Kulturë

“Operalia” me zë e piano si shndritje nëpër kohë e homazh

Nata e katërt e “Chopin Piano Fest” erdhi me titullin “Operalia”, duke aluduar në shkëlqimin e garës botërore të operës, që çdo vit bën bashkë emrat me të mëdhenj të këndimit operistik. Lejla Pula në piano ka shoqëruar tenorin Armaldo Kllogjeri dhe sopranon Marjana Leka. Një pjesë e programit erdhi edhe si homazh për viktimat e pandemisë dhe dëshmorët e rënë për çlirimin e Prishtinës e të Kosovës, 22 vjet më parë

Depërtim me anë të muzikës në të kaluarën, të ardhmen, të tashmen e aty-këtu edhe në një botë joreale. I tillë ishte koncerti i natës së katërt të “Chopin Piano Fest”. Mbrëmja erdhi nën titullin “Operalia”, duke aluduar në shkëlqimin e garës botërore të operës, që çdo vit bën bashkë emrat me të mëdhenj të këndimit operistik.

Koncertin e nisi pianistja e shquar kosovare, Lejla Pula. Nëpërmjet kompozimit “Vocalise op.34 nr.14, cis-mol” të Rahmaninovit, u bëri homazh viktimave të pandemisë dhe dëshmoreve të rënë për çlirimin e Prishtinës e të Kosovës, 22 vjet më parë. Pula vazhdoi edhe me pjesë të tjera solistike. Gjatë mbrëmjes shoqëroi tenorin Armaldo Kllogjeri dhe sopranon Marjana Leka. E për tri vepra muzikore – “Lule bore” të Simon Gjonit, “Tace il labbro” (de la Vedova Allegra) të Franz Lehar dhe “Brinisi” nga opera “La Traviata” e Giuseppe Verdit – treshja u bë bashkë në skenë. Kishin zgjedhur një program goxha sfidues e që prekte periudha të ndryshme muzikore.

Pianistja Lejla Pula, pas pesë vjetësh u rikthye me performancë para publikut në Prishtinë. Përveç veprës së kompozitorit rus, Sergei Rahmaninovit, solli edhe “32 Variations C-mol” të Ludwig van Beethoven. Koncerti u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, ku të tre artistët – që bashkëpunojnë në formacione të ndryshme që nga viti 2006 – kanë performuar për herë të parë.

“Në këtë sallë e kemi improvizuar që me të vërtetë të tingëllojë si një koncert i muzikës serioze, edhe pse kushtet nuk janë me të mira. Sonte me këtë ngrohtësi të madhe nga publiku, nga studentët e muzikës, nga dashamirët e muzikës u kënaqëm, u prekëm dhe i përjetuam të gjithë së bashku këto momente të muzikalitetit të bashku”, ka thënë ajo, duke theksuar se për këtë koncert u është dashur që të bëjnë vetëm dy prova. Mirëpo, përkundër kësaj, ka theksuar se ia kanë arritur të tingëllojnë si vepra të komplikuara.

Thyerja më e mirë e kësaj nate dhe e notave të pianos ishin zërat e tenorit Armaldo Kllogjeri dhe të sopranos Marjana Leka. Për treshen e koncertit, ishte i pari që nga fillimi i pandemisë.

“Të këndosh këtu në Prishtinë është një kënaqësi, një ngrohtësi një emocion i veçantë, pasi që publiku juaj është shumë dashamirës dhe i ngrohtë”, ka thënë Kllogjeri.

Ai në këtë koncert solli edhe veprat “Torna a Surriento” të Ernesto De Curtis dhe Giambattista De Curtis, “Dicitencello vuie” të Rodolfo Falvos, “Granada” të Agustin Laras, “E lucevan le stelle” të operës “Tosca” të Giacomo Puccinit dhe “Nessum Dorma” të operës “Turandot” po ashtu nga kompozitori italian, Puccini. Kllogjeri kreu studimet për kanto në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesorit Burhan Spahiu. Gjatë diplomimit të tij, fitoi çmimin e tretë në konkursin ndërkombëtar “Marie Kraja” dhe debutoi për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit me rolin e Dukës së Montavës në operën “Rigoletto” të Giuseppe Verdit.

Sopranoja Marjana Leka, ka thënë se e kanë përzgjedhur me shumë kujdes programin. Të hënën mbrëma, ajo solli edhe veprat “Sogno” të Francesco Paolo Tostit, “Kenke nur’ i bukurisë” të Bejto Halili - Tonin Harapi dhe “Song to the moon” të operës “Rusalka” të Antonín Dvořák.

“Ishte një program që edhe të afron goxha me publikun, por edhe i një shkalle të vështirësive të caktuara dhe mendoj se atë që e kërkonin e morëm: duartrokitjet dhe emocionin”, ka thënë Leka. Ajo ka mbaruar studimet për kanto në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe në vitin 1989 ishte emëruar soliste e parë në Teatrin e Operës e Baletit. Leka, njëkohësisht është edhe fituese e çmimit të parë “Marie Kraja” në Tiranë në vitin 1999.

Për publikun, netët e tilla ku gërshetohen vokali bashkë me tingujt e instrumenteve mbesin me të preferuarat. Janë gjarpërim i duhur karshi koncerteve, ku kryefjala është pianoja.

Sipas pianistes Alberta Troni, koncerti ishte një vezullimë e Festivalit.

“Ishte një xixë, pasi që ishte mbrëmja vokale e vetme që do të ketë ky Festival këtë vit dhe një kombinim shumë i bukur i dy artistëve me renome mjaft të madhe shqiptare dhe profesoreshës së mirënjohur, Lejla Pula”, ka thënë ajo. Sipas saj, publikut i kishte munguar një spektakël i tillë pas kësaj kohë të gjatë pandemike.

“Njëkohësisht u shënua Dita e Çlirimit të Prishtinës me një koncert mjaft triumfues në kuadër të ‘Chopin Piano Fest”, theksoi ajo.

Koncerti i radhës në kuadër të “Chopin Piano Fest” është të mërkurën, në orën 19:00. Në skenën e improvizuar nga Festivali, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare do të ngjitet pianisti Jerome Granjon.