Kulturë

Procesi për memorial për fëmijët e vrarë gjatë luftës – në pikën zero

Me emërimin e Komisionit për “Memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998/99 në Kosovë” Qeveria e Kosovës do ta nisë procesin nga e para, përderisa një projekt i ngjashëm kishte mbërritur deri në Zyrën e Kryeministrit, para tre vjetësh. “Grupi besoj se do të konceptojë një qasje nga fillimi, nga e para”, ka thënë për KOHËN ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, njëherësh anëtar i Komisionit që do të kryesohet prej kryeministrit Albin Kurti. Dizajneri Rrezeart Galica, bartës i projektit konceptuar si kompleksi memorial “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999”, tha se qasja e tanishme e ekzekutivit i ngjan me manipulim të asaj që ua kishin prezantuar autoriteteve të shtetit

Ngritja e një memoriali për fëmijët e vrarë në luftën e fundit në Kosovë është ide e kahershme. Madje para tre vjetësh Kryeministrisë i ishte dorëzuar edhe një projekt bashkë me maket. Nuk ishte folur fort për të, siç nuk është folur as tash nga kryeministri Albin Kurti, kur është marrë vendim që është themeluar komisioni qeveritar për “Memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998/99 në Kosovë”. Pos që e ka lidhur me një qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, nuk janë dhënë të tjera detaje.

Por disa orë pas kësaj mbledhjeje, të mërkurën pasdite, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se bëhet fjalë për iniciativë që nis nga e para. Kësisoj projekti që është në sirtarët e Kryeministrisë qysh në marsin e vitit 2019 i bie të mos merret parasysh.

“Grupi besoj se do të konceptojë një qasje nga fillimi, nga e para, në raport me atë se si do të memorializohet kjo kujtesë dhe si do të bëhet dokumentimi dhe prezantimi i krimeve që forcat serbe kanë kryer gjatë luftës ndaj fëmijëve të Kosovës”, ka thënë ministri Çeku të mërkurën mbrëma për KOHËN. Çeku bashkë me ministren e Drejtësisë, ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve janë anëtarët e Komisionit. Është kryeministri Kurti që e kryeson atë.

Dizajneri Rrezeart Galica është njëri prej bartësve të projektit që iu prezantua ekzekutivit tre vjet më parë. Bashkë me të tjerë qe pritur në takim nga kryeministri i asaj kohe, Ramush Haradinaj, i cili pas takimit i kishte përgëzuar nismëtarët për idenë dhe kishte thënë se “memoriali do ta përjetësojë dhimbjen dhe do t’i bëjë jehonë në botë të drejtës së Kosovës”.

Ishte Këshilli organizativ i familjeve të fëmijëve martirë të Kosovës që kishte “trokitur” në dyert e Qeverisë për të çuar përpara atë që ishte konceptuar si kompleksi memorial “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999”. Nëpërmjet projektit të dizajnuar nga Galica synohej që shteti ta financonte kompleksin me rreth 500 mijë euro. Sipas iniciatorëve të udhëhequr nga Nusret Pllana, kompleksi duhej të zinte vend afër aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

Për qasjen Qeverisë së tanishme Galica ka thënë se para së gjithash informatën për themelimin e Komisionit e ka marrë nga mediat. Ka thënë se nuk është në dijeni se me çfarë kriteresh është ngritur komisioni dhe për çfarë projekti më saktësisht është fjala.

“Prej informatave që mora bëhet fjalë për fëmijët e vrarë në periudhën 1998-1999 e ky mund të jetë diçka që më shumë ngjan se është manipuluar projekti fillestar ku kanë qenë të përfshirë fëmijët e vrarë në periudhën 1981-1999”, ka thënë Galica për KOHËN, në përgjigjet me shkrim. Sipas tij, siç dihet edhe para vitit 1998 ka fëmijë që kanë qenë viktima të okupatorit serbë të rrahur, të plagosur e të vrarë në rrethana të dyshimta prej autoriteteve të atëhershme.

“Mendoj se do të ishte turp i madh i cilado autoriteteve të atëhershme apo të tanishme që tentojnë ta anashkalojë profesorin e veprimtarin Nusret Pllana, i cili nuk ka lënë gur pa lëvizur që kjo ide e ky projekt të jetësohet”, ka thënë ai. Sipas Galicës, përkrahja e familjarëve të fëmijëve të vrarë ka qenë “shumë e madhe dhe permanente vetëm e vetëm që të krijohet ky memorial kaq domethënës që ata të përkujtojnë më të dashurit e tyre”.

“Në projekt kemi punuar me vite, do të thotë para 2019-s, bashkë me Nusret Pllanën, ideja e të cilit ka qenë ndërtimi i këtij memoriali”, ka thënë ai. Ka treguar se varianti i publikuar i obeliskut bashkë me pjesët tjera është ideuar duke u këshilluar edhe me arkitektë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Kur me projekt nismëtarët qenë takuar me ish-shefin e Qeverisë ka pasur edhe kritika e kërkesa nga një pjesë e komunitetit të arkitektëve që për memorialë të tillë të hapej konkurs.

“Vetëm te ne ndodh që pikërisht ai që ka këshilluar del në media dhe kritikon kinse konceptin e projektit. Projekti nuk është menduar si final, por variant i modifikueshëm pjesërisht që përfshin një pjesë të madhe të elementeve qoftë monumentale e muzeale”, ka thënë Galica, pa përmendur emra. Ka treguar se e kanë përcjellë projektin në “qeveri pas qeverie dhe nuk dënjuan që ta nisin gur themelin e lëre më ta finalizonin”.

“Në fakt, procesi është menduar i ri, siç po duket nga këto informata që kanë rrjedhur, por do të ishte e pabesueshme që të përvetësohet qoftë për interesa personale, partiake apo politike e të luhet me një çështje kaq të ndjeshme”, ka thënë ai. Ka hedhur dyshime se çfarë kriteresh mund të vendosin një komision ministrash kur profilet e tyre nuk korrespondojnë me natyrën e këtij projekti.

“Tani për tani po punojmë edhe në disa aspekte te ky projekt dhe sapo të arrijmë deri te finalizimi do të bëjmë të ditur për medie se cilat do të jenë mënyrat e pjesëmarrjes”, ka thënë ai.

Galica me bashkëpunëtorë, në nëntor të vitit 2019, kishin vënë një bilbord afër Aeroportit dhe kishin bërë thirrje që të realizohej obelisku. Sipas projektit të tyre, obelisku do të ishte 30 metra i gjatë dhe 20 metra. Po ashtu aty do sipërfaqen prej një hektari, ku do të mbilleshin 1 432 pemë “bonsai” dhe në secilën të ishte nga një emër fëmije.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, s’ka folur fare për këtë projekt. Ka thënë se Komisioni do ta bëjë një punë për ta memorializuar një kujtesë për fëmijët e vrarë gjatë luftës. Sipas tij, është një përpjekje për të vazhduar dokumentimin e krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë luftës, por me fokus te fëmijët e vrarë. Detajet e kësaj pune, sipas Çekut, do të definohen me punën e Komisionit. “Në ditët dhe javët në vijim do të kemi takimet tona për ta prezantuar propozimin tonë në Qeveri, për ngritjen e një memoriali ose të një qendre memoriale për fëmijët e vrarë të Kosovës”, ka thënë ai.