Kur kanë mbetur më pak se katër muaj deri në prezantimin e artit të Kosovës në një ndër ngjarjet më të rëndësishme artistike në botë, përgatitjet po finalizohen. Piktura “Dhëmbë të fortë” e Brilant Milazimit në Pavijonin e Kosovës, në edicionin e 61-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia do të zërë vend në kishën “Chiesa della Pietà”, e cila njihet edhe si kisha e kompozitorit të shquar të barokut, Antonio Vivaldi. Ambienti i zymtë dhe i çuditshëm i veprës “Dhëmbë të fortë” të artistit Milazimi strehohet në hapësirën që çmohet si një prej xhevahireve të arkitekturës veneciane.
Pikërisht aty filloi karriera muzikore e një prej emrave më të shquar të muzikës klasike, Vivaldi. Më pas u bë qendra kryesore e karrierës së tij. Midis veprimtarisë së tij si prift, ishte mësues violine e më pas edhe viole. Kësisoj, objekti që daton nga shekulli i 18-të njihet edhe si “Kisha e Vivaldit”.
Piktura 17 metër e lartë e Milazimit do të jetë në komunikim në kishën e stilit barok prej 9 majit deri më 22 nëntor, në hapësirën përplot afreske si atraksion kryesor, që zbukurojnë tavanin e saj dhe të gjitha muret.
E projektuar nga Giorgio Massari, kisha u ndërtua midis viteve 1745 dhe 1760. Fasada, duke imituar stilin klasik ishte e papërfunduar dhe kjo ndodhi në vitin 1906, sipas modelit origjinal të projektuesit. E brendësia e tij, siç bëhet me dije, është një nga ambientet më harmonike dhe elegante, më të shenjta veneciane të viteve 1700.
Është një prej hapësirave të ngjarjes, që konsiderohet si një ndër më prestigjiozet dhe më me ndikim në artin bashkëkohor në botë. E themeluar në vitin 1895, Bienalja e Venecias është e para e artit në histori.

Kosova merr pjesë tradicionalisht duke prezantuar kulturën e artit vizual të saj, duke shfrytëzuar hapësirën e saj për dialog kulturor e politik. Sivjet për të parën herë me pikturë.
Sipas Galerisë Kombëtare të Kosovës si komisionuese, ekspozita impresive “Dhëmbë të fortë” e kuruar nga meksikani José Esparza Chong Cuy, “fton shikuesit ta vëzhgojnë dhe ta përjetojnë nga afër. Figurat rezistojnë, ato qëndrojnë në pritje, me dhëmbët e shtrënguar fort”.
“Vepra e re e Brilant Milazimit ankorohet rreth një pikture peizazhi 17 metra të gjatë, e cila paraqet një rend figurash të radhitura afër njëra-tjetrës, si vargmale që na e kujtojnë terrenin rural të Kosovës. Duke u bërë jehonë pamjeve me procesione të gjata të njerëzve, vepra bashkon trupa të brishtë që duken sikur shtrihen brenda peizazhit”, ka bërë të ditur GKK-ja duke dhënë detaje për veprën. “Se çka presin nuk dihet kurrë. Ky pezullim i kohës dhe i destinacionit pasqyron dekada të një pasigurie të jetuar, të formësuara nga tranzicioni politik, njohje të kontestuar dhe burokraci të papërfunduara të sovranitetit të Kosovës. ‘Dhëmbë të fortë’ i jep formë tendosjes fizike dhe psikologjike të kësaj pritjeje pa fund”, bëhet e ditur më tej për veprën e artistit Brilant Milazimi.
Nga ajo që shihet, ngjyra e kuqe mbizotëron në këtë vepër. Prekja me ngjyra të errëta është minimale, ndërsa ato të hapura krijojnë lloj dritëhijesh. Formësojnë figuracionet në forma ku njeriu nga perspektiva prej larg-afër është i mjegulluar.
Pikturat e tij artikulojnë vizion ogurzi dhe poetik të jetës bashkëkohore, siç shkruhet për praktikën e punës së artistit 31-vjeçar nga Gjilani.
“Brilant Milazimi e përkthen perceptimin e tij të botës në imazhe që janë njëkohësisht të hidhura, të buta, kanë humor të errët dhe janë shqetësuese. Duke u mbështetur në logjikën e pavetëdijes dhe imagjinares fiktive, pikturat e tij artikulojnë një vizion ogurzi dhe poetik të jetës bashkëkohore, të shënjuar nga fizionomi të ekzagjeruara, prani shtazore, me motivin e përsëritur të dhëmbëve të shtrënguar—simbole përmes të cilave dalin në pah tensione shoqërore dhe konflikte të pazgjidhura”, shkruan GKK për Milazimin.
Në korrik, juria e përbërë nga Inke Arns, Erëmirë Krasniqi, Christine Macel, Valentine Umansky dhe Rein Wolfs, ka zgjedhur që ai të jetë artisti që hap kapitullin e radhës të Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias. Votat për të kishin qenë unanime. Milazimi, artist i gjeneratës së re, kishte qenë në mesin e shtatë konkurrentëve, emrat e cilëve nuk ishin bërë publik.
Juria pati vlerësuar qartësinë e vizionit, gjuhën e fuqishme vizuale dhe angazhimin e tij me mediumin e pikturës.
“Ekspozita synon të ngjallë një reagim të thellë emocional përmes atmosferës dhe pranisë. Në një ambient zhytës, të zymtë dhe të çuditshëm, vizitorët do të përballen me figura të pezulluara në një tension të qetë, që mishërojnë gjendje të pazgjidhura pritjeje, qëndrueshmërie dhe përmbajtjeje. Këto përvoja pasqyrojnë gjendje të paqarta politike, siç është edhe vetë njohja e pjesshme e Kosovës në skenën ndërkombëtare, ndërsa rezonojnë edhe globalisht në epokën e krizave të migrimit, ngërçit burokratik dhe pasigurisë kolektive”, shkruhej në arsyetim për veprën që ka për kurator José Esparza Chong Cuy.

Ai është kurator, shkrimtar, redaktor dhe arkitekt nga Meksika. U lind më 1984. Në biografinë e tij shkruhet se ai ka mbajtur role të ndryshme institucionale në nivel ndërkombëtar dhe ka bashkëpunuar me dhjetëra artistë në mbarë botën. “Është bashkëredaktor i librit të ardhshëm ‘Empty Plinths: Monuments, Memorials, and Public Sculpture in Mexico’, i cili do të botohet në vitin 2026 nga ‘Harvard Design Press’ në Harvard University”, shkruhet në biografinë e tij.
Edicioni i 61-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia mbahet prej 9 majit deri më 22 nëntor. Tema e Bienales, kuruar nga Koyo Kouoh, është “In the Eye of the Storm – Chronicles of the Minor Key”. Kouoh vdiq papritur qershorin e kaluar në moshën 57-vjeçare. Ishte një nga figurat kryesore të botës së artit dhe avokuese e pakompromis e krijuesve afrikanë. E lindur në Kamerun, Kouoh ishte në kulmin e karrierës së saj.
Kosova thirrjen për përfaqësim shtetëror e kishte hapur po në maj. Sipas ftesës për aplikim të Ministrisë së Kulturës, thirrja ishte e hapur për projekt-propozim të përbashkët artist-kurator apo edhe kolektiv, për realizimin e një ose më shumë veprave të reja artistike. Në thirrje shkruhej se projektet mund të jenë të formave të ndryshme, përfshirë ekspozita personale, grupore apo ekspozita tematike. Afati i fundit i aplikimit ka qenë 20 qershori.
Në edicionin e kaluar, më 2023, Kosova ishte përfaqësuar me “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të artistes së gjeneratës së re, Doruntina Kastrati, nën kurimin e Erëmirë Krasniqit. Ishte përfaqësimi i gjashtë i Kosovës në Bienalen e Artit që kulmoi me sukses. Pavijoni i Kosovës në garë me 80 shtete mori “Mirënjohje Speciale” në edicionin e 60-të, ku “Luanin e Artë” e mori Australia.