Kulturë

Projekti për shumëkatëshe afër monumenteve në Prizren ndan institucionet

Grupi i banorëve në rrugët “Tahir Meha” e “Ardian Zurnaxhiu”, ka kohë që janë bashkuar kundër objektit disakatësh në lagjen e tyre pasi ai cenon edhe monumentet që i ka përreth. Por të ndara janë institucionet. Përderisa ato të trashëgimisë kulturore s’kanë dhënë leje. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit i kishte dhënë të drejtë investitorit. Ndërkohë, organet komunale të Prizrenit kanë theksuar se në ditët në vijim do të ofrojnë sqarime të hollësishme për këtë çështje. Në një situatë të tillë, dikush nga banorët ka nisur demolimin e pullazit të shtëpisë së vet, për t’i lënë vend objektit të ri

Tjegullat e një shtëpie në zonën e dytë mbrojtëse të qytetit të Prizrenit janë larguar. Banorët që jetojnë në afërsi druajnë se ky hap do t’i paraprijë rrënimit të kësaj shtëpie dhe disa shtëpive të tjera përreth afërsi, me qëllim që të krijohet hapësira për ndërtimin e një ndërtese disakatëshe. Ky grup i banorëve në gusht të vitit të kaluar kishte dorëzuar një peticion kundër ndërtimit të lartë në lagjen e tyre, që ndodhet në rrugën “Tahir Meha” e “Ardian Zurnaxhiu”. Projekti, vjet, ishte kundërshtuar edhe nga organet e trashëgimisë kulturore, por Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit i kishte dhënë të drejtë investitorit. Ndërkohë, organet komunale të Prizrenit kanë theksuar se në ditët në vijim do të ofrojnë sqarime të hollësishme për këtë çështje.

Grupi i banorëve që kundërshton projektin, konsideron se një ndërtesë e tillë do të dëmtonte karakterin historik, kulturor, social dhe urbanistik të kësaj pjese të qytetit.

Përfaqësuesi i autorizuar ligjor i tyre, avokati Faik Miftari, ka theksuar se vjet organet e trashëgimisë kulturore nuk kanë dhënë pëlqim për këtë ndërtim, pasi që bëhet fjalën për zonën e dytë mbrojtëse, si dhe parcelat gjenden brenda rrezes prej 50 metrash nga disa monumente të mbrojtura. Bëhet fjalë për ish-objektin e Armatës, Shtëpinë e Jonuz Agallarit dhe atë të familjes Shpejti. Që të tria janë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. I pari gjendet 38.22 metra larg parcelës ku planifikohet ndërtimi i objektit të lartë, i dyti 48.96 metra dhe i treti 54.96 metra.

Sipas Miftarit, bazuar në këtë Drejtoria e Urbanizmit nuk ka dhënë leje, porse investitori është ankuar te Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, e cila ka aprovuar ankesën dhe ka obliguar Drejtorinë e Urbanizimit që të vazhdojë procedurën për dhënien e lejes.

Avokati Miftari ka numëruar disa akte ligjore e nënligjore që, sipas tij, nuk lejojnë ndërtimin e lartë në këtë zonë, përfshirë dispozita të caktuara të Ligjit për ndërtim, pastaj të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor 08/2017, po ashtu të Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura, si dhe të Ligjit për trashëgimi kulturore.

“Sipas të gjitha akteve ligjore dhe nënligjore të lartcekura, nuk lejohet ndërtimi i ndërtesës apo grup ndërtesash që mund të dëmtojnë kontekstin historik, trashëgimisë kulturore, urbanistike e kështu me radhë”, ka thënë Miftari. Sipas tij, për momentin ai ka informata se nga Komuna nuk janë dhënë lejet, as për rrënim të shtëpive ekzistuese e as për ndërtim.

“Pa marrë parasysh se si do të shkojë, a do të jepet leja apo jo, unë si përfaqësues i tyre ligjor do t’i përdori të gjitha mjetet juridike, ashtu që nëse jepet leja do të ankohemi në organin e shkallës së dytë, do të thotë MEA-s. Në rast se edhe organi i shkallës së dytë, MEA, jep leje atëherë ne do t’u drejtohemi organeve gjyqësore. Kemi të drejtë të parashtrojmë padinë për konflikt administrativ pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti administrativ. Ne do t’i ndjekim të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion në aspektin ligjor”, ka deklaruar ai.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka pohuar se ky organ vjet e ka pranuar këtë lëndë dhe të njëjtën e ka proceduar te Komisioni për vlerësimin e projekteve restauruese konservuese në kuadër të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

“Komisioni në fjalë në disa takime radhazi e ka trajtuar këtë kërkesë, projektin që është adresuar nga ana e Komunës së Prizrenit dhe pas daljes në terren dhe verifikimit të gjendjes faktike në terren ka ardhur në përfundim që kërkesa në fjalë duhet të refuzohet”, ka thënë Hoxha, duke shpjeguar se një rekomandim i tillë është dhënë meqë kjo kërkesë bie ndesh me dispozitat ligjore respektivisht perimetrin e disa prej aseteve që kanë status të mbrojtur, dhe me planin e konservimit që nuk lejon ndërtime kolektive në zonën e dytë të mbrojtur.

Krahas banorëve për këtë çështje ka reaguar edhe anëtari i Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Gashi, i cili ka theksuar se kërkesa e banorëve është respektimi i zonës së dytë mbrojtëse dhe ambientit jetësor në këtë pjesë të qytetit.

“Kam reaguar disa herë publikisht që në zonën e dytë të mbrojtur të mos ndërtohen objektet shumëkatëshe, të cilat do të pengonin vizurat apo peizazhin arkitektonik dhe natyror të qytetit, si dhe do të degradonin qytetin në aspektin urbanistik duke krijuar objekte shumëkatëshe në mesin e shtëpive, duke prishur karakteristikat urbanistike që i ka qyteti, që pa dyshim do t’i varfërojë edhe vetë jetën kulturore dhe ofertën turistike të Prizrenit”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Beni Kizolli, nëpërmjet telefonit ka bërë të ditur se për këtë çështje në ditët në vijim do të jepen sqarime të hollësishme, pasi zyrtarja që e ka këtë lëndë aktualisht është e infektuar me koronavirus.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në tetor të vitit të shkuar kishte aprovuar ankesën e investitorit, duke anuluar një vendim të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren për këtë lëndë, duke obliguar të njëjtin që të nxjerrë aktin administrativ. Në arsyetimin e vendimit pos të tjerash thuhej se meqë parcelat kadastrale për të cilat kërkohet ndërtimi nuk janë në zonën historike të Prizrenit dhe pasi nuk ka Plan Rregullues Urban për këtë lagje, atëherë organi i shkallës së parë duhet të vendosë në bazë të nenit 18 të Ligjit për Ndërtim.

KOHA ka provuar që të kontaktojë edhe me investitorin, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur deri në momentin e raportimit.

Gjatë fundjavës së shkuar organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, duke u thirrur në shqetësimin e grupit të qytetarëve të kësaj zone, për rrënimin eventual të shtëpive, në rrjetet sociale i kishte bërë thirrje Inspektoratit që të dalë në terren për verifikim të ligjshmërisë. Pas kësaj, drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Edon Muçaj, në rrjetet sociale ka bërë të ditur se “inspektorët e ndërtimit kanë dalë në vendngjarje me ç’rast është hasur vetëm një shtëpi së cilës i janë larguar tjegullat”. “Më tej pronari/investitori ka deklaruar se do të respektojë urdhrin e Inspektoratit për ndërprerjen e punimeve deri në pajisjen me dokumentet e nevojshme. Ndërsa nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor jemi informuar se zyrtarja, e cila e ka lëndën në trajtim është me COVID-19 dhe se së shpejti do të informohen qytetarët për kronologjinë e lëndës”, kishte shkruar zyrtari i lartë komunal.