Premtimet e Ministrisë së Kulturës dhe menaxhimi i Qendrës Kinematografike të Kosovës duke u bazuar në to, kanë nisur ta nxjerrin në pah krizën e këtij institucioni. Janë bërë më shumë se dy javë prej se ata që kanë konkurruar sivjet për subvencionim të projekteve kinematografike në QKK, janë përballur me jurinë. Rezultatet nuk janë publikuar ende. E vonesa është derivat i veprimtarisë që QKK-ja ka pasur gjatë vitit 2018 dhe 2019. Në bazë të të dhënave të këtij institucioni dhe të Ministrisë së Kulturës, Qendra Kinematografike e Kosovës nuk ka mbulesë financiare për të paktën 1.2 milionë euro për të cilat ka hyrë në marrëdhënie kontraktuese. Për sivjet, MKRS-ja i ka ndarë buxhet prej 810 mijë eurosh. Nga këto mjete vetëm deri në fund të qershorit QKK-ja ka paguar 500 mijë euro detyrime të viteve të kaluara. Projektet që do të shpallen fituese sivjet, pritet që të mos financohen brenda vitit, por kriza do të thellohet nëse Ministria e Kulturës nuk ndan buxhet shtesë për këtë institucion që subvencionon projektet kinematografike.
QKK-ja dhe Ministria e Kulturës janë duke u konsultuar për gjendjen aktuale. E pa pasur një epilog, lista e projekteve që do të përkrahen sivjet nuk do të bëhet publike.
Ishin 71 projekte filmike që i janë adresuar Qendrës Kinematografike të Kosovës në konkursin e saj vjetor të hapur në korrik. Por, kriteret që t’i nënshtrohen vlerësimit i kanë përmbushur 63 projekte.
Në garë në kategorinë e konkursit për film të metrazhit të gjatë artistik janë 9 projekte. “Është vështirë të jesh gay, edhe kur nuk je”, nën regji të Arben I. Kastratit, “S’ka mbetur fjalë pa u thënë”, nën regji të Agim Sopit, “Tifozi i Jugosllavisë”, nën regji të Bekim Seles; “Gabimi i Madh”, nën regji të Lirak Çelajt, “Nëna”, nën regji të Mentor Spahiut, “APPEL”, nën regji të Ekrem Kryeziut, “2000: A Post-war Odyssey”, nën regji të Zgjim Terziqit; “Personazh”, nën regji të Ekrem Xanit, dhe “The Pixies”, nën regji të Blerta Zeqirit, janë projektet që garojnë për mbështetjen më të madhe financiare që jep QKK-ja.
Në kategorinë e koproduksionit minor për film të metrazhit të gjatë garojnë, po ashtu, 9 projekte, te filmat e metrazhit të gjatë dokumentarë janë 7 projekte, në postproduksion për film të metrazhit të gjatë janë dy, sa janë edhe te metrazhi i gjatë i regjisorëve debutues. Janë 13 projekte te filmat e metrazhit të shkurtër artistik, 3 te metrazhi i shkurtër i dokumentarëve, 4 në metrazh të shkurtër të animuar dhe 15 për zhvillim skenari.
Anëtarë të jurisë vlerësuese në këtë kategori ishin Isa Qosja, Agron Vula, Katriel Schorry, Lenka Tyrpakova, Valton Beqiri, Ismet Sijarina dhe Ilir Gjocaj.
Drejtori i QKK-së, Arben Zharku, ka thënë se juria i ka përfunduar vlerësimet pas prezantimit përmes platformës “Zoom”, ndërsa sapo të konfirmohet shuma e buxhetit nga ana e Këshillit Drejtues atëherë do të bëhen të ditur fituesit e këtij konkursi. Pos jurisë, QKK-ja formon edhe një komision financiar, i cili i tregon limitet e përkrahjes së një projekti dhe për këtë bën një raport. Pastaj Këshilli Drejtues vendos për shumat e përkrahjes.
“810 mijë euro është i gjithë buxheti. Diku 650 janë të menduara për projekte. Kemi pasur edhe obligime kështu që duhet parë si të veprojmë. Këshilli Drejtues dhe ne jemi duke diskutuar me Ministrinë e Kulturës. Duhet parë se si do të balancohen obligimet ose marrëdhëniet kontraktuese”, ka thënë ai.
Qysh në prill të këtij viti gazeta kishte raportuar se QKK-ja është në prag të kolapsit financiar. Pavarësisht kësaj, në korrik ishte hapur konkursi.
Sipas të dhënave zyrtare të QKK-së, në vitin 2019 janë përkrahur 28 projekte kinematografike në tetë kategori. Krejt bashkë peshojnë 1 milion e 282 mijë euro. Por, dokumenti i politikave kulturore të Ministrisë së Kulturës për atë vit sqaron se QKK-ja realisht kishte shpenzuar vetëm 620 mijë euro për projekte kinematografike. Mjetet i ishin premtuar nga MKRS-ja, por nuk i ishin ndarë. Për vitin 2018, QKK-së i ishin ndarë 766 mijë euro për subvencionimin e projekteve dhe për shpenzimet e tjera të institucionit. Pas hapjes së konkursit e shpalljes së fituesve, premtimet e ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, për dyfishim buxheti e kishin ndryshuar gjendjen. Pas asaj vizite të ish-ministrit, juria i ishte kthyer edhe një herë listës së aplikacioneve. Nga 17 projekte të përzgjedhura ishin bërë 25. Krejt bashkë peshonin 1 milion e 178 mijë euro. E bashkë me projektet pa mbulesë financiare të 2019-s krijojnë shumën prej 2 milionë e 460 mijë eurosh. Por në realitet, QKK-ja për këta dy vjet kishte 1.2 milionë euro buxhet për subvencionim të projekteve kinematografike. Janë fiks 1.2 milionë euro më pak sesa marrëdhëniet kontraktuese në të cilat institucioni ka hyrë në dy vjetët e fundit.
Përderisa në prill kishte paralajmëruar kolaps financiar, në korrik Arben Zharku ishte paraqitur shumë komod. Kishte thënë se për punët e kryera për të cilat kanë pasur kontrata i kanë mbuluar obligimet.
Luan Daka është një prej anëtarëve të Këshillit Drejtues. Ai ka thënë se nuk është marrë qëndrim ende sa i përket përkrahjes së projekteve konkurruese. Sipas tij, ka edhe probleme të tjera.
“Duhet aprovuar edhe buxheti i shpenzuar. Është një shumë e shpenzuar dhe unë personalisht e kam kundërshtuar dhe kam kërkuar sqarime shtesë”, ka thënë ai.
Por Këshilli Drejtues, anëtarët e të cilit ishin emëruar nga ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, në fund të gushtit të këtij viti, nuk është i plotë. Pos Dakës, anëtarë janë edhe Jeton Zogjani e Burim Reçica, si përfaqësues i MKRS-së. Kryetare e Këshillit është Arbnesha Grabovci-Nixha, kurse Linda Shala ishte dorëhequr pak ditë pas emërimit.
Ajo ka thënë se nuk mund ta mbante këtë pozitë pasi llogaritej si zyrtare e lartë dhe ky kualifikim e pengonte në veprimtarinë e saj biznesore. “Menjëherë kam dhënë dorëheqje”, ka thënë ajo. Ministrja Dumoshi, Këshillit paraprak ia kishte shkurtuar mandatin për gjysmë viti.