Kulturë

“Palma e Artë” për “Anatomy of a Fall” – protestë barazie

Filmi që mëton ta shpërfaqë pafajësinë e personazhit kryesor, “Anatomy of a Fall” i regjisores franceze Justine Triet të shtunën mbrëma ka marrë “Palmën e Artë” të edicionit të sivjetmë të Festivalit të Cannes. Për regjisoren, çmimi është një lloj proteste për t’i luftuar dallimet në kinematografi

Ai që njihet si “Festivali i festivaleve” ka qenë plot glamur përgjatë 12 ditëve. Ka kulmuar me ndarjen e çmimeve dhe këtë vit është shënuar tjetër histori – ka triumfuar për herë të tretë një regjisore në krejt historinë e 76 edicioneve të Festivalit. Filmi që mëton ta shpërfaqë pafajësinë e personazhit kryesor, “Anatomy of a Fall” i regjisores franceze Justine Triet të shtunën mbrëma ka marrë “Palmën e Artë” të edicionit të sivjetmë të Festivalit të Cannes. Për regjisoren, çmimi është një lloj proteste për t’i luftuar dallimet në kinematografi. Ceremonia e ndarjes së çmimeve është transmetuar direkt edhe në rrjete sociale.

Në dy orë e gjysmë, sipas sinopsisit, filmi përcjell Sandrën, një shkrimtare gjermane që jeton me bashkëshortin dhe djalin e saj. Kur i vdes bashkëshorti në rrethana misterioze, hetimi nuk mund ta përcaktojë nëse është vetëvrasje. Sandra arrestohet për vrasjen kur gjyqi vë në pah marrëdhënien e trazuar të tyre dhe personalitetin e saj të ftoftë.

Kjo është “Palma e Artë” e dhjetë për një film francez dhe Justine Triet bëhet regjisorja e tretë e kurorëzuar në krejt historinë e Festivalit. Më parë e kishin fituar Jane Campion nga Zelanda e Re për filmin "The piano leon" në vitin 1993 dhe francezja Julia Ducournau me filmin “Titane” në vitin 2021. Kritikët kanë vlerësuar se çmimi vjen si konfirmim i lëvizjes drejt barazisë në industrinë kinematografike të dominuar historikisht nga burrat.

“Dua ta falënderoj skenaristin të cilin e kam kidnapuar dhe e kemi shkruar filmin së bashku. Faleminderit që më keni lënë të përdor mendjen dhe trupin tuaj për këtë sfidë. Faleminderit producentëve dhe anëtarëve të tjerë për këtë dhuratë. Ky film është më intim dhe më i afërt për mua. Nuk më besohet se e kam pranuar dhe thjesht nuk mund ta shpreh sa e lumtur jam. Këtë vit vendi është përballur me protesta të dhunshme. Këtë protestë po e shohim tani edhe në botën kinematografike”, është shprehur regjisorja Triet. “Ky film u dedikohet krejt grave të reja regjisore dhe regjisorëve të rinj”.

Për “Palmën e Artë” këtë vit ishin në garë edhe “Firebrand” i Karim Ainouz, “Asteroid City” i Wes Anderson, “Rapito” i Marco Bellocchio, “Les Filles d’Olfa” nga Kaouther Ben Hania, “L’Été dernier” nga Catherine Breillat, “Kuru Otlar Ustune” nga Nuri Bilge Ceylan e “Le Retour” nga Catherine Corsini,

Gjithashtu kanë qenë edhe filmat: “The Zone of Interest” nga Jonathan Glazer, “Club Zero” nga Jessica Hausner, “May December” nga Todd Haynes, “Monster” nga Kore-Eda Hirokazu, “Kuolleet Lehdet” nga Aki Kaurismäki, “The Old Oak” nga Ken Loach, “Il Sol dell’ avvenire" nga Nanni Moretti, “La Chimera” nga Alice Rohrëacher, “Black Flies” nga Jean-Stéphane Sauvaire, “Banel e Adama” by Ramata-Toulaye Sy, “La Passion de Dodin Bouffant” nga Tran Anh Hùng, “Jeunesse” nga Ëang Bing dhe “Perfect Days” nga Wim Wenders.

“Grand Prix” i është ndarë filmit “The Zone of Interest” të regjisorit anglez Jonathan Glazer . “Faleminderit ekipit dhe Cannes për ftesën. Është nder të jemi këtu”, ka thënë ai më tej, derisa ka falënderuar familjen e tij e ekipin realizues të filmit.

Regjisorja marokene Maryam Touzani, aktori francez Denis Ménochet, skenaristi dhe regjisori britaniko-zambian Rungano Nyoni, aktorja dhe regjisorja amerikane Brie Larson, aktori amerikan Paul Dano, shkrimtari afgan Atiq Rahimi, regjisori argjentinas Damián Szifron dhe regjisorja franceze Julia Ducournau kanë përbërë jurinë e kryesuar nga suedezi Ruben Östlund, filmi i të cilit triumfoi në edicionin e kaluar.

Çmimin për aktorin më të mirë e ka marrë japonezi Koji Yakusho për rolin në filmin “Perfect Days”.

“Nuk më pëlqen të bëj fjalime në këto organizime si ky festival prestigjioz. Dua të falënderoj nga zemra jurinë e festivalit dhe të gjithë njerëzit që më kanë ndihmuar me filmin”, ka thënë aktori Yakusho.

Ndërsa Çmimin për aktoren më të mirë e ka marrë turkja Merve Dizdar për rolin e saj në filmin “About Dry Grasses.

“Personazhi që unë portretizoj në film është dikush që po lufton për jetën e saj dhe ka kapërcyer shumë vështirësi. Në kushte normale do të më duhej të punoja shumë për këtë personazh” , ka thënë ajo në skenë, derisa është shprehur se Çmimin ua ka dedikon grave në Turqi që “po luftojnë për të ekzistuar”.

Çmimin për regjisorin më të mirë e ka marrë aktori vietnamez Tran Anh Hung për filmin “The Pot au Feu”.

“Do të doja të falënderoja producentin e filmit për dashurinë e tij ndaj kinemasë që na ka dhënë kurajën në këtë rrugë të vështirë për ta bërë këtë film”, është shprehur ai pasi ka pranuar Çmimin.

Çmimi më filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër i është ndarë regjisores hungareze Flora Anna Buda për filmin “27”, ndërsa me “Special Mention” juria ka nderuar filmin “Far” të Gunnur Martinsdottir Schluter nga Islanda. Çmimin “Camera d’Or” e ka marrë vietnamezi Thien an Pham për filmin “Inside the Yellow Cocoon Shell”.

Çmimi i Jurisë i ka takuar filmit “Fallen Leaves” të finlandezit Aki Kaurismaki, ndërsa ai për Skenarin më të mirë për filmin “Monster” të japonezes Sakamoto Yuri. “Jam shumë e nderuar të marr pjesë në këtë festival që vazhdon t’i japë jetë kinematografisë”, ka thënë ajo.

Festivali i Cannes u nderua këtë vit me praninë e regjisorit legjendar, amerikanit Roger Corman, i cili ka ndarë “Grand Prix” së bashku me virtuozin Quentin Tarantino. Me shumë duartrokitje është pritur nga filmbërësit e katër anëve të botës.

“Ky është festivali më interesant në botë dhe ju të gjithë jeni shumë me fat të jeni pjesë e tij”, ka thënë ai, derisa i është drejtuar publikut.

Ceremonia përmbyllëse e edicionit të 76-të ka shënuar fundin me shfaqjen e filmit “Elementary” të amerikanit Peter Sohn. Festivali sivjet u hap me dramën “Jeanne du Barry” të Johnny Deep, që po atë ditë kishte debutuar në kinematë franceze. Festivali u mbajt prej 16 deri më 27 maj.

Vitin e kaluar, “Palmën e Artë” e mori regjisori suedez Robert Ostlund me filmin “Triangle of Sadness”, një satirë e gjerë dhe e zhurmshme mbi kapitalizmin modern. Ky kishte qenë çmimi i dytë që kishte marrë në festivalin prestigjioz, pas atij me filmin “The Square” në vitin 2017. Në mesin e filmave për garën e Çmimit kryesor kishte qenë edhe filmi “Tori and Lokita” i Jean-Pierre e Luc Dardenne, në të cilin ka luajtur edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj. Por drama për emigrantët nuk mbeti pa trofe pasi e kishte marrë Çmimin Special të 75-vjetorit të Festivalit të Filmit në Cannes.

“Grand Prix” ishte ndarë mes francezes Claire Denis për “Stars at noon” dhe “Close” nga regjisori belg Lukas Dhont. Park Chan-wook kishte fituar Çmimin për regjisorin më të mirë për trilerin mister romantik “Decision to Leave”. Çmimi i jurisë në Cannes iu nda filmit “EO” të polakut Jerzy Skolimowski. Aktorja iraniane Zar Amir-Ebrahimi kishte marrë Çmimin për aktoren më të mirë për interpretimin e saj në “Holy spider” të regjisorit po ashtu nga Irani, Ali Abbasi. Tarik Saleh kishte marrë Çmimin për skenarin më të mirë për “Boy from Heaven”, ndërsa si Filmi më i mirë i shkurtër ishte vlerësuar “The Murmurs Water” i regjisorit kinez Chen Jianying.

Image
Fituesit e edicionit të 76-të të Festivalit të Filmit në Cannes (Foto: AP)

Vitin e kaluar ceremonia hapëse kishte nisur me thirrje kundër luftërave e me mesazhe të drejtpërdrejta për ndaljen e pushtimit rus në Ukrainë. Bile, para se të ndizej projektori për filmin që kishte hapur edicionin e 75-të të Festivalit të Cannes, ishte ndezur për të dëgjuar fjalimin e udhëheqësit të popullit ukrainas, presidentit Volodymyr Zelenskyy. Ishte paraqitur nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë para se të niste shfaqja e filmit “Final cut” të francezit Michel Hazanavicius, projekt ky me të cilin ishte hapur edicioni i kaluar.

“Është e domosdoshme që kinemaja të mos qëndrojë e qetë”, kishte thënë Zelenksyy, derisa kishte folur për botën e filmit teksa kishte marrë disa shembuj. Midis tyre, filmin e Charlie Chaplin “The great Dictator”, që ishte një satirë kundër diktatorit gjerman, Adolf Hitler, më 1940. “Diktatorët më brutalë të shekullit XX e kanë dashur kinemanë”, do të thoshte Zelenskyy.

Në atë që njihet si “Festivali i festivaleve” edhe sivjet Kosova nëpërmjet shtandit të përbashkët midis Qendrës Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë, Qendra Kinematografike e Kosovës ka prezantuar filmat vendorë dhe projektet që janë në realizim e sipër.

Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, e cila e ka marrë këtë pozitë muajin e kaluar, kishte thënë për KOHËN se bëhej fjalë për një prezantim e përfaqësim të jashtëzakonshëm. “Ka shumë interesim për shtandin tonë nga njerëzit e industrisë së filmit nga e gjithë bota e nga festivalet e ndryshme. Po i promovojmë filmat tanë që i kemi tash dhe ata që i kemi pasur më herët. Po tregojmë që këto projekte do të konkurrojnë në vitet e ardhshme nëpër festivale”, kishte thënë ajo.

Për të dytën herë, këtë edicion festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” i është bërë partner një prej festivaleve më prestigjioze dhe me traditë në botë. Si pjesë e “Cannes Docs”, “DokuFest” u bë pjesë e “Marche du Film” (Tregut të Filmit), që është edhe tregu më i madh në botë i fushës së kinematografisë. Cannes e kishte ftuar festivalin kosovar gjithashtu edhe në forumin “Rendez-vous Industry”, dedikuar takimeve me profesionistë të filmave të shkurtër ku atje ka qenë regjisori Samir Karahoda.

Kinematografia kosovare në Cannes kishte nisur historinë pikërisht me festivalin ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest”. Në qershor të vitit 2021 për herë të parë një film vendor ishte futur në garë për “Palmën e Artë”. Filmi i shkurtër i Samir Karahodës, “Pa Vend”, ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër. Atë vit gjithashtu ishte dhënë premiera botërore e filmit “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit në kuadër të “Director's Fortnight” të Festivalit të Cannes.

Në anën tjetër, edhe një aktor nga Kosova vjet ishte rikthyer në edicionin e 75-të të Festivalit të Cannes. Alban Ukaj kishte qenë në Festival si rrjedhojë e rolit të tij në filmin “Tori and Lokita” të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne. Ukaj ishte në Cannes po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne më 2008, kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës” që kishte marrë Çmimin për skenarin më të mirë. Në edicionin e kaluar, Ministria e Kulturës kishte nënshkruar marrëveshje për bashkëprodhim kinematografik mes Kosovës dhe Francës.

Më 20 mars 2020, organizatorët njoftuan shtyrjen e Festivalit të Filmit për shkak të pandemisë e më vonë u anulua plotësisht. Vitin e kaluar, Festivali refuzoi akreditimin për gazetarët rusë të lidhur me media që nuk janë kundër luftës ruso-ukrainase.

Festivali francez është një prej tri festivaleve më të mëdha evropiane të filmit, bashkë me Festivalin e Filmit në Venecie në Itali dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. Në nivel botëror është në top-pesëshen e festivaleve, ku bëjnë pjesë edhe Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Toronto dhe “Sundance” në Shtetet e Bashkuara.

Festivali i Filmit në Cannes e ka zanafillën në vitin 1938, derisa themelimi mund t’i atribuohet dëshirës franceze për të konkurruar me Festivalin e Filmit në Venecia, që atë kohë ishte i vetmi festival ndërkombëtar i filmit dhe kishte treguar mungesë të njëanshmërisë. Më 1939 qyteti i Cannes u zgjodh përfundimisht si vendndodhja për festivalin që zyrtarisht atë kohë u quajt “Le Festival International du Film”. Festivali u vendos në qytetin e Cannes për shkak të tërheqjes së saj turistike si qytet turistik i Rivierës Franceze. Çështjet politike gjatë Luftës së Dytë Botërore ka bërë që festivali të shtyhej e të mos mbahej. Për shkak të polemikave rreth përzgjedhjes së filmave, Çmimi i Kritikës u krijua për njohjen e filmave origjinalë dhe kineastëve të guximshëm në vitin 1950. Pas katër vjetësh u dha për herë të parë Çmimi Special i Jurisë. “Palma e Artë” u krijua në vitin 1955 duke zëvendësuar “Grand Prix du Festival” që ishte dhënë deri atë vit. Tek në vitin 1957, nuk pati anëtare grua në jurinë për përzgjedhjen zyrtare. Aktorja meksikane Dolores del Rio qe e para. Më tej u themelua edhe “Marché du Film” (Tregu i Filmit) në vitin 1959, duke i dhënë festivalit karakter komercial dhe duke lehtësuar shkëmbimet në industrinë e filmit. Sot ajo është platforma e parë ndërkombëtare për tregtinë e filmit.