Kulturë

Për 8 muaj u refuzuan 20 lëndë që bien ndesh me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit

Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit gjatë periudhës shkurt-shtator 2021 ka mbajtur 48 mbledhje, me ç’rast ka dhënë 28 pëlqime për lëndët që janë në përputhje me legjislacionin dhe 20 tjera i ka refuzuar me arsyetimin se bien ndesh me Ligjin për Qendrën Historike të qytetit. Këto të dhëna janë paraqitur këtë javë gjatë raportimit të këtij trupi këshillëdhënës në vazhdimin e seancës së fundit të Kuvendit të Komunës. Në anën tjetër, kuvendarët kanë kërkuar më shumë sqarime lidhur me mbrojtjen e vlerave në këtë zonë historike. Në të njëjtën kohë pa përgjigje ka mbetur pyetja e shtruar se si ka degraduar Qendra Historike deri në masën ku është sot.

Anëtarja e KTK-së, Igballka Rama, para kuvendarëve ka paraqitur raportin e punës shkurt-shtator 2021, duke shpalosur numrin e rasteve të shqyrtuara për çdo muaj, bashkëpunimin ndërinstitucional, reagimet, konsultimet shtesë, punën gjatë pandemisë, si dhe kërkesat për të ardhmen.

“Totali i mbledhjeve të mbajtura deri më tani janë 48 mbledhje”, ka thënë Rama, duke sqaruar se përmbajtja e tyre ka qenë e përqendruar në lëndë të pranuara, por edhe për avancimin e Këshillit në procese të mëtutjeshme, në krijimin dhe plotësimin e databazës së lëndëve, sikurse edhe takimet me institucionet tjera relevante dhe palët tjera.

“Numri i përgjithshëm i aplikimeve është 60, ku me përgjigje po janë 28 lëndë, me përgjigje ‘jo’ janë 20 lëndë, nuk shqyrtohen 5 lëndë, si dhe me kthim të lëndëve për plotësim janë 9 lëndë”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, gjatë periudhës raportuese nuk janë evidentuar rrënime të objekteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Rama ka shpjeguar se bashkëpunimi ndërinstitucional ka qenë i mirëfilltë dhe ka veçuar se gjatë kësaj kohe ka pasur reagime të KTK-së lidhur me praninë e kioskave, tezgave, tavolinave dhe elementeve tjera montazhe, parkingjeve, si dhe kontejnerëve në afërsi të monumenteve, pastaj reklamat në shpërputhje me dispozitat e ligjit përkatës, rregullimi i një rruge, kontrollimi i qarkullimit të automjeteve, e të tjera.

Këshilltari i AAK-së, Alush Shala, është interesuar nëse KTK-ja ka kushte për punë si dhe nëse posedon të dhëna nëse parkingjet e krijuara pas rrënimit të shtëpive të vjetra kanë leje përkatëse.

Anëtarja e KTK-së, Igballka Rama, ka pohuar se në fillim KTK-ja ka pasur sfida dhe se tani ka kushte maksimale për punë, ndonëse ju mungon harta e Qendrës Historike. Sipas saj, të dhënat lidhur me parkingjet dhe lejet duhet t’i kenë organet tjera komunale.

“Ne jemi trup këshillëdhënës. Drejtoria e Urbanizmit vendos, pas konsultave që zhvillohen. Ne japim këshilla ose rekomandime. Kemi pasur kthime të lëndëve apo s’kemi dhënë pëlqim. Por, duhet ta ceki se pa pëlqimin tonë as DU-ja nuk ka dhënë leje”, është shprehur Rama.

Ndërkaq, këshilltari i Nismës Socialdemokrate, Shukri Quni, duke përkujtuar reagimet e ankesat e KTK-së lidhur me parkimin, mbeturinat, heqjen e kubëzave, ka kërkuar shpjegime se nga cilat drejtori është kërkuar intervenim për sanim të gjendjes.

Rama ka shpjeguar se varësisht prej çështjes dhe nevojës për intervenim ka komunikime ose takime me Drejtorinë e Inspektoratit, atë të Shërbimeve Publike, apo të Urbanizimit. Ajo ka pranuar se në të shkuarën ka pasur rrënime të ndërtesave me vlerë. “Por, po angazhohemi që ta ruajmë atë që ka mbetur”, ka thënë Rama.

Dafina Alishani e VV-së ka shprehur keqardhjen që përgjegjësit për intervenime nuk janë të pranishëm në seancë. “Reklamat nuk janë larguar dhe nuk janë marrë masat. Por, ju nuk jeni kompetent për këtë”, ka thënë ajo, teksa ka kërkuar nga drejtoritë përgjegjëse që t’i shtypin hartat e Qendrës Historike. Rama ka theksuar se KTK-ja ka reaguar për çështjen e reklamave dhe se sërish do ta përsërisë derisa një gjë e tillë të gjejë zbatim.

Ilir Baldedaj i AAK-së ka kërkuar informata për zbatimin e rekomandimeve të KTK-së nga Komuna e Prizrenit rreth mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Rama ka shprehur qëndrimin se bashkëpunimi ndërinstitucional është maksimal.

Ndërsa, Dafina Bllaca e PDK-së ka shtruar dilemën se si u degradua kjo Qendër, kur bashkëpunimi institucional qenka në nivel të lartë. “Nëse ju keni bërë kërkesa për mbrojtjen e Qendrës Historike dhe nëse, siç thatë, keni pasur marrëdhënie shumë të mira me drejtoritë dhe janë marrë parasysh rekomandimet e juaja, atëherë si arritëm që Qendra Historike të degradohet deri në këtë masë ku është sot?”, ka pyetur ajo.

Rama ka thënë se nuk ka përgjigje, megjithëse i ka ofruar mundësinë e takimit Bllacës për të diskutuar më tej këtë çështje në zyrat e KTK-së.

Roli i KTK-së që përbëhet nga 7 anëtarë, sipas dispozitave të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, është që të vëzhgojë dhe të këshillojë rreth aktiviteteve në Qendrën Historike të Prizrenit për ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore.