Kulturë

Pandemia vështirësoi mësimin dhe shpërfaqjen e kulturës

Vitin e kaluar, sherri i pandemisë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare qe anuluar, përderisa sivjet jo pak ngjarje të planifikuara janë mbajtur online ose s’kanë mundur të mbahen. E pandemia ka qenë temë e pashmangshme edhe në edicionin e sivjetmë. Të enjten është trajtuar në aspektin e kulturologjisë e aty janë zbërthyer edhe çështjet se si ka ndikuar në arsim, media a në shpërfaqjen e kulturës. Në sesionet e gjuhësisë njëra prej temave ka qenë edhe shqipja e vjetër dhe gjurmët e saj në shqipen e sotme

Pandemia qysh prej fillimit të vitit të kaluar ka sprovuar shoqërinë anembanë globit. Riorganizimi i jetës ka qenë i pashmangshëm. Sistemet arsimore janë goditur gjithandej. E si opsion është parë edhe mësimi online në distancë sidomos në muajt e parë të pandemisë.

Kjo temë bashkë me funksionin e mediave gjatë pandemisë ka qenë pjesë e kumtesave në sesionin e kulturologjisë në edicionin e sivjetmë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Duke folur në temën “Mësimi, media dhe situata pandemike”, studiuesi Alfred Halilaj ka treguar për organizimin e mësimit në Shqipëri. Ai ka thënë se me të trokitur pandemia, procesi mësimor ka filluar të mbahet në distancë. Sipas një ankete që ka zhvilluar ka rezultuar se rezultatet nuk ishin të kënaqshme.

“Qasja në internet në Shqipëri nuk është në nivelin që është në Kosovë”, ka thënë ai duke konstatuar se rreth 50 për qind e territorit nuk mbulohet nga interneti. Ka konstatuar se pos kësaj, jo të gjithë fëmijët kanë pasur mundësi të posedojnë aparate teknologjike për t’u bërë pjesë e “klasave online”.

“Radiotelevizioni Shqiptar ka nxjerrë një kanal të ri për mësim. Aty janë mbajtur orë nga 10 minuta dhe mësuesit kanë lexuar në ‘Power Point”, ka thënë ai. Sipas studiuesit, mësimnxënia ka qenë tejet e vështirë në këto kushte. Ka thënë se xhirimet do të mund të ishin bërë në ambiente kabinetike dhe për lëndët shkencore shpjegimi të ishte shumë më i kuptueshëm.

Ka rekomanduar që fëmijët të kenë qasje më të madhe në mjete komunikimi online, orët mësimore të jenë më të gjata e po ashtu mësuesit të trajnohen për shpjegime të lëndëve mësimore nga distanca.

Ardita Reçi, e cila ka shpalosur kumtesën e saj në të njëjtin sesion, është edhe anëtare e Bordit që drejton TVSh-në, ka thënë se ka shikuar disa prej orëve mësimore dhe është pajtuar se ka shumë gjëra që nuk ecin. Sipas saj, gjetjet e Halilajt janë të qëndrueshme dhe ka rekomanduar që Ministria e Arsimit të ketë kujdes në direktivat që lëshon.

Vetë ka folur mbi temën “Sfidat e shfaqjes së identitetit arbëresh në kohën e info(pan)demisë”. Sipas saj, në kohën kur udhëtimet janë zbehur arbëreshët nuk e kanë të njëjtë komunikimin me shtetet shqiptare. Ka thënë se edhe mediat shqiptare e kanë zbehur raportimin për arbëreshët. Reçi është pjesë e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët në Tiranë.

“Ne kemi edhe barrën e promovimit të kulturës arbëreshe, por nuk kemi kapacitet që të ndikojmë në informatat që jepen për ata”, ka thënë ajo. Qendra ka funksionuar në kuadër të Ministrisë së Diasporës. Por të enjten, kur kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur emrat e kabinetit të ri qeveritar është marrë vesh se kjo ministri nuk do të jetë më dikaster qeveritar në vete.

“Tash jemi në pritje të një vendimi të Këshillit të Ministrave se në kuadër të kujt do të funksionojmë, pasi shteti duhet të ketë vazhdimësi”, ka thënë ajo.

Në sesionet e gjuhësisë, të enjten studiuesit kanë hedhur pikëpamje e kanë nxjerrë rezultate në tema të ndryshme.

Studiuesja Anila Omari ka kumtuar hulumtimin e saj me titull “Disa tipare të shqipes së vjetër (shek. XVI-XVII) dhe gjurmët e tyre në shqipen e sotme”. Ka thënë se tekstet e vjetra shqipe janë një burim i paçmuar për dokumentimin e gjuhës shqipe në një fazë më të vjetër të saj, në atë të shekujve XVI-XVII.

“Vërtet kjo periudhë nuk është shumë e hershme në raport me shqipen e sotme, por ajo ruan tipare të fazave më të vjetra, parashkrimore e parahistorike të shqipes”, ka thënë ajo. Ka shtuar se nga ana tjetër, edhe në këta 4-5 shekuj që kanë kaluar që nga periudha e teksteve më të vjetra shqipe, gjuha ka pësuar ndryshime, nganjëherë largvajtëse, aq sa të ketë vështirësi në të kuptuarit e këtyre teksteve nga përdoruesit e sotëm.

“Prandaj hulumtimi i gjuhës së teksteve të vjetra si përfaqësuese të një faze më të vjetër të shqipes të fiksuar në shkrim është një pikënisje e domosdoshme qoftë për të rindërtuar fazat më të hershme, të padokumentuara të shqipes, qoftë për të kuptuar dukuri e tipare në dukje ‘të çuditshme’ apo anomalike të gjendjes së sotme”, ka thënë ajo.

E studiuesi Shemsi Haziri është ndalur te Kanuni i Lekë Dukagjinit. Me temën “Ruajtja e disa tipareve të shqipes së vjetër në Kanunin e Lekë Dukagjinit” ka shpalosur hulumtimin që ka për qëllim të vërë në pah disa tipare të ruajtjes së shqipes së vjetër në Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke i veçuar disa gjetje.

“Përdorimin e fjalëve të vjetra për njësi monetare si ‘grosh’ dhe njësi matëse si ‘okë’, tani mund t’i gjejmë vetëm në tregimet e vjetra shqiptare, në anekdota”, ka thënë ai. Nëpërmjet hulumtimit ai realizon shtjellimet e nevojshme gjuhësore në rrafshin e shqipes aktuale, për të nxjerrë më pas disa përfundime të rëndësishme jo vetëm në aspektin linguistik, por edhe ndihmesa në aspektin juridik e në fushën e të drejtës historike në gjuhën shqipe.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të vazhdojë edhe sot (e premte)- kur edhe do të mbyllen punimet e edicionit të 39-të. Shkaku i pandemisë dhe mundësisë së vogël për të bërë udhëtime, sivjet disa ngjarje janë mbajtur edhe nëpërmjet platformës “Zoom”.