“Anibari” ka filluar që t’i japë shenjat e edicionit të sivjetmë. Po e nxjerr në pah temën – “Njerëzit!?” – fillimisht nëpërmjet programit “Anibar On Tour Talks”, me të cilin ekipi i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar po synon që të nxisë diskutime mbi disa tema që ata i konsiderojnë të rëndësishme. Të hënën, në kuadër të këtij programi, që është duke u mbajtur online dhe transmetohet në faqen e festivalit në “Facebook”, u diskutua mbi temën “Përgjegjësitë e artistëve ndaj shoqërisë”.
Regjisorja dhe artistja Hana Qena së bashku me gazetarin dhe poetin Arbër Selmani kanë biseduar për rolin dhe përgjegjësitë e artistit në shoqëri, për fuqinë e tij, dhe për atë se sa mund të ketë ndikim dhe në çfarë niveli arti mund ta dokumentojë historinë.
Hana Qena, regjisore e teatrit dhe bashkëthemeluese e kolektivit artistik “Haveit”, ka thënë se me ardhjen e pandemisë në një mënyrë është vulosur fati i artistëve në Kosovë, “që ata kanë shumë pak vlerë”.
“Problemi është që njerëzit nuk e shohin si nevojë urgjente për t’i ndihmuar artistët, pasi që ata i shohin si diçka që është aty për t’i argëtuar. Për momentin kanë nevoja më themelore dhe pjesa e artit është në fund të listës së njerëzve. Kjo është diçka shumë e keqe, pasi që arti përveç si formë argëtimi, është edhe formë edukimi. Për shembull, askush nuk e kalon ditën pa dëgjuar së paku një orë muzikë, pra nuk mund t’i anashkalosh e t’i harrosh ata njerëz të cilët me këtë e fitojnë bukën e gojës”, ka thënë ajo. Sipas saj, artistët kanë ndikim në edukimin e njerëzve.
“Me përzgjedhjen e temave dhe teksteve që kam bërë e kam pasur në mendje të them diçka më shumë sesa ajo që guxoj ta them personalisht në tavolina, në kafe. Përmes artit e kam gjetur një hapësirë ku kam mundur të flas lirshëm për një problem, për të cilin vetë si individ nuk kam mundur ta flas”, ka thënë ajo. Sipas saj, “fajtor” për degradimin e skenës artistike nuk është vetëm audienca, por edhe artistët.