Kulturë

“Procesion” për jetën, vdekjen dhe gjithçka që jep tingull

Foto: Adi Beqiri

Në edicionin e sivjetmë, aspak të zakontë, festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” dha një copëz të programit në Pejë. Në kinemanë “Jusuf Gërvalla”, të enjten mbrëma, “DAM”-i u prezantua me një eksperimentim muzikor në perkusione.

U dha premiera botërore e video-koncertit “Procesion” të artistit Christian Smith nga Holanda. Pas shfaqjes në qytetin perëndimor, vepra do të shfaqet edhe në Prishtinë e Amsterdam. Kur “Procesion” përfundoi, publiku pati mundësinë që të shohë dokumentarin “Press Release” të realizuar nga Anisa Xhomaqi. Dokumentari 10-minutësh ka kapur vizitën e “Oerknal”, kolektivit të muzikantëve ndërkombëtarë me bazë në Holandë, në edicionin e kaluar të “DAM-it”.

“Faleminderit që keni ardhur”, iu drejtua publikut drejtori artistik i “DAM”-it, Dardan Selimaj. E kishte të nevojshme që ta merrte fjalën para se të niste video-koncerti 35-minutësh. U dha udhëzime të pranishmëve që të përcjellin njëkohësisht me video-koncertin edhe shënimet të cilat janë në program. Në këtë mënyrë theksoi se do të plotësohet imazhi dhe do të kuptohet i gjithë procesi i punës të cilën artisti ka dashur ta paraqesë përmes veprës së tij mjaft moderne.

Christian Streit Smith është perkusionist dhe inxhinier zëri që jeton dhe punon në Hagë të Holandës. I lindur në SHBA, ai është i interesuar kryesisht për tinguj të rëndë dhe të gjatë. Smith nxjerr tinguj edhe nga objekte të ndryshme, duke e shtuar kështu listën e koleksionit të tij të perkusioneve.

“Procesion” nisi me interpretimin e pjesës së parë “Ritual I: Zotim: BiiM”, kompozuar nga Jessie Marino. Vepra është incizuar në Bazel të Zvicrës në verën e vitit 2016. Sa herë që ndizej një dritë që ndriçonte bazën e baterive, Smith krijonte tinguj me një goditje.

“Në katër vjetët e fundit, si muzikant dhe perkusionist, pikëpamjet e mia për jetën, vdekjen dhe jo vetëm, i shpreh nëpërmjet eksperimentimit me muzikë dhe mediume vizuale. Filmi 35-minutësh kulmon në një video muzikore që e kam krijuar për pjesën e fundit të albumit tim të ri ‘Blue Scatter’, ka thënë Smith për këtë projekt. Tutje, në mesazhin e dërguar për Festivalin, që është publikuar edhe në program, ka shtuar: Shpresoj ta shijoni botën e pasur zanore që unë dhe bashkëpunëtorët e mi e kemi krijuar për ju.

Pjesa e dytë e video-koncerit ishte “How Sauce Sounds? (Si tingëllon sosi?), një kompozim nga Leo Lehtinen. Incizuar në apartamentin e Christian Smith në Hagë, artisti shfaqet duke performuar mbi tenxhere dhe gjësende të ndryshme nga kuzhina. Duke u rënë të njëjtave krijon tinguj. Smith ka bërë edhe editimin audio-vizuel të kësaj pjese, që e ndante ekranin në më shumë se tetë pjesë. Në secilën prej tyre melodia ishte e ndryshme. Krijonte përshtypjen se po luan një orkestër e tërë.

Kjo ishte edhe pjesa e preferuar e profesoreshës së këndimit në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, Besa Berberi.

“Fatkeqësisht, për perkusionet ne i kemi njohuri të kufizuara dhe kjo disi ma hapi imagjinatën për të gjitha ngjyrat e tingujve në perkusione. Më ka dhënë një ngjyrë shumë më tepër sesa më jep një tingull dhe më la përshtypje pasi që nuk kisha menduar në këtë relacion me perkusionet”, ka thënë Berberi. E veçantë për të ishte edhe pjesa “Kuarup A”, e kompozuar nga Esaias Järnegard, incizuar në Goteburg të Suedisë. Në të, Christian Smith luan në një def me të madh sesa defi tradicional. Smith krijon tinguj duke i rënë më duar, por edhe me objekte të ndryshme.

“Njëherë mendoja që nuk e di se çfarë është duke bërë dhe se është duke krijuar një vepër aty për aty vetë”, ka thënë Berberi.

Video-koncerti përfundoi me pjesën e katërt “Anarres (Blue Scatter)”, kompozuar vetë nga Christian Smith, incizuar në periudhën prill – gusht në apartamentin e artistit, me video-incizime nga ballkoni dhe fusha bujqësore në veri të Holandës. E, vibrafoni që dëgjohet është i incizuar në stallë pranë fushave. Interpretimi është shoqëruar me gërshetim video-incizimesh me vepra arti realizuar nga Sara Angelino. Smith, kohët e fundit, ka punuar për të krijuar vepra të porositura dhe projekte për festivale si: “Gaudeamus Muziekweek” e “Le Guess Who” në Holandë, Bienalen e Münihut dhe “DAM”-in.

Bleona Leka nga Peja, e cila studion për piano në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ka thënë se video-koncerti i ka lënë përshtypje për shkak të qasjes së tij kontemporane.

“Ishte diçka që nuk e dëgjojmë çdo ditë, ani pse jetojmë në një kohë të tillë. Është diçka më ndryshe, që na tregon se mund të krijojmë muzikë nga gjithçka që na rrethon. Pasi që në studime jemi akoma duke mësuar më shumë brenda kornizave klasike, ky koncert e bën me të veçantë për dallim nga muzika të cilën e luajmë çdo ditë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se gjatë rrugëtimit muzikor artistët pastaj kalojnë edhe nëpër stile të tilla eksperimentale.

Në anën tjetër, dokumentari “Press Release” – i titulluar sipas veprës së kompozitorit amerikan David Lang – solli një ngrohtësi. Videoja shfaqi prapaskenat prapa koncertit të “Oerknal-it” në mars të vitit të kaluar. Ansambli, i cili drejtohet nga dirigjenti Gregory Charette, në Prishtinë pati ardhur në formacion të Raphaella Engelsberg e Mariana Hutchinson Siemers në violinë, Lidwine Dam (violë) Daniel Walden (piano) Daniel Boeke (bas-klarinetë) Christian Smith në perkusione e René van Munster në violonçel.

“Udhëtime të çmendura disaminutëshe” janë quajtur veprat bashkëkohore të cilat ishin luajtur në natën e tretë të festivalit ndërkombëtar “DAM”. Brenda “Press Release” u shfaqën edhe momente të ndryshme gjatë edicionit të parë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë, ku fituese u zgjodhën Anda Kryeziu dhe Nemanja Radivojeviq. Për publikun që qëndronte në distancë dhe me maska në fytyrë, vepra e Anisa Xhomaqit zgjoi një nostalgji për sallat e mbushura, artistët që luanin bashkë dhe afër-njëri-tjetrit. Po ashtu ngriti pyetje se kur “DAM”-it do t’i rikthehen artistët ndërkombëtarë në mënyrë fizike, e po ashtu edhe publiku. Pasi që, siç thotë edhe Selimaj te dokumentari, “DAM” është një moment shumë i rëndësishëm gjatë vitit, një mundësi për muzikantët kosovarë që të jenë më afër kolegëve të tyre nga vendet e tjera që vijnë në Kosovë për të interpretuar.