“Akademie der Künste der Welt” është një platformë ndërkombëtare për artin bashkëkohor dhe diskursin publik. Anëtarët e Akademisë janë një kolektiv global i artistëve, studiuesve dhe praktikuesve të kulturës që formësojnë programin e saj përmes perspektivave të tyre ndërdisiplinore dhe praktikave artistike. E Petrit Halilaj si anëtar i ri do t’i ndihmojë institucionit në misionin e vet
Akademitë e arteve e kanë shënjestruar Petrit Halilajn. Artisti nga Kosova – jo veç si prejardhje, por edhe në bazë të veprave që ia ka prezantuar botës – është duke u cilësuar si vlerë e lartë nga institucione prestigjioze të artit.
Në mars të këtij viti, Akademia e Arteve në Berlin është pikë reference sa u përket instituteve artistike në Evropë me traditë 327-vjeçare ia ka ndarë Çmimin për Arte Vizuale Petrit Halilajt. Bazuar në krijimtarinë e Halilajt, juria ka vlerësuar se këtë vit ai duhet të jetë laureat i këtij çmimi prestigjioz si një artist që vazhdimisht hulumton të kaluarën personale e kolektive, duke ngritur pyetje me bazë politike të cilat eksplorojnë ndërlidhshmërinë midis realitetit e imagjinares.
Një tjetër Akademi e ka nderuar Halilajn këto ditë. Akademia e Artit Botëror në Këln të Gjermanisë ka zgjedhur që Halilaj të jetë anëtar i saj.
“Akademie der Künste der Welt” është një platformë ndërkombëtare për artin bashkëkohor dhe diskursin publik. Anëtarët e Akademisë janë një kolektiv global i artistëve, studiuesve dhe praktikuesve të kulturës që formësojnë programin e saj përmes perspektivave të tyre ndërdisiplinore dhe praktikave artistike. Nëpërmjet programit të saj, ADKDW promovon një kuptim kritik të arteve dhe synon të zbulojë dhe rimendojë kushtet bashkëkohore të historisë kulturore dhe prodhimit kulturor. Me këtë si koncept bazë, ADKDW organizon ngjarje dhe ekspozita, realizon botime dhe inicion projekte kërkimore dhe studimore.
Sipas Akademisë, që për anëtarë ka personalitete globale të artit dhe kulturës, projektet e Halilajt janë të rrënjosura në biografinë e tij dhe përfshijnë një shumëllojshmëri mediash, duke prekur skulpturën, vizatimin, tekstin dhe performancën. “Duke inkorporuar shpesh materiale nga Kosova dhe duke u shfaqur si instalacione hapësinore ambicioze, puna e tij i shndërron marrëdhëniet personale, vendet dhe njerëzit në forma skulpturore”, shkruhet në prezantimin që i ka bërë Akademia Halilajt. Sipas përshkrimit që i ka bërë Akademia, praktika e Petrit Halilajt mund të shihet si një përpjekje për t'u rezistuar politikave shtypëse dhe normave shoqërore drejt një kremtimi të “pazbutur të të gjitha formave të lidhjes dhe lirisë”.
Halilaj ka thënë se është i mbushur me lumturi të pamasë dhe nder të thellë që ka marrë një ftesë për t’iu bashkuar Akademisë së Arteve të Botës në Gjermani.
“Të kesh mundësinë për t'iu bashkuar këtij komuniteti shumë të vlerësuar për pesë vjetët e ardhshëm është një privilegj i mrekullueshëm dhe jam i emocionuar të kontribuoj në vizionin, programin dhe aktivitetet e Akademisë. I jam shumë mirënjohës Madhusree Dutta që më ka nominuar për të qenë pjesë e këtij institucioni të jashtëzakonshëm”, ka thënë Halilaj. ka treguar se mezi po pret që ta nisë këtë rrugëtim ku shpreson të kontribuojë në ligjërimin pasurues dhe në sipërmarrjet bashkëpunuese që mishëron Akademia e Arteve të Botës.
Ashtu siç edhe e ka përshkruar Akademia që Halilaj veprimtarinë e tij e ka të rrënjosur te prejardhja, ai ka thënë se lajmin për anëtarësim bashkë me këtë gëzim ua dedikon ëndrrave të qytetarëve të Runikut. I lindur në Runik më 1986, Halilaj jeton në Berlin.
“Lajmin ia dedikoj po ashtu sfidës edhe mundësisë që e kemi tani, me qenë pjesë aktive edhe me e dhanë një kontribut qytetar, me kriju një komunitet artistik prej Runikut e më gjerë që ta ruajmë, rindërtojme dhe sjellim sheshin e Runikut qytetareve të vet, me rindërtimin dhe krijimin e programit brenda Shtëpisë së Kulturës”, ka thënë Halilaj. Muajin e kaluar ishte ndalur iniciativa e Komunës së Skenderajt për ta rirregulluar zonën qendrore të fshatit. Ndërhyrjet në Shtëpinë e Kulturës që është monument, ishin ndalur pasi ishin ndërmarrë pa pëlqimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore. Procesi tashmë do të ridefinohet krejtësisht. E Halilaj është personazh kyçl, ashtu siç sivjet është edhe në një institucion tjetër prestigjioz, ku bën thirrje për paqe.
“Histori të papërfunduara” është titulli i ekspozitës së Petrit Halilajt, e cila po qëndron e hapur në Muzeun e Kryqit të Kuq në Gjenevë, dhe të tilla histori janë kujtime lufte, por që nuk asociojnë me to në shikim të parë. Kjo është lufta e tij për paqe, zëri i një të mbijetuari të luftës në Kosovë, i cili i thërret botës në kohë luftërash që ndizen edhe sot, e aso të përhershme në dëm të planetit. “Tash kjo që po ndodh sot si ekspozitë përballë ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Kryqin e Kuq, të cilët janë afër viktimave si organizatë neutrale, do të thotë shumë për mua”, ka thënë Halilaj në qershor.
Paraprakisht bashkë me partnerin e tij, Álvaro Urbano, në maj në Venecia kishin ndërtuar njëfarë universi paralel, ku specie të ndryshme, edhe pse bashkohen në një ambient kishtar, nuk ishin brenda folesë. Përkundrazi thërrisnin që qeniet të ndajnë hapësirat mes vete e t’u bëjnë vend botëkuptimeve që kanë. Dyshja Halilaj e Urbano së bashku me artisten libanezo-amerikane Simone Fattal nëpërmjet ekspozitës “Thus Waves Come in Pairs” (Kështu dallgët në dyshe vijnë) kishin “veshur” me skulptura ambientet e Kishës së Shën Lorencit në Venecie.
Petrit Halilaj i ishte kthyer Venecias pas vitit 2017, kur në kuadër të ekspozitës kolektive ishte paraqitur me dy instalacione: “Abetare” dhe “A e kuptoni se ekziston një ylber edhe nëse është natë?”. Asokohe kishte marrë edhe Mirënjohje Speciale nga organizatorët. E më 2013 kishte përfaqësuar Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në këtë qytet. Pavijoni i Kosovës asokohe titullohej “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”.