Janë kohë e stile të ndryshme që ngjyrosin veprat e repertorit, por formula e kapërcimit e lidhjes së tyre, gjen harmoninë si rezultat. Masat për parandalimin e pandemisë si kontrapunkt kanë frymën intime të koncertit, e i tillë ka qenë edhe ai i së premtes mbrëma, nën dirigjimin e Agona Çupit
Atelieja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë ka qenë sërish nikoqire e Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës. Nën rregullat në kuadër të përballjes me pandeminë, publiku me numër të kufizuar, të premten mbrëma është mbledhur përballë harkorëve.
Nën dirigjimin e Agona Çupit, mbrëmja është hapur me “Simfoninë e thjeshtë, Op.4” të kompozitorit britanik, Benjamin Britten. I njohur si artist modern për kohën kur jetoi, në shekullin e kaluar, Britten është një prej figurave qendrore të kompozitorëve të shekullit XX në Britaninë e Madhe. Si kompozitor me krijimtari prej operave, veprave orkestrale, e atyre të dhomës, në moshë të re kishte shkruar një vepër për piano. Bëhet fjalë për vitet 1923 deri më 1926. Por një dekade nga përpunimi i saj do të nxirrte simfoninë për harkorë që është luajtur nga Orkestra Harkore e Filarmonisë së Kosovës.
Pas kësaj, ka qenë radha e “Romancës në C – dur.” e kompozitorit finlandez, Jean Sibelius. Vepra e kompozitorit të romantizmit të vonë që ishte edhe violinist, ka çuar publikun në një tjetër periudhë të muzikës klasike. Mbrëmja është ngjyrosur me romantizëm, për t’i hapur rrugë veprës së Karl Jenkins, “Palladio” që është pjesë e albumit muzikor “Diamond Music” të kompozitorit uellsian. Jenkins është po ashtu autor i veprës “Njeriu me armë” me nëntitull “Meshë për paqe” që është shkruar duke pasur parasysh edhe luftën e fundit në Kosovë. Pikërisht me këtë vepër, Filharmonia e Kosovës qe prezantuar edhe në Paris në vitin 2019, në 20-vjetorin e çlirimit të vendit.
Por të premten mbrëma, Orkestra publikut i ka sjellë një vepër të Jenkinsit për të cilën ai ishte frymëzuar nga arkitekti Andrea Palladio i cili kishte jetuar në shekullin XVI.
Distanca është ajo që tashmë është shndërruar në kusht për ngjarje të tilla, por ajo sikur e humb kuptimin në raport me publikun kur ka muzikën në mes. Atelieja e Pallatit të Rinisë, “ngjyrosur“ lehtë me drita të kuqe, ka qenë nikoqire e koncertit të Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës (Foto: Arben Llapashtica)
Të pranishmit në koncert, në fund kanë dëgjuar një vepër premierë. Me melodi që shëtisin midis tradicionales dhe modernes. Tradicionalja prek melosin shqiptar.
“Folk suite” e Drinor Zymberit i ka dhënë tjetër ritëm koncertit. Orkestra në këtë rast ka shëtitur nëpër kohë të ndryshme sa i përket historisë muzikore të këtyre anëve.
Vetë kompozitori ka thënë se vepra është një kompozicion që qysh në titullin “Folk suite” tregon se çfarë ka në përmbajtje.
“Është një kombinacion i disa temave popullore të realizuara në një formë pakëz më ndryshe me Orkestrën”, ka thënë ai. Zymberi ka treguar se është i kënaqur me premierën dhe interpretimin.
“Mendoj që interpretimi ishte korrekt dhe i përgëzoj dirigjenten dhe instrumentistët. Janë motive shqiptare, kryesisht të Kosovës që janë modifikuar. Qëllimi ka qenë të gjej lidhjen midis tradicionales dhe modernes”, ka thënë ai.
Dirigjentja Agona Çupi ka thënë se performancat gjithmonë janë të bukura e sidomos pas një pauze të gjatë që ka pasur shkaku i pandemisë, në Maqedoninë të Veriut, prej nga vjen.
“Na ka munguar shumë të qenit me publikun dhe orkestrën. Si nga ajo që u prit nga publiku, por edhe nga puna ime me Orkestrën, jam shumë e kënaqur. Shpresoj të kenë këtë mendim edhe ata për mua, pasi kjo është e dyanshme dhe unë po jap vetëm anën time”, ka thënë ajo.
“Na ka munguar shumë të qenit me publikun dhe orkestrën. Si nga ajo që u prit nga publiku, por edhe nga puna ime me Orkestrën, jam shumë e kënaqur...” (Foto: Arben Llapashtica)
Por në koncert ka qenë e pranishme edhe një “palë e tretë”. Për nja 20 minuta cicërimat e zogjve që vinin prej çatisë janë dëgjuar po aq sa orkestra edhe nëse kanë qenë në lëvizje krejt harqet. Situata i ka vënë jo pak në tension drejtuesit e Filharmonisë së Kosovës. Por në anën tjetër, realiteti i hapësirave ku interpretohet ka dalë në pah edhe më.
Të pranishëm në koncert ishin edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Ministri i Kulturës ka thënë se ishte një mbrëmje fantastike, prej atyre që Filharmonia e Kosovës di t’i sjellë rregullisht. Ka përmendur faktin se vepra e fundit ishte e një kompozitori shqiptar dhe sipas tij, kjo ishte një krenari shtesë.
“Për rastësi ne sot kishim takim me Këshillin Drejtues të Filharmonisë, ku i diskutuam hapat e ardhshëm rreth dinamizmit të reformimit të Filarmonisë bashkë me institucionet tjera të artit dhe kulturës”, ka thënë Çeku. Sipas tij, me koncert është dëshmuar edhe njëherë që produkti i Filharmonisë është i prezantueshëm ndërkombëtarisht dhe e fton publikun që të jetë sa më shumë prezent në këto organizime.