Kulturë

Panairi i Librit gati për rikthimin e madh

Janë një numër i madh i tendave që janë vendosur në të dyja anët duke e shndërruar një pjesë të hapësirës së platesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit në zonë të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë. Entuziazmi të hënën pasdite dukej goxha i lartë. Pritjet, sipas organizatorëve, janë që mbi 40 mijë veta ta vizitojnë ngjarjen më të madhe të librit. Sivjet tituj të rinj do të jenë të shumtë sikurse në asnjë edicion tjetër për shkak të mosmbajtjes së ekspozitës së librit në dy vjetët e kaluar. Me mbi 2.000 tituj të rinj dhe bazuar në kërkesat e lexuesve, Shoqata e Botuesve të Kosovës ka pritje të mëdha

Disa prej shtëpive botuese gjatë pasdites së të hënës kanë detajuar shtandet e tyre. U janë rikthyer ambienteve të Pallatit të Rinisë dhe Sportit pas tre vjetësh. Shkaku i pandemisë prej qershorit të vitit 2019 në Prishtinë nuk është organizuar Panairi Ndërkombëtar i Librit.

Prej mesditës së sotme (e martë) lexuesit do të përballen me atmosferën e Panairit sapo të hipin në platenë e një prej ndërtesave ikonike të kryeqytetit. Sivjet shtandet kanë marrë formë edhe mbi plate. Janë një numër i madh i tendave që janë vendosur në të dyja anët duke e shndërruar hapësirën në mes si një korridor në qiell të hapur. Entuziazmi të hënën pasdite dukej goxha i lartë. Pritjet, sipas organizatorëve, janë që mbi 40 mijë veta ta vizitojnë ngjarjen më të madhe të librit. Sivjet titujt e rinj do të jenë të shumtë sikurse në asnjë edicion tjetër, për shkak të mosmbajtjes së ekspozitës së librit në dy vjetët e kaluar.

Me mbi 2000 tituj të rinj dhe bazuar në kërkesat e lexuesve, Shoqata e Botuesve të Kosovës ka pritje të mëdha.

“Bazuar në kërkesat e lexuesve shpresojmë të jetë një rikthim i madh”, ka thënë Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës. Sipas tij, interesimi për pjesëmarrje është i madh dhe numri i shtëpive botuese që do të jenë të pranishme është mbi 100, duke përfshirë ato nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Ai ka treguar se sivjet pritet të jenë rreth 40 promovime veprash, shumë autorë do të jenë të pranishëm te shtandet ku shiten veprat e tyre dhe takimet me lexues do të jenë të përditshme.

Image
Prej mesditës së sotme (e martë) lexuesit do të përballen me atmosferën e Panairit sapo të hipin në platenë e një prej ndërtesave ikonike të kryeqytetit. Sivjet shtandet kanë marrë formën edhe mbi plate

Sipas Zenelit, krahas Panairit të Librit në Tiranë, ai i Prishtinë është më i madhi në trojet shqiptare. Si zakonisht, është ankuar për shkak të hapësirës. Sipas tij, hapësira që ofron shteti nuk i plotëson kushtet dhe një sallë panairesh do të ishte zgjidhje ideale.

Organizatorët ia kanë pak frikën jostabilitetit financiar të shkaktuar nga pandemia. Por Zeneli ka thënë se Panairi mbetet një mundësi e madhe për t’i prezantuar botimet.

Ndarja e hapësirave është pothuajse e përhershmja. Pas hyrjes në Pallat, në të majtë ndodhen “Buzuku” dhe “Pema” e ngjitur me hyrjen e Sallës së Kuqe janë Botimet KOHA. Ofron 32 tituj të rinj nga gjithsej 140 vepra të shkruar nga 10 autorë.

Fidan Imeri, menaxher i shitjes në këtë shtëpi botuese, ka treguar se Botimet KOHA gjatë gjithë periudhës së rëndë pandemike ka vazhduar me botime e po ashtu ka pasur oferta të shumta për lexuesit.

“Ne kemi qenë shumë aktivë me ofertat tona e po ashtu edhe me botime. Jemi munduar që gjatë pandemisë të jemi sa më afër lexuesve në forma të ndryshme dhe ia kemi arritur”, ka thënë ai. Sipas Ymerit, KOHA vazhdimisht mendon për Panairin e Librit, pasi ndër vite ngelet shtandi më i vizituar e për disa vjet veprat e shkrimtarit Veton Surroi kanë qenë më të shiturat në Panair. Në këtë edicion vepra e re e Surroit mban titullin “Ditari i murtajës me kurorë”, vepër e botuar pikërisht gjatë pandemisë.

“Në edicionet e tjera të Panairit ne kemi qenë të pranishëm me zbritje deri në 70 për qind, kurse sivjet kemi vendosur që zbritja të shkojë deri në 80 për qind. Ndërsa oferta me tituj është shumë e gjerë. Sikurse çdo vit, vijmë me vepra të zhanreve të ndryshme që gjithmonë zgjojnë interes te lexuesit”, ka thënë Ymeri.

Panairi Ndërkombëtar i Librit në Prishtinë zakonisht grumbullon 100 deri në 120 shtëpi botuese dhe kështu pritet të jetë edhe sivjet.

E Panairi është pritur me goxha shpresë edhe nga botues të tjerë. Kufizimet e shumta si pasojë e pandemisë, si dhe mosorganizimi i Panairit të Librit i ka dëmtuar ekonomikisht shumë shtëpitë botuese. Këtë disa herë radhazi e kanë konfirmuar edhe shtëpitë botuese.

“Mungesa e Panairit të Librit normalisht na ka dëmtuar shumë si në aspekt të shitjes po ashtu edhe të promovimit të titujve të rinj, sepse panairi e krijon një lloj shitjeje afatgjate e cila zgjat gjatë tërë vitit. Një titull i ri që paraqitet në Panair fillon të përflitet e pastaj edhe të shkruhet për të dhe si rezultat i kësaj ai libër vazhdon të shitet gjatë tërë vitit”, kishte thënë muajin e kaluar Artin Ahmeti nga shtëpia botuese “Artini”.

Panairi i Librit, si ngjarja më e madhe e librit në Kosovë, për herë të parë u mbajt në nëntor të vitit 1999, ndërsa që nga atëherë ai mbahet në muajt maj ose qershor. Në gati një javë, sa zgjat Panairi, mbledh rreth vetes shkrimtarë, studiues, kritikë, studentë e njerëz, të cilët leximin e kanë gjë të preferuar. Ajo që e bën në përgjithësi të veçantë këtë ngjarje, përveç çmimeve më të volitshme, është edhe prania e shkrimtarëve nga të gjitha trevat shqiptare e më tej, si dhe organizimi i ngjarjeve të ndryshme kulturore.

Për herë të fundit takimi më i madh midis botuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve u bë në qershorin e vitit 2019, kur u mbajt edicioni i 21-të i Panairit të Librit në Prishtinë. Ngjarja ishte hapur me thirrjen që shteti të ketë më shumë vëmendje për bibliotekat publike pasi, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 kishte 120 mijë lexues më pak të regjistruar në biblioteka sesa më 2017. Viteve të fundit Panairi kishte rreth 40 mijë vizitorë për çdo edicion.