Kulturë

Panairi i Frankfurtit për rilidhje me librin, Kosova e Shqipëria bashkë

Pas edicionit online të vitit të kaluar, Panairi i Librit në Frankfurt ka hapur edicionin e 73-të duke tentuar ta kthejë magjinë e formatit larg pandemisë, por me masa kufizuese. E pikërisht mundësinë e normalizimit po e kërkojnë edhe drejtuesit e Panairit. Tema e sivjetme është “Re:connect” (Rilidhja). E lidhjen me këtë alamet ngjarje të librit e ka ruajtur edhe Kosova, e cila i është rikthyer prezantimit të përbashkët me Shqipërinë

Goxha larg nga tradita sa u përket përmasave të ngjarjes më të madhe të librit në botë, por entuziastë për rikthimin me kushte në hapësirat ekspozuese janë organizatorët e Panairit të Librit në Frankfurt të Gjermanisë. Edicioni i 73-të i ngjarjes që pritet çdo vit nga librarët e përtej, ka hapur dyert zyrtarisht të mërkurën në qytetin e Gjermanisë Qendrore. Me Kanadanë si mysafir nderi, Panairi – pasi vitin e kaluar u mbajt vetëm online – sivjet ka mbledhur botues, shkrimtarë, kritikë e përkthyes. Midis të tjerash do të shikojë edhe mundësinë e një rilidhjeje me botën e librit. E lidhjen me këtë alamet ngjarje të librit e ka ruajtur edhe Kosova. Shoqata e Botuesve të Kosovës sivjet atje prezantohet për të 21-tën herë. Botimet fundit të shtetit më të ri të Evropës do t’i prezantohen botës së librit.

Image
Pos prezantimeve të shumta e paneleve, Panairi i Librit në Frankfurt, sjell edhe instalacionin futuristik të Gonzalo Soldit. Teknologjia ka mundësuar që në një sallë të duket sikur letra po ecën në makinën e shtypit. Asocion është me “shfletimin” online që sot u bëhet librave

“Rilidhja” për kthim në normalitet

Prej së mërkurës deri të dielën mbrëma Panairi do të jetë i hapur vetëm për ata që me librin kanë lidhje profesionale. E më pas ngjarja do të hapë dyert edhe për publikun. Por ekspozita e librit nuk e ka të lehtë ta marrë veten pas goditjes që ka marrë nga pandemia. Organizimi i sivjetshëm – pas një “pushimi virtual” në tetorin e kaluar – nuk ka qenë aspak i lehtë. Me 2000 botues nga 80 vende të botës, Panairi pret që tregu të ringjallet. Të drejtë hyrjeje kanë vetëm ata që janë të vaksinuar dhe jo më shumë se 25 mijë veta në ditë. Gjatë katër ditëve të para janë planifikuar 1400 ngjarje dhe më shumë se 300 autorë do të jenë të pranishëm në prezantime dhe panele. Megjithëse shifrat mund të duken goxha të larta, janë larg asaj që ishte kjo ngjarje libri para pandemisë.

Më 2019 ekspozita e librit prezantonte 7 mijë e 450 botues nga 104 vende të botës. Për këtë arsye llogaritet të jetë goxha vështirë që Panairi i Frankfurtit t’i kthehet “biznesit”.

“Kriza ka treguar se sa shumë është i ankoruar libri në shoqëri”, ka thënë Karin Schmidt-Friderichs, presidente e Shoqatës Gjermane të Botuesve dhe Librashitësve, raportojnë mediat ndërkombëtare. “Me një angazhim dhe një kreativitet të madh, por mbi të gjitha një sukses të madh, libraritë kanë vazhduar të shesin libra pavarësisht dyerve të mbyllura”, citohet të ketë thënë ajo në hapje të Panairit, duke u munduar të inkurajojë botuesit se gjendja po normalizohet.

E pikërisht mundësinë e normalizimit po e kërkojnë edhe drejtuesit e Panairit. Tema e sivjetme është “Re:connect” (Rilidhja).

Drejtori i Panairit, Jurgen Boos, ka thënë se shumë nga materialet që mund të gjenden në një librari normale hasen edhe në ngjarjen që po ecën në dekadën e shtatë.

“Mund t’i takoni autorët. Do të ketë shumë ngjarje dhe panele. Bota e librit po e çon më të mirën e vet përpara”, ka thënë ai.

Kanadaja si mysafire nderi po mundohet që të çojë përpara edhe më letërsinë që bëjnë shkrimtarët që i takojnë këtij shteti. “Pluraliteti i njëjësit” është tema e zgjedhur nga ky vend për të pasqyruar letërsinë e vet “eklektike dhe multikulturore”. Pos prezantimeve të shumta e paneleve, për vizitorët është përgatitur edhe një instalacion shumë futuristik. Teknologjia ka mundësuar që në një sallë të duket sikur letra po ecën në makinën e shtypit. Asocion është me “shfletimin” online që sot u bëhet librave.

“Koncepti bazik është letra që ecën me makinë shtypi e punuar në nivele të larta të teknologjisë. Jemi në kohën kur teknologjia po zë vendin e librit dhe vizioni ynë është që këto të dyja duhet të ecin përpara bashkërisht”, ka thënë për “Deutsche Welle”, Gonzalo Soldi që ka dizajnuar instilacionin.

Botimet në shqip dhe tradita që nuk ndalet

Kosova ka vazhduar traditën e prezantimit të shtëpive botuese dhe të autorëve në këtë ngjarje të librit. Shoqata e Botuesve të Kosovës kësaj radhe është në sallën numër 4 në një hapësirë të përbashkët me Shqipërinë. Bashkëpunimi i SHBK-së dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit ka bërë të mundshëm shpërfaqjen e përbashkët të traditës letrare shqiptare.

“Gjatë ditëve të Panairit prezantohen botimet e dhjetëra botuesve e qindra autorëve, me praninë fizike të autorëve nga Kosova e nga Shqipëria”, shkruhet në komunikatën e Shoqatës së Botuesve të Kosovës. Në sallën ku janë të përfaqësuara shtëpitë botuese nga Kosova dhe Shqipëria zënë vend edhe shtandet e shteteve si Belgjika, Italia, Turqia, Holanda, Irani e shumë vende të tjera. Sipas Shoqatës së Botuesve të Kosovës të pranishme janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës si: “Buzuku”, “KOHA”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Albas”, “Dija”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjera. Aty gjenden edhe botimet e institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, instituti i historisë “Ali Hadri” dhe universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Në fundjavë Panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët e thjeshtë, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani”, shkruhet në komunikatën e SHBK-së. Sipas Shoqatës, Panairi është një rast i jashtëzakonshëm për të gjithë diasporën shqiptare që jeton në Gjermani, që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen me vendin e tyre e trashëgiminë kulturore.