Kryefjalë e “PriGlobal” dhe “PriDox” janë filmat, çmimet kurorëzojnë shijet publikut, e me votat e shikuesve, “No Way Home” i Yousaf Ali Khan ka marrë “Best PriGlobal Film”. “Ennio” i Giuseppe Tornatores për gjeniun e muzikës Ennio Morricone, ka marrë “Best PriDox film”, i cili edhe e përmbylli “ProDoxin” bashkë me filmin artistik “Bubbles” të regjisores Meri Dishnica që sjell ikonën shqiptare, Margarita Xhepa
Çmimet nuk janë fort qëllim më vete, por megjithatë, shërbejnë për ta kurorëzuar edhe një edicion të “PriGlobalit” dhe “PriDoxit”. Dy ngjarjet që i paraprijnë festivalit amë, “PriFest”, në edicionin e dytë sivjet, synim parësor e kanë kinematografinë. I pari filmin artistik – ku ka triumfuar “No Way Home” me rrëfimin për çështje identitare dhe raportin me emigrantë, i dyti dokumentarin – ku ka triumfuar “Ennio”, për gjeniun Ennio Morricone.
Krejt filmat – shtatë në të dy programet – janë dritare me botën e kinematografisë.
E, takimi i natës finale ka qenë ai me dy filma. Mbrëmja e së enjtes në “Kino Armata” ndryshe nga nata e dytë e këtij eventi, ka mbledhur më shumë të interesuar. Ekrani i madh u ndez me “Bubbles” nën regji të Meri Dishnicës, bashkëprodhim midis Italisë dhe Shqipërisë. Ky film i metrazhit të shkurtër, në gjuhën italiane, sjell historinë e çifti dhe peripecitë e tyre me lidhjen në distancë e cila figurativishit i jep dhe emrin filmit. Raporti i ngjan flluskës së izoluar, që në film transmetohet si një “luftë” për ta mbajtur marrëdhënien. Ndërkaq, ndjeshmëria emocionale dhe tendosja e vazhdueshme përcillen në shumë pjesë. Aty paraqitet qasja estetike e regjisores e cila përdor kuadro të veçanta duke diktuar dinamikat e çiftit Sol dhe Fred edhe nëpërmjet pamjeve në film. Raporti i tyre, i cili varet nga kontakti me telefon, nuk zhvillohet asnjëherë, ndërsa fundi i filmit 15-minutësh bëhet i ditur kur në ekran shfaqet Margarita Xhepa sikur Sol, por vite më vonë, në darkën e Krishtlindjes, derisa pret Fredin, i cili sërish nuk bëhet i gjallë. E në fund në ekran shfaqet dhe mesazhi se “flluska është një hapësirë e sigurt...deri sa nuk është më”.
Meri Dishnica është skenariste dhe regjisore, e cila përgatitjes së saj në psikologji, i bën vend dhe në filmat e saj duke u angazhuar në dyzimin e elementeve si imazhi, tingullit, lëvizjes dhe hapësirës. Njihet për qasjen e veçantë në kinematografi, duke realizuar dhe vepra artistike që konstruktohen nga video materialet, poezitë kinematografike dhe filmat eksperimentalë.
Botë krejt tjetër ka qenë filmi dokumentar “Ennio”, i cili u prezantua i dyti me radhë, fill pas përfundimit të titrave të filmit para tij.

Vepra e Giuseppe Tornatores, regjisorit të mirënjohur italian – vula e të cilit shënon edhe kinematografinë italiane si “Cinema Paradiso” – për 2 orë e 36 minuta e shpie publikun në Italinë e shekullit XX, nëpërmjet dokumentarit i cili shpalos jetën dhe veprën e kompozitorit italian, Ennio Morricone. Në fillim të dokumentarit shpaloset fëmijëria e Morricones dhe kthesa e tij jetësore. Ai vetë e kishte ëndërr që të bëhej doktor, por nga insistimet e të atit që të ndiqte rrugën e tij, do të vendoste të fillonte të merrej me trumbetën. Në moshën 11-vjeçare, do të fillonte të performonte në ngjarje të ndryshme duke zëvendësuar të atin kur ai nuk kishte mundësi të performonte. Filmi përshkruan ngritjen e tij si i ri, duke luajtur trumbetën në konservator, orkestra filmash, banda ushtarake, shfaqje estradash dhe ansamble eksperimentale si “Nuova Consonanza”, i cili qe i pari i llojit të vetë i specializuar në prodhimin e tingujve jokonvencional. Por, emri i tij do të fillonte të njihej në vitet e ’60 kur ai do të angazhohej në shtëpinë diskografike RCA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Elementi unik që e bën këtë film unik është trajtimi intim që i bëhet figurës së tij, i cili narracionin e bën vetë, madje dhe duke e treguar karakterin e tij interesant teksa përdor gjeste të shumta kur përshkruan procesin e krijimeve të hiteve të tija që nga klasiket italiane e deri te kompozimet ikonike të filmave amerikan western që mbajnë vulën e tij siç është “The Good, the Bad and the Ugly”. Aspekt tjetër që paraqet punën serioze me të cilën është trajtuar figura e tij në këtë film është dhe prezenca e figurave të njohura të kinematografisë e muzikës në botë. Clint Eastwood, Quentin Tarantino, Gino Paoli dhe Oliver Stone, janë vetëm disa prej emrave që shpalosin detaje të karakterit e karrierës së Ennio Morricone, i cili vdiq në vitin 2020, ndërkaq premiera botërore e “Ennio” ishte dhënë një vit më vonë, në vitin 2021.
Pas përmbylljes së “PriDox”, ndryshe nga hera e parë, audienca në Kosovë kishte mundësinë që të votonte për filmin më të pëlqyer nga të tria netët.
“Në këto net gjithçka ka shkuar sipas planit, ashtu siç e kemi planifikuar. Këtë radhë ka qenë më ndryshe, pasi që pas çdo filmi, audienca ka pasur mundësi të votojë për filmin e tyre të preferuar”, ka thënë Uran Bajrami nga “PriFesti”, i cili sivjet në shtator vjen me edicionin e 15-të.
“Ennio: i Giuseppe Tornatores ka qenë i patejkalueshëm si “Best PriDox Film”, ndërsa “No Way Home” i Yousaf Ali Khan që ka marrë “Best PriGlobal Film” ka qenë filmi, premiera e të cilit të hënën e kësaj jave do të hapte “PriGlobalin”. Si produksion i Mbretërisë së Bashkuar, sjell rrëfimin e protagonistit Ryan dhe raportit të tij që krijon me një refugjat sirian. Përmes tij shpaloset një analizë e problemeve aktuale në shoqëritë perëndimore, të cilat kryesisht preokupohen me çështjet identitare, margjinalizimin dhe përkatësinë në raport me emigrantët. Fituesit janë shpallur të premten pa ndonjë ceremoni.
Programi i “PriGlobal” dhe “PriDox” me filma nga prodhime të vendeve të ndryshme të botës përbën një veçanti për eventin.
“Çka e bën këtë organizim më të veçantë nga ‘PriFesti’ është sepse në ‘PriFest’ merren filma nga regjioni, ndërsa tash ka filma nga çdo vend i botës, gjë që sipas meje, e ka bërë dhe më interesante dhe e ka zgjuar interesin e publikut”, ka thënë Bajrami.
Pa glamur e tapete të kuq, drita e çka jo tjetër, filmi është kryefjalë e të dyja festivaleve përcjellëse, që i paraprijnë atij të cilit i takon shkëlqimi – “PriFestit”.