hijen e përplasjeve politike e zvarritjeve

Me gur themeltar qysh prej vitit 2015, me një histori zvarritjesh e përplasjesh politike, Qendra Kulturore Boshnjake në Prizren është përuruar me atë që është cilësuar “ceremoni modeste” e “provë gjenerale”. Zëvendëskryeministrja për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi, ka vlerësuar se komuniteti i saj nuk e meriton një hapje të kësaj qendre me ceremoni modeste

Qendra Kulturore Boshnjake në Prizren është përuruar disa vjet pas fillimit të punimeve ndërtimore. Por edhe në hapjen e kësaj qendre nuk kanë munguar shpotitjet në mesin e përfaqësuesve politikë të këtij komuniteti. Ndërkaq udhëheqësit komunalë kanë thënë se hapja e qendrës ka më shumë peshë sesa gara për marrjen e meritave.

Ceremonia e përurimit të Qendrës Kulturore Boshnjake në Prizren është realizuar nën hijen e përplasjeve politike.

Zëvendëskryeministrja për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi, ka vlerësuar se komuniteti i saj nuk e meriton një hapje me ceremoni modeste të kësaj qendre. Organizim më të mirë ka pritur edhe Rasim Demiri nga koalicioni “Vakat”, megjithëse ka shprehur respekt për angazhimin e ekzekutivit lokal për përmbylljen e projektit. Ndërsa drejtuesit e Komunës kanë theksuar se më e rëndësishmja është që dyert e qendrës janë hapur për komunitetin boshnjak.

Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi ceremoninë e ka cilësuar si provë gjenerale të hapjes meqë, sipas saj, solemniteti do të realizohet më 28 shtator në Ditën e Boshnjakëve, me prani të mysafirëve nga rajoni e kori diplomatik.

“Qendra boshnjake dhe komuniteti boshnjak nuk e meritojnë që në këtë mënyrë të përurohet Qendra Kulturore Boshnjake. Si komunitet nuk e meritojmë që të degradohemi në këtë mënyrë”, ka thënë Rexhepi.

Rasim Demiri nga koalicioni “Vakat” ka vlerësuar përmbushjen e zotimit të dhënë nga kryetari Shaqir Totaj për përurimin e kësaj qendre, ani pse, sipas tij, organizimi i solemnitetit ka mundur të jetë më i mirë. Njëherësh ka bërë thirrje për unitet.

“Para së gjithash kjo qendër kulturore boshnjake ka shumë qëllime, njëri prej synimeve kryesore është që në këtë qendër të ruhet dhe kultivohet kultura jonë, tradita jonë, zakonet tona, dhe shpresoj se nën këtë kulm do të tubohemi të gjithë, duke filluar nga partitë politike deri te organizatat joqeveritare që ia duan të mirën komunitetit boshnjak”, ka thënë Demiri.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se projekti i nisur vite më parë ka pasur ngecje dhe se tani është përmbyllur për të krijuar një hapësirë për komunitetin boshnjak që ta ruajë identitetin, kulturën e gjuhën e vet. Sipas tij, kjo ka më shumë peshë sesa gara për marrjen e meritave.

“Shumë e rëndësishme është që kjo qendër është përfunduar, kjo qendër do të hapet, kurse pjesa tjetër e solemnitetit e ka rëndësinë e vet, por më e rëndësishme është që dera e kësaj qendre po hapet këtu edhe është një objekt që do t’i shërbejë komunitetit boshnjak për t’i zhvilluar aktivitetet e tyre kulturore, edukative dhe çfarëdo qofshin ato”, ka thënë Totaj.

Guri themeltar për ndërtimin e Qendrës Kulturore Boshnjake ishte vendosur në fund të vitit 2015, por historia e zvarritjeve dhe e përplasjeve daton edhe më herët. Më 2014 fillimi i punimeve për ndërtimin e Qendrës Kulturore Boshnjake në Prizren qe zvarritur për disa muaj. Madje ceremonia e vënies së gurit themeltar qe anuluar disa herë, pasi përcaktimi për lokacionin e ndërtimit kishte shkaktuar edhe përplasje ndërmjet PDK-së dhe NDS-it në Prizren, e që për pasojë kishte shtyrë edhe asokohe kryetarin Ramadan Muja që ta përzërë drejtorin e Kulturës në atë kohë, Arhim Ajazi, nga zyra e tij. Pas arritjes së paqes ndërmjet PDK-së dhe NDS-it, edhe Ajazi qe kthyer në vendin e punës. Planifikimi i mjeteve për ndërtimin e qendrave rinore-kulturore boshnjake dhe turke nga ana e Komunës së Prizrenit kishte hasur në kundërshtinë e përfaqësuesve të opozitës në shtator të atij viti. Këta të fundit patën konsideruar se në periudhën kur po bëhen përpjekje të shumta për integrimin e komuniteteve, me këso lloj investimesh krijohen ndarje që vështirësojnë bashkëjetesën.

Në nëntorin e vitit 2016, ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, dhe sekretari i përhershëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Veton Firzi, kishin nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për mbështetjen financiare të ndërtimit të Qendrës Kulturore Boshnjake në Prizren. Sipas dokumentit të nënshkruar, ujdia do të zbatohej gjatë vitit 2017, me ç’rast MKRS-ja kishte marrë përsipër investimin e 337 mijë eurove në këtë projekt kapital. “Bazuar në kontratën e lidhur nga Kuvendi Komunal i Prizrenit me kontraktuesin në vlerë prej 387 mijë eurove, MKRS investon 337 mijë euro, që do të bëhet në dy faza. Faza e parë e investimit do të jetë 168 mijë e 500 euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017. Faza e dytë e investimit do të jetë 168 mijë e 500 euro në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2017”, thuhej në memorandum. Po aty shkruhej se Komuna e Prizrenit, bazuar në kontratën e lidhur me kontraktuesin në vlerë prej 387 mijë eurove, ka investuar 50 mijë euro, dhe se merr përgjegjësinë mbi të drejtën pronësore-juridike në parcelën në të cilën ka filluar ndërtimi i Qendrës Kulturore Boshnjake, në vitin 2015.

Por shuma e kontratës që figuronte në memorandumin e bashkëpunimit të MKRS-së dhe Komunës së Prizrenit nuk përputhej me vlerën e projektit që ishte deklaruar në fund të 2015-s nga zyrtarët e lartë komunalë gjatë vënies së gurit themeltar për nisjen e këtij projekti. “Kemi përcaktuar një pozicion të veçantë buxhetor për këtë ndërtesë, në shumën prej 226 mijë eurosh...Me këto para do ta përfundojmë mirë e mbarë këtë objekt”, kishte thënë asokohe Muja, në ceremoninë e vënies së gurit themeltar. Në një njoftim të Komunës lidhur me këtë ngjarje bëhej e ditur se edhe asokohe drejtori i Kulturës, Arhim Ajazi, kishte theksuar se për ndërtimin e këtij objekti janë ndarë 226 mijë euro, dhe se i tërë projekti pritej të finalizohej deri në vitin 2018. Edhe në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në tetor të 2015-s nga Zyra e Prokurimit të Komunës së Prizrenit lidhur me ndërtimin e qendrës kulturore boshnjake thuhej se vlera e projektit është afër 225 mijë euro. Dallimi në këto shifra është 162 mijë euro. Asokohe drejtori për Kulturë në Komunën e Prizrenit, Arhim Ajazi, kishte bërë të ditur se kontrata në shumën prej 225 mijë eurosh është në fuqi për kryerjen e punëve ndërtimore në objektin e qendrës, derisa shuma shtesë prej mbi 160 mijë eurosh do të shfrytëzohej për funksionalizimin e plotë të qendrës me inventar, por edhe rregullimin e mjedisit në oborr, parkingut e të tjera.