Kulturë

Orkestra e Filharmonisë bashkon virtuozët në koncertin unik

Për Filharmoninë e Kosovës – duke lënë anash deri diku anën profesionale e duke marrë parasysh kushtet në të cilat punon – është ngjarje më vete nëse Rudin do të ishte veç një prej atyre që janë në publik. Në koncertin ku nëpërmjet veprave u bënë bashkë tre prej kompozitorëve më me nam në botë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës interpretoi edhe me dy yje të ditëve të sotme në muzikën klasike: Fedor Rudin si dirigjent dhe pianistin Boris Kusnezow

I ka rënë të jetë në sallat më prestigjioze të botës e të interpretojë me orkestra që renditen të parat në glob kur flitet për muzikë klasike. Fedor Rudin, që midis të tjerash ishte koncert-mjeshtër i Orkestrës Shtetërore të Operës dhe Filharmonisë së kryeqytetit austriak, të shtunën ka zbritur edhe nëpër tri shkallët drejt “skenës” së Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Për Filharmoninë e Kosovës – duke lënë anash deri diku anën profesionale e duke marrë parasysh kushtet në të cilat punon – është ngjarje më vete nëse Rudin do të ishte veç një prej atyre që janë në publik. Në koncertin ku nëpërmjet veprave u bënë bashkë tre prej kompozitorëve më me nam në botë, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës interpretoi edhe me dy yje të ditëve të sotme në muzikën klasike: Fedor Rudin si dirigjent dhe pianistin Boris Kusnezow.

Mbrëmja muzikore me mbi 200 veta në publik ka nisur me një prej veprave më të veçanta të kompozitorit austriak Wolfgang Amadeus Mozart.

“Simfonia Nr. 31 në D-dur”, ndryshe njihet edhe si Simfonia e Parisit. Kompozitori e kishte shkruar atë në moshën 22-vjeçare, derisa kompozitori po qëndronte në kryeqytetin francez si një punëkërkues që nuk arriti të ketë sukses.

Vepra që ndahet në tri kohë është e njohur për dinamizmin në fillim, më pas vijnë tinguj më të qetë për të vazhduar prapë me dinamizëm. Për kritikët e muzikës brenda Simfonisë së Parisit ekziston “Efekti i Mannheimit”, që njihet si teknikë e Orkestrës së qytetit gjerman e po ashtu edhe e kompozitorëve të shekullit të 18-të që u edukuan në Shkollën e Mannheimit.

Nën dirigjimin e Rudinit, anëtarët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës i kanë dhënë zë Simfonisë së zhurmshme të Mozartit, që nxjerr në pah kreativitetin dhe vrullin rinor të kompozitorit. Me melodi të fuqishme e nxitëse me një linjë të gjallë violine e me basë goxha aktiv, Orkestra bashkë me dirigjentin i kanë ofruar publikut një lojë që rrallë haset në këto anë.

Pas Mozartit, ishte koha që Rudin të vinte para publikut si violinist. Në skenë i është bashkuar edhe pianisti virtuoz Boris Kusnezov. Janë bërë gati që të luajnë një prej veprave të njohura të kompozitorit gjerman Felix Mendelssohn. Koncerti për piano dhe violinë në d-mol i ndarë në tri kohë është vepër të cilën Mendelssohn e ka shkruar në moshën 14-vjeçare. Ky fakt e bën koncertin edhe më atraktiv. Është kompozim i cili Mendelssohnit i kishte ardhur si prurje pas një “shëtitjeje” që kishte bërë nëpër botën muzikore të kohës si dëgjues veprash.

Virtuozët bashkë me Orkestrën i kanë sjellë publikut koncertin që nis me melodi, që për njohësit e muzikës klasike kujton Bachun dhe strukturën e qartë harmonike, për të vazhduar me më shumë muzikë lirike e nuanca të romantizmit. E përderisa Orkestra i ofrohet një kadence të butë, pianoja hyn në lojë befas për të vazhduar violina solo me atë që duket si imitim i pianos. Një seksion recitativ që aludon fort të operat e Mozartit është gati kah fundi i kohës së parë që mbyllet me kadenca melodish lirike e me kontrapunkt tërheqës. Loja e atyre që mbi të gjitha janë virtuozë të kompozitorëve të botës gjermanofolëse e ktheu Sallën e Kuqe në pallat të muzikës klasike të paktën në ndjesi. E momentet e tilla nuk qenë të rralla. Në kohën e dytë violina nxirret në pah më shumë, kurse në të tretën eksplorimi është goxha më intensiv. Orkestra bëhet bashkë në akorde shpërthyese dhe fundi shkon në nivel intensiv. Koncerti bën një ilustrim të romantizmit të hershëm, interesin për barokun e deri te romantizmi i vërtetë.

Pas krejt kësaj “shfaqjeje” qe koha për 10 minuta pushim për t’u kthyer me pjesën e dytë të koncertit me Simfoninë Nr.2 bë D-dur Op.36 të Ludwig Van Beethoven. Simfonia e shkruar midis viteve 1801 dhe 1802 premierën e kishte pasur më 1803 në Teatrin e Vjenës, pasi kompozitori gjerman kompozimin e kishte bërë derisa po qëndronte në periferi të kryeqytetit austriak. E ndarë në katër kohë, vepra është një prej më të njohurave të Bethovenit që bën bashkë shumë instrumente dhe lëviz mjeshtërisht në kërkimet e tij muzikore e në temat që trajtonte. Për muzikologët e kritikët është “një shembull i tejkalimit muzikologjik”. E tillë erdhi të shtunën mbrëma, kur Orkestra e Filharmonisë së Kosovës pas më shumë se dy vjetësh iu kthye koncerteve parapandemike me vepra që janë vulë e muzikës klasike.

Image

Pianisti Boris Kusnezow ka thënë se është i lumtur që ka luajtur në këtë koncert.

“Isha këtu para gjysmë viti dhe të kthehem në këtë vend të mrekullueshëm bashkë me këta njerëz që të japin energji shumë pozitive dhe atmosferë shumë të mirë, është vërtet një kënaqësi e madhe”, ka thënë një ndër pianistë më të kërkuar të brezit të tij.

E violinisti dhe dirigjenti Fedor Rudin ka thënë se kanë punuar intensivisht me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.

“Kemi bërë punë të mirë pasi Orkestra nuk është mësuar të luajë pa dirigjent dhe kishim një vepër pa dirigjent që mendoj se e kemi luajtur mirë, pasi audiencës i pëlqeu ajo pjesë”, ka thënë ai. Ka treguar se programi i këtij koncerti gati dyorësh sjell një energji rinore pasi edhe veprat e Mozartit dhe Bethovenit janë shkruar në rininë e tyre. Ka qenë shpresëplotë se audiencës i ka pëlqyer kjo energji.

“Në orkestër kam gjetur të rinj shumë të motivuar, të cilët i japin ansamblit energji e dinamizëm. Orkestra është shumë e re dhe i duhet koha e vet që të zhvillohet. Jam i lumtur nëse kam mundur t’u jap më shumë gjatë një jave punë”, ka thënë francezo-rusi që pos të tjerash është laureat i disa garave prestigjioze, midis të cilave “Premio Paganini” ne Gjenova.

E drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se me këtë koncert mund të thuhet se institucioni po e kthen programin parapandemik kur kishte koncerte në dy pjesë. Sipas tij, çfarë e ka karakterizuar koncertin është java parapërgatitore, posaçërisht me dirigjentin dhe violinistin Fedor Rudin.

“Filharmoninë e Vjenës e shohim së paku në Koncertin e Vitit të Ri dhe të vijë një njeri i cili ulet i pari aty dhe është udhëheqës i asaj orkestre, është ngjarje për Orkestrën dhe për publikun”, ka thënë Jashari. Sipas tij, ishte një javë interesante për instrumentistët e Filharmonisë gjatë ushtrimeve, pasi kanë marrë përvojë shumë të mirë nga dy interpretues që vijnë nga qendra të Evropës. ”Është një eksperiencë që nuk do të harrohet dhe ka lënë gjurmë në Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës”, ka thënë Jashari.

Në fund të marsit Filharmonia me “Bach Piano Extravaganca” bëri bashkë katër piano në lojë, duke i sjellë kryeqytetit një ndjesi që zor të përsëritet shpejt edhe në rajon. E me koncertin e së shtunës ka bërë bashkë vepra të rinisë së kompozitorëve me nam, kurse solistë e në dirigjim kishte emra që kërkohen anembanë globit. Me koncertet e fundit, institucioni pavarësisht kushteve e hapësirave performuese i ka sjellë publikut ndjesi të kryeqyteteve evropiane. Sfidë pos kushteve, mbetet mbajtja e këtij ritmi që Kosovën e bën adresë të muzikës klasike.