Kulturë

Projekti restaurues i Spaçit përballë kritikave për cenim të kujtesës

Projekti restaurues në ish-burgun e Spaçit dhe ndërhyrjet për një projekt filmik, kanë nxitur reagime për cenim të kujtesës kolektive

Projekti restaurues në ish-burgun e Spaçit dhe ndërhyrjet për një projekt filmik, kanë nxitur reagime për cenim të kujtesës kolektive

Projekti i Qeverisë së Shqipërisë për ta rikthyer ish-Burgun e Spaçit në Muze të Kujtesës, sikurse edhe projekti filmik, kanë nxitur reagime të ndryshme e kërkesa të prera për të mos e prekur, por institucionet bartëse të restaurimit, e kanë cilësuar si “tymnajë” të panevojshme “duke injoruar jo vetëm degradimin ekstrem fizik, por duke sajuar fabula mbi ‘prishje të kujtesës historike’”. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka dalë me një reagim të gjatë, për të “gjithë të shqetësuarit realisht mbi fatin e këtij vendi simbol të kujtesës kombëtare, dhe mbi aludimet e anatemimet e shprehura”.

“Prej më shumë se tre vjetësh, regjisori Namik Ajazi së bashku me shkrimtarin Visar Zhiti, vetë i burgosur politik dhe dëshmitar i atij realiteti, kanë ngritur përpjekjen e një projekti filmik ambicioz, që ka për synim të sjellë në ekran një nga ngjarjet më të rëndësishme të rezistencës antikomuniste në Shqipëri: Revoltën e të burgosurve të Spaçit në maj të vitit 1973”, shkruhet ne reagimin e Ministrisë. Aty bëhet e ditur se për realizimin e filmit, vështirësitë janë të mëdha për shkak të pamundësisë për të rindërtuar kampin-burg në një set, gjendjes tejet të amortizuar të sitit në Spaç, nevojës për xhirime autentike në një ambient që ruan ende gjurmët reale të tragjedisë së atij vendi.

“Nga ana tjetër, projekti i Qeverisë Shqiptare për ta kthyer Spaçin në një Muze të Kujtesës, të hapur e të aksesueshëm për të gjithë, ka nisur prej kohësh. Ish-burgu dhe kampi i punës së detyruar i Spaçit është vendi më simbolik i kujtesës së mizorisë së regjimit komunist në Shqipëri dhe të akteve të shumta të rezistencës së qytetarëve shqiptarë”, shkruhet ndër të tjera në reagim ku bëhet e ditur se plani i menaxhimit për Spaçin qe miratuar më 2024 dhe është konceptuar “pas një analize të detajuar të pasurisë kulturore, të vlerave dhe statusit të saj të ruajtjes, si dhe pas një raundi konsultimesh me grupet e interesit që përfshinin më shumë se 58 individë në konsultimin paraprak: ish-të burgosur politikë; profesionistë të institucioneve të ruajtjes së kujtesës, advokimit dhe kërkimit në Shqipëri; drejtorë të muzeve dhe zonave muzeale brenda dhe jashtë vendit, përfaqësues dhe anëtarë të komunitetit të Mirditës, artistë dhe profesionistë të kulturës, mësues e profesorë historie”.

Fatos Lubonja, shkrimtari dhe gazetari që ka vuajtur vite të gjatë në burgjet e komunizmit, ditë më parë  është deklaruar kundër restaurimeve në burgun e Spaçit, ku edhe ai vetë ka kryer një pjesë të dënimit.

“Ajo që ka mbetur aty flet më shumë se sa ideja që kanë këta, që në fund të fundit është ideja për të bërë një film, për ta përdorur. Duan të bëjnë tarracën siç ka qenë më 1973 kur është bërë Revolta, por nuk mund të bëhet kjo për një film”, citohet të ketë thënë Lubonja.

Sipas Lubonjës, ndërhyrjet bien ndesh me Planin e menaxhimit të miratuar në 2024, ku theksohet se ndërhyrjet konservuese duhet të jenë të natyrës “arkeologjike”, duke ruajtur rrënojat dhe strukturat ekzistuese në gjendjen që ndodhen.

Projekti i ri parashikon ndërhyrjen në tetë pika të ndryshme, përfshirë riparim e plotësim të mureve, vendosje portash e parmakësh apo ndërhyrje për rrethimin, me qëllim që të bëjnë këtë monument kulture të kategorisë së dytë, sikurse cilësohet në relacionin teknik.